“Centauri i fundit” i Moikomit

Ornela

Brikena Bakiasi

(“Sizmiologjia” e Letërsisë së Moikomit)

Biblioteka pushoi së lëkunduri pas tridhjetë sekondash. Lëkundi të gjithë librat si një kafshë që e kanë zënë shtërzimet e lindjes. Të gjithë autorët i plasi në tokë, ca i kacafyti me njëri tjetrin për t’ i fantazmaguar rreth shtratit. Inat, gulç pse mbi jastëk rri gjithmonë një libër i Moikomit?! Ishte shtërzim i saj për të ringjallur të gjithë shkrimtarët në një gjyq.

Ato që nuk arriti dot të rrëzonte ishin kopertinat me ngjyrat e Onufrit,- karshillëk sizmiologjik. “Sizmiologjia” e letërsisë së Moikomit nuk u tutka nga disa pllaka tektonike që u teket të çohen e puthen si dy gra të dehura të një shtëpie publike nëntokë, ashtu rrakapjerrtas e pa turp, pa marrë parasysh brishtësinë e fizikut tonë shoqëror. Ai pëlqen thjeshtësinë me ndrojtjen e Mona Lizës, ngarkesat e shformojnë bukurinë e gruas.

Tërmetet shoqërore, intelektuale, prozatore, artistike, filozofike dhe shkencore, i shkaktojnë emrat e mëdhenjë. Dija si jargavanët mbi kokë, përkulet lehtë në oborrin e dijetarit Moikom. Shkëputen e bien metaforat nga lartë, si petale shpirti mbi gjokset e lexuesve, kundrimi i aromës së mendimit në veprat e këtij autori i drithëron flegrat e instiktit. E dalldis nuhatjen si parfume franceze.

Lëkundjet e tokës së letërsisë janë ngacmuese, janë joshëse si një zonjë e bukur që fsheh fytyrën e imët në mes ondesh. Ashtu lëviz ajo dredhëz, me ca shpatulla të drejta, ndërtim i një trekëndëshi gjeometrik, mijëravjeçarë aq shumë të përfolur. Epshi i të lexuarit nuk rri si i topitur ndaj koncepteve të librit “Centauri i Fundit”.

Kurriz është bota e të shkruarit që mban autorët, por jo pa sqimën e zgjedhjes. Autorët tronditës në art si Moikomi “kanë vendin e zgjedhur pa debat me profetët” tregon intimisht dhe alegorisht Mark Twain-i. Ka dhe letërsia histerinë e saj prej llazërimeve të tepërta.

Ajo dukej një madam rrëzëllitëse atë ditë pasditeje, pasi kishte marrë librin “Centauri i Fundit” disa ditë para së Martës së Zezë. Para pasqyrës i’u dorëzua tualetit, krehu flokët për të provokuar vdekjen e qënies. Apo “përciellje për vdekjen është letërsia” kështu e zu Moikomi në rrjet atë para kafshimit nga e Panjohura.

Pasqyra është budallaqe çfarë i thua bën, trushkulur. Ajo rrëshkiti buzëkuqin me naze mbi buzë dhe Dielli ashtu si vjedhurazi i stërkiti flokët me nur dashnori. Ngadalë i’u ul mbi gjoks si burrë çapraz, por i kujdesshëm. Ishte kaq e entuziazmuar letërsia sa në befasinë e saj i erdh një krijim fantastikisht i rrallë nga një burrë që ajo thellë thellë dhe krenarisht e dashuron Moikomin. Vërtiten bashkë si në mitin e Pigmalionit.
Kush mendon se letërsia s’ ka ndieshmërinë e zgjedhjes, apo ndieshmërinë e të dashurit?!

