Moikom Zeqo
Tri ditë mbas përurimit të ekspozitës “Kuajt e Swiftit” shkrimtari MKZQ u takua me Makabe Zaharian tek kafeneja “Roma”.
Mbasditja përshkëndiste e butë mbi Tiranë. Ishte fundi i tetorit.
Drurët rreth lumit të Lanës kishin lëshuar gjethet e purpurta.
Tamam peizazh pasteli.
– Më ka mbetur në mendje portreti yt me kokë kali, tha Makabe Zaharia.
– Faleminderit.
– Një mutacion sigurisht. Mitologjia ka shumë. Mitologjia ka shumë mutacione të tilla si Centaurët, grifonët, sirenat. Një zoologji fantastike.
– Një zoologji fantastike. Jorge Luis Borges e ka botuar “Librin e qenieve imagjinare”. Ky titull, vëzhgon Borgesi do të përligjte përfshirjen e princit Hamlet, të pikës, së vijës, të sipërfaqes, të hiperplaneve dhe hipervëllimeve me n-përmasore, të tërë termave të përgjithshme, ndofta të secilit prej nesh dhe hyjnisë. Shkurt, shumë e tërë gjërave – universin.
– Kentauri është një shpikje, natyrisht siç janë numrat, zeroja.
– Sipas mitit Kentauri është biri i Iksionit, mbretit të Thesalisë dhe një reje, të cilës Zeusi i dha formën e Herës. Iksioni mendoi se dashuroi shëmbëlltyrën e Herës dhe bëri seks me një re. Shumë i abstraguar ky mit. Të lashtët e besonin këtë krijesë të dyzuar: gjysmë njeri dhe gjysmë kalë.
– Ashtu është. Plini Plak shkruan se ka parë me sytë e tij një kentaur të balsamosur në mjaltë që qe prurë në Romë nga Egjipti në kohën e perandorit Klaud. Më hokatar Plutarku thotë se një prej barinjve të Periandrit, tiranit të Korintit, i shpuri të zotit në një trastë lëkure një krijesë të porsalindur, të cilën e kishte pjellë një pelë. Krijesa kishte fytyrë, qafë e krahë njeriu dhe trup kali (mëzi). Qante si fëmijë. Më pas u rrit dhe u bë centauri më madhështor i tërë centaurve.
– Edhe në kohërat moderne nuk ka bjerë ngjizja e njeriut me kalin, tha Makabe Zaharia. Madje disa dëshmitarë flasin për gjëra të pabesueshme. Në Los Alamos të Amerikës së Veriut, flitet për një ritual magjik të lëkurëkuqve autokton
Dy udhëtarë në malin e shkretuar Santa Fe u befasuan nga një skenë e paparë ndonjëherë nga njerëzit e bardhë. Natyrisht Marks C. dhe gruaja e tij piktore Martha ishin paralajmëruar nga autoritetet lokale të mos afroheshin pranë disa zonave të okupuara nga fiset indiane, për faktin se 6 turistë janë zhdukur gjatë 5 vjetëve të fundit, ku mendohet të jenë viktima të një riti 600 vjeçar indian. Piktorja e njohur Marta ishte e informuar për ekzistencën e një fisi misterioz në këto pyje që për qindra vite i janë shmangur kontakteve me njerëzit e bardhë.
Në bazë të legjendës këto fise e mbajnë sekret transformimin e njeriut në kalë, ujk, fajkua etj. Thuhet që ato krijojnë transformimin nëpërmjet një kërcimi sekret. Ligji i tyre përcakton që çdo person i bardhë i kapur për njohjen e këtij sekreti duhet vrarë. Por ata nuk e morëm seriozisht këtë përrallë derisa u bindën në shikimin konkret. Ky çift e konsideron veten me fat përderisa janë gjallë. Kurioziteti , shprehen ata ,na detyroi të depërtonim në thellësi të pyllit.
Me afrimin e natës filloi rënia e lehtë e daulleve. Ne nuk mund të besonim syve tona. Gjashtë djem të rinj po kërcenin rreth një zjarri që komandohej nga daullja e një të moshuari. Njëri prej djemve rreth 14 vjeç ishte i përqendruar në kërcim.
Gradualisht fytyra e tij filloi të ndryshojë pastaj qafa dhe trupi i tij. Përpara syve tonë ai u transformua në një kalë.
Të ngrirë nga frika ne qëndruam të fshehur deri në mbarimin e ceremonisë, shuarja e zjarrit dhe largimi i tyre.
Në mëngjes piktorja Marta pikturoi 5 pamjet e fytyrës së djalit të ndara sipas procedurës rituale. Specialistët në konfuzionin e krijuar po vazhdojnë kërkimet e tyre. Natyrisht kjo të kujton dëshmitarët e panumërt të UFO-ve. Apo jo?