Proza “Centauri i Fundit” e cila shkohet në tezgjah Penelope nga Moikomi, si një burrë që ka nuhatur linjat më të rralla të trupit mendor, linjat më këndellëse të trupit femëror të letërsisë. Përplaset fortë duke ngjeshur kotësitë e kozmosit, dhe thur të vërtetat e patjetërsueshme. Letërsia është grua, dhe për bukurinë e saj është kujdesur krijimtaria e tij, si stilisti i kohës por pa kohë tashmë. Të shfry dhe kjo hapësira filozofike që ngeli çift me kohën. Të ngashërejë pa lot nga “Centauri i Fundit”. Mos u mërzit dhe ti Hegel, se shpirti apsolut nuk ka sens pa prozën e Moikomit. Ti vete ke thëne “pa art shoqëria ngelet pa moral”.

Moikomi vesh dhe xhvesh letërsinë për t’i shtuar sharmin e figurave në mijëra forma dhe portrete teatrale të gjuhës. Koreograf i linguistikës me piruetat mahnitëse të saj, i vdes predikatët dhe i ngjall në skenën e madhe të dijes. Lëvizjet e kockave të letërsisë ai i çon në vend nga masazhet e një inteligjence sizmike. Të mos gjymtohet kurrësesi shpirti i njeriut.

“Centauri i Fundit” i dhuron lexuesit një mëndafsh kujtese historike me butësi artistike. Është një çmenduri, egërsi arti por e puplët lëshohet mbi supet e letërsisë.

Mbi kokën” kafkëforte të saj”, vezullon lartësia hyjnore e shkencës nga e gjithë krijimtaria e Moikomit.
Sjell një modë rishtaz për shëtitjet e bulevardeve metaforike, metonimike, hiperbola, parabola, anagrama, apoteoza, onomastikë, me lëkurë të re nga vrasjet e monotonisë së letërsisë. Të përpunuara hijshëm në trajta filozofike dhe elegancë artistik tejet oriigjinal. Komponimet kimike të koncepteve të librit trazojnë izotopet e postmodernizmit.

“Centauri i Fundit”

-“Unë jam Centauri i Fundit”, i tha vetes.
Jam i fundit,- se tërë populli i dikurshëm i centaurëve s’ është më.
Jam i fundit.
Centauri i Fundit i botës. I fundit.
Ai lëvizi mbi pllajën e stralltë, plot shegë dhe fiq të egër, agavie të mëdha dhe kaktuse të çuditshëm.
I njomur nga vesa e ndritshme e mëngjesit luhatej ngadalë si në ëndërrim me pamjen e tij të pazakontë dhe padyshim hyjnore.
Ai po përshkonte hapësirën ekzotike të fillimvjeshtës grishëse dhe njëkohësisht tërë mijëvjeçarët e ekzistencës.
Ajri i ngrohtë, por edhe i freskët i rrëshqiste mbi fytyrën me flokët e mëdha kaçurrela, mbi vetullat e dendura dhe mjekrën e shpupuritur, – një fytyrë autoritare dhe tërheqëse si ajo e një binjaku të vetë Zeusit të fshehur dikur sipër reve misterioze.
Por sytë në këtë fytyrë qenë melankolikë me një qetësi të thellë si qetësia e shurdhët para fillimit të shtrëngatave, ose si mbas mbarimit të gjithçkaje dhe të vetë botës.
Ç’do të thotë të jesh Centauri i Fundit, e pyeti veten.
S’do të ketë të tjerë të ngjashëm si unë, po vallë çdo e ngjashme zhduket përgjithmonë?
Ahere pse ka ekzistuar kjo e ngjashme dhe u pranua si e tillë?
Dhe a mundet të ripërtërihet?
Të jesh Centauri i Fundit do të thotë të mbartësh në veten tënde tërë të ngjashmit që s’janë, kështu ata janë ende ndërmjet teje, pra kuptimi i vdekjes së tyre s’ ka vlerë gjersa ti ende jeton.
Ti ende jeton që të mos vdesin ata.
Ti ende jeton,- për të vërtetuar një ekzistencë të mrekullueshme dhe të pamohueshme dot.
Populli i centaurëve do të mbesë patjetër në kujtesën e shekujve.
Ky popull i pathyeshëm, me krenari të epërme, me intelektin e dyfishtë të njeriut dhe të kalit ka qenë i shumtë dhe i përhapur kudo.
Centaurët mësonin heronjtë, vetë Akilin, dinin mjeshtërinë enigmatike të mjekimit të plagëve të trupit dhe të shpirtit.
Bënin gosti madhështore, ndërroheshin me përkushtim, por jo edhe pa ndrojtje nga të gjithë edhe nga zotat edhe nga vdekatarët.
Shëmbëlltyra e çdo centauri -gjysmë njeri e gjysmë kalë tregonte një ngjizje të hatashme të natyrës së gjallë dhe mendimit, një variant tepër interesant, madje poetik të kozmogonive.
Lindja e centaurëve e ka një zanafillë, që tashme është harruar.
Zotat janë përherë të pavdekshëm, njerëzit lindin nga njerëzit.
E vërtetë e lindjes së centaurëve është ndryshe.
Krejt ndryshe.

Ky është sekreti i tyre i madh dhe unik.

Me të vërtetë centaurët kanë lindur vetëm ahere kur njerëzit në fillim besuan pamëdyshje se ata ekzistonin.
Centaurët qenë krijesa të plotfuqishme të besimit të njerëzve. Madje dhe zotat skeptikë, që i nënvleftësojnë njerëzit e brishtë u ndikuan nga ky besim universal duke pranuar ekzistencën e centaurëve, duke e shpjeguar dhe argumentuar si mundësi krijimi e befasie të vetë sqimë, dhe hirit të plleshëm të substancës hyjnore.
Kështu centauret u bënë qenie intime të njerëzve dhe të zotave. Shumimi i centaurve qe shumimi i besimit për ta. Kjo qe premisa dhe thelbi i ekzistencës së tyre. Mijëvjeçarë më pas njerëzit u bënë konfuzë,- nisi të zbehet besimi i tyre për centaurët.

Njerëzit u bënë dyshues, të vrazhdë, nisin ta urrenin çdo gjë poetike që përhapte dhe rregullonte harmoninë midis gjërave, madje dhe lidhjet midis tyre dhe zotave olimpikë.
Fantazia e tyre u ftoh, u bë e plogët, tepër meskine, shumë egoiste, kontradiktore.
Njerëzit u mbërthyen keqas, pa rrugëdalje në këtë krizë besimi.
Kur një pjesë e tyre qe krejt mosbesuese,- ahere një pjesë e centaurve zhdukej vetvetiu, -por mbeteshin ende shumë centaurë përderisa të tjerët ende i besonin.

Kur shtohej numri i të lëkundurve midis atyre që besonin dhe nuk besonin ahere në përgjithësi centaurët sëmureshin seriozisht, qenë të pafuqishëm, por ende mund të ëndërronin për mbijetesë.
Por ndodhi ajo më e tmerrshmja,- më fatalja.
Njerëzit në përgjithësi nuk besonin më tek ekzistenca e centaurëve dhe populli i madh i centaurve u shpërbë vetvetiu në ajër, format e dukshme të tyre mjegulloheshin, pastaj bëheshin të tejpashme, mund të shquheshin akoma në parafundin e tyre si forma centaurësh ajrorë, prej erërash dhe flladesh, deri sa përfundimisht u zhdukën, humbën në padukshmërinë e patjetërsueshme.

Më gjatë nga të gjithë vetëm fëmijët, por edhe poetët, e kanë besuar ekzistencën e centaurve.
Ky besim e mbajti tepër gjatë gjallë gjeneratën e fundit të centaurve tashmë të papërfillur.

Por tani në botë qe vetëm një fëmi që besonte me gjithë fuqitë e shpirtit se ishte i vërtetë dhe i gjallë centauri i fundit. Vetëm një fëmijë dhe askush tjetër.