– I njëjti proces mitologjizues. Mendja njerëzore e pëlqen dhe s’shkëputet dot nga arketipet hibridë.
– Është diçka më e thellë MKZQ.
– Më e thellë?
– Absolutisht më e thellë, nënvizoi Makabe Zaharia. Qenia njerëzore ka prirje për hibriden. Në epokën e sotme marramendëse teknologjike njeriu s’shkëputet dot nga kompjuteri. Gati e pamundur të shkëputet. Kompjuteri si univers virtual po modelon, po shndërron, sikurse në ritet e shamanëve hindiane që përmendëm më sipër, njeriun në një kentaur kibernetik.
– Ah, në një kentaur kibernetik!
– Ky tjetërsim modern nuk ndryshon në thelb nga çdo tjetërsim mistik. Skepticizmi s’ka vend. Metamorfoza s’ndalon dot. Vazhdon.
– Ngjan tepër e skajshme dhe apokaliptike.
– Kjo është dilema e njerëzimit. Raporti i reales me virtualen.
– Ah!
Këtu dialogu ndërpritet .(2011)
FANTAZMA E HELENËS
– Mbrëmë kam lexuar Euripidin në origjinal, tha Makabe Zaharia.
– Ç’vepër e veçantë, e pyeta jo pa emocion.
– Tragjedinë e tij të çuditshme “Helena”. Po i citoj konkretisht vargjet e një dialogu:
ΕΛΕΝΗ – Oύχ ήλφον ές γήν Tρώάδ’, άλλ’ είδωλον ήν…
AΓΓΕΛΟΣ – Tί φής ;
Nεφέλης άς’ άλλως είχομεν πόνους πέρι ;
Po i përkthej në shqip :
Helena: – Unë kurrë nuk kam qenë në Trojë
ajo që dukej si unë qe vetëm një fantazmë.
Lajmëtari: – Ç’thua?
Mundimet tona për një hije paskan qenë?
– Me pak fjalë është thënë gjithçka Makabe.
– Pothuaj gjithçka. Euripidi i lindur në shekullin V para Krishtit në ishullin e Selaminës është i treti i tragjedianëve të mëdhenj pas Eskilit dhe Sofokliut. Por edhe më kriticisti dhe më ironiku. Thuhet se Euripidi ka qenë i pari që ka patur një bibliotekë të madhe private. Me subjektin e Helenës është përmbysës i subjektit. Vepron si një tjetërsues modern. Kujto vizatimet me motive mitologjike të Pikasosë. Euripidi e riskicon figurën e Helenës si Pikasoja. Dhe kur? 25 shekuj më parë. E pabesueshme. Helena, që e këndoi Homeri, krijoi një rutinë të pavdekshme. Mbushamendëse. Tragjike. Helena, më e bukura e të gjithë femrave të botës, u rrëmbye nga princi Parid. Kështu nisi Lufta e Trojës. Agamemnoni, vëllai i Menelaut, mbret i Spartës dhe burri i parë i Helenës e sublimoi pretekstin. U nis me flotën e anijeve të akejve për të shkatërruar Trojën. Gjëma u thur me emrin e Helenës. Çdo gjë qe një tmerr i pabesueshëm. Helena dhe seksi. Bukuria dhe Vdekja. Euripidi më i përkorë dhe skeptik e karikaturizoi subjektin e Helenës. Helena e tij s’ka nevojë për asnjë Guernikë të hiperbolizuar. Ai shkruan ndryshe, një subjekt të dytë duke e quajtur të rremë dhe pa asnjë kuptim subjektin e parë. Helena, sipas Euripidit, kishte ikur fshehtazi në Egjipt. Por në Trojë ndërkaq kishte mbetur hija e saj, sozia. Krejt e ngjashme, elegante, joshëse, jo e vërteta. Paridi bënte dashuri me të në shtratin e artë, por nuk kuptonte asgjë. Ajo shfaqej tunduese dhe provokuese mbi bedenat e Trojës dhe akejtë e shikonin, ulërinin dhe e shanin. Ajo mbyllte sytë dhe mallkonte. Deliri i betejës i kishte çmendur të gjithë, edhe akejtë edhe trojanët. As Agamemnoni s’dyshonte, as Menelau, burri i brirosur, as Akili, madje as Odiseu dinak. Ata luftonin për fantazmën që vetë Troja të bëhej fantazmë. Trojanët mbronin fantazmën, për t’u kthyer përfundimisht në fantazma. Katrahura e perceptimit qe e pafundme dhe absurde. Qe një realitet virtual i papërsëritshëm. As zotat e Olimpit nuk e dinin dhe nuk e kuptonin këtë gjë. Kjo vërteton se vetëdija hyjnore nuk është aq e pagabueshme sa është mitizuar. Gabimi dhe pështjellimi qenë të dyfishtë edhe për vdekatarët edhe për zotat.
– Gati një situatë kafkiane