Por kjo qe krejt e mjaftueshme dhe mrekullibërëse. Centauri i fundit jetonte pikërisht se jetonte ky fëmijë. Centauri qe me përmasa vigane përpara këtij fëmije që ishte dhjetë vjeç.
Pikërisht ky dhjetëvjeçar i paepur bënte që centauri madhështor të përjetonte në qenien e tij moshën e tërë mijëvjeçarëve.

Centauri i fundit e kapërceu pllajën. Doli në tërthoret plot burime të një lugine. Aty ishte shtëpia e gurtë, ku ishte fëmija dhe familja e tij. Në skaj kullotnin dhitë. Centauri i fundit u pushtua nga emocionet. E pa fëmijën në oborrin e shtëpisë. Dhe fëmija e pa.

Nga tërë pjesëtarët e familjes vetëm fëmija mund të shihte centaurin.
Për të tjerët centauri qe i papashëm dot.

Ata s’besonin, pra s’e shihnin, s’mund ta shihnin, sepse s’donin ta shihnin.
Ishte kaq e thjeshtë. Pafundësisht e thjeshtë.
– Erdhe, tha fëmija (një djalë 10 vjeçar)
– Erdha.
– Dukesh pak i lodhur.
– Vërtetë. Jam pak i lodhur. E di që ekzistoj falë teje. Nëse ti s’je mirë, as unë s’jam mirë. Nëse jam pak i lodhur kjo do të thotë se edhe ti je pak i lodhur.
– Mbase është kështu, tha fëmija, por me një zë gazmor.
– Kështu është. Padyshim. Ti dhe unë jemi e njëjta gjë. Çdo gjë që të ndodh ty më ndodh edhe mua.
– Jo. Ti ekziston pavarësisht se dua unë. Ti je jo se jam thjeshtë unë. Nuk të kam krijuar unë. Ti je shumë më përpara se sa të lindja unë. Centaurët si ti kanë qenë gjithmonë.
– Por s’do të jenë gjithmonë.
– Jo, do të jenë. Besomë do të jenë. S’do të harrohen. Asnjë harresë nuk i mohon dot. Do të jenë përgjithmonë.
– Ndoshta.
– Do të jenë përgjithmonë, jo se unë besoj se ti je. Unë besoj sepse ti ke qenë. Prandaj do të jesh.
– Ti je i vetmi që ende beson. Unë tashmë jam Centauri i Fundit.
– Por unë s’do të jem fëmija i fundit që beson dhe të sheh ty.
– Kam frikë se je fëmija i fundit dhe unë jam Centauri i Fundit. Po, po, i fundit”.

Besimi ka vlerën e frymëmarrjes, i duhet kthyer ai kombit se ka marrë arratinë e pakthyeshme. “Është gjëja që i jep vlerën e plotë qenies pa nevojën e një inporti në dhomën e shpirtit”, shprehet Schopenhauer në një dorëshkrim mbi lumturinë. Besimi është forca e kombit për të ecur në këtë hulli shekullore që ka ngecur. Asgjë më shumë se besimi nuk i kthen dinjitetin e lënduar kombit, dinjitetin e shpërfillur nga klasat politike por pa politikë. Besimi i jep shqiptarit idenë aristoteliane të barazisë. Ku njëher ka të drejtë të udhëheqi dhe herën tjetër të udhëhiqet. Drejt një shteti solidar, me institucione funksionale, jo si Sabat fantazmash korruptive, pa nëpërkëmbjet e kulturës, e artit, e arsimit dhe të shkencës.

“Shkrimtari X3Z ishte ende i zgjuar në mesnatë. Përballë tij qe letra e bardhë. Ai nisi të shkruante diçka. Diçka për kuptimin e gjërave. Imagjinata e tij qe e skajshme, por ai synonte tek një abstragim i saj. X3Z shkroi si në ethe këto rreshta: Kuptimi? Ç’është kuptimi? Ne përjetojmë ngjarje. Brenda tyre është kuptimi. Kuptimi është gravitacioni i kthyer në substancë – shpirti pa trup – fantazma më me vlerë se sa origjinali, – mali i gjeometrizuar në piramidë, – sfera e përgjithshme e bërë trekëmbësh i veçantë guri pa emër i shndërruar në kult hyjnor i një emri, – më saktë emri i panjohur i një realiteti të panjohur.

Kuptimi i botës? Thjesht një ide? Pse ekzistenca është një kacafytje idesh konfuze?
Diçka kontradiktore. Idea e jetës? Një koleksion i rremë frymëmarrjesh? Kuptimi i librave? Një rishkrim i pafund i asaj që ishte ndaj edhe është dhe s’dihet në do të jetë? Kuptimi i artit? Një ndjesi e vagullt estetike? Emocione të stimuluara? Një kujtesë e rreme e historisë? Ç’është kuptimi i një luleje efemere? Po kuptimi i një ylli miliona shekullor? Ç’është kuptimi i një xixëllonje? Po kuptimi i shpërthimit në Hiroshimë? Ç’është kuptimi i një krimi? Po kuptimi i therjes së kafshëve për ushqim? A s’janë e njëjta gjë? Ç’është kuptimi i një anije të mbytur? Po kuptimi i një ëndrre të parealizuar? Ç’është kuptimi i një aureole? Po kuptimi i një unaze martese? Po kuptimi i bukës së brerë nga krimbat? Ç’është kuptimi i një ore? Po kuptimi i kohës? ”

Po kuptimi i letërsisë pa Moikomin, ç’do të ishte? Nuk e di ç’do ishte as dua t’ia di se ç’do të qe, por di që është e plotë tashmë, e pamardhur nga erërat me ngricë arti, e përqafur me krahë dijesh dhe filozofi të çuditshme.
Është “Centauri i Fundit” ky autor, ashtu sikurse qe dhe Migjeni, -( nenkupto prespektiven edhe me Balzakun, Gogolin, Hofmanin, Naimin, Çabejin, Monteskjene, Moxartin, -apo një Leonardo Da Vinçin, që tashmë po prehet i qetë, falë edhe zbulesës mjeshtërore që i ka bërë Moikomi). I fundit Moikomi ynë,- dhe i vetmuar,- që i vë kurorën e dafinës letërsisë së madhe për të mos humbur besimin, se krijuesit e mëdhenj lindin dhe nga kombet e munduara dhe te sfilitura por ende plot shprese.

Sharleti do i kushtonte orë të tëra kopertinave të librave të Moikomit, do të ethej nga kënaqësia nëse do bënte një pikturë për njërin nga librat e shumtë të këtij shkrimtari.

Virgjili i ktheu dashurinë e horrosur për vendin romakëve. Moikomi i kthen besimin shqiptarit se mund të mposhtë sharlatanët ,-që përdhosin energjinë e kombit, mund të shfarosë njëherë e mirë gagarelët mandatorë, mund të zbrazë republikën e kotësive.

PARABOLË ZEN-BUDISTE

“Dy murgj zen-budistë po shkonin në një manastir. Murgu i vjetër ecte më shpejt dhe arriti i pari tek një përrua.
Në breg qëndronte një mrekulli: një virgjëreshë e re, e cila kishte frikë ta kapërcente përroin. Murgu i vjetër e pa vetëtimthi, pastaj ktheu kokën në drejtim të kundërt dhe e kapërceu përroin.
Pas tij erdhi murgu i ri.
Befas murgu i vjetër u llahtaris, pa se si murgu i ri e mori në duar bukuroshen e re dhe sëbashku me të kapërceu përroin. Pas kësaj të dy murgjit në heshtje të plotë vazhduan rrugën
për në manastir.
Kur arritën në manastir murgu i vjetër shpërtheu kundër murgut të ri: “Si e bëre këtë gjë, ky veprim është kundër ligjit të murgërimit, ke thyer tabunë, asnjë murg i vërtetë nuk guxon ta prekë me dorë një femër”.
Murgu i ri krejt i qetë, e dëgjoi kritikën e rëndë.
Pastaj i tha: “unë vajzën virgjëreshë e lashë në bregun e përroit. Pse ti po e mbart ende?”

Tomir është ky libër që nuk përpunon gurët e çmuar por i krijon ata vete. Natyra mbulon ujrat me zambakë dhe orkide, libri mbulon çdo mundim njerëzor me një dritë realiteti, besimi dhe dashurie. Historitë janë histori sepse kanë kordinata takimi në dallimet dhe piktakimet e kombeve, politikave, ekonomive, kulturave me matrica infinite.
Ato që shpluhros Moikomi me kujdes, janë pjesë e pandarë e arteve dhe letërsisë në këtë libër. Të vërtetat e shpirtit janë një Melisë lakuriqe në ketë krijim.
Letërsia e puth historinë e kombeve me etje pa ndiesinë e krupës siç bëjnë sistemet politike.
Këtë çelnajë i ka sjellë Moikomi lexuesit të kudogjendur.

“Bota globale është tregu global, kjo sjell një varfëri të hatashme dhe një rrafshim të individualiteteve, qoftë të individëve qoftë të popujve”

Teza shkencore, të vërtetuara, pa noumene ëndërruese, të prekshme po dhe pa vargonjtë e empirizmit, të jetueshme, të aplikueshme intelektualisht në botën akademike. Studentët e ekonomikut duhet të kundrojnë krahas Adam Smithit dhe Moikomit. Të studionin disa faqe nga “Centauri i Fundit”. Ç’a është vlera e gjësë dhe ku gremiset pavlershmëria. Çfarë ngelen vlerat pa idetë dhe moralin shoqëror, po pa dashurinë njerëzore?! Apo sistemi arsimor ka kohë që qan këtu!

Ç’ është të shkruarit?

“Gjithnjë e kam vrarë mendjen se ç’është të shkruarit. Më shumë se sa krijimtari vetiake, letërsia sot është një ekzistencë historike botërore, në formën e një bashkësie iluzore, por që ushqen realitetin. Mrekullitë letrare janë imazhe profetike, ndërsa historia është një kujtesë sëprapthi, ose një “reservatio mentalis” – rezervë mendore. Shpesh letërsia konsiderohet “dinakëri mistike”. Nuk e besoj. Letërsia nuk është e përkufizueshme në mënyrë shteruese, portat e saj janë gjithnjë të hapura dhe asnjëherë të mbyllura. Kjo ka rëndësi të kuptohet. Ti mund të rrish në një shkretëtirë ashtu siç rri një yll mbi flokët e një profeti, për më tepër mund të mbash stuhira në duar si ca karta bixhozi. Kinse i mbyll në rrethe të njëpasnjëshëm subjektivo”.

Kinse letërsia jonë dhe ajo botërore merr një fuaje të pa njohur më parë. Pikturuar me figura poetike, të kuptimit, antitezat, groteskun, simbolin, homonimet, tingujt sintaksorë. Partiturat semiotike, laj syt me shafran o Pirs se do shohësh nga Moikomi boshllëkun tënd të studimit, rrëkëlle një gotë verë me Sosirin para “Centaurit të Fundit”.

Mbase, Zoti atë të Martë u përgjum në të thella?! Apo u çua si beftë për të shkruar një ndodhi pafajësie dhe mëkati?! Ende s’dihet! Po qetësia e shkrimtarit në librin “Centauri i Fundit”, ka diçka zbutëse të zemërimit hyjnor që dërgon kollotumba sizmiologjike. Ka diçka dehëse,- diçka të ëmbël si dashuria. Soditja e shkencës dhe e artit në bibliotekën pranë zjarrit, me “Centaurin e Fundit” mbi jastëk, vuri në sedër “pllakat tektonike” para forcës artistike të Moikomit.

o.j/dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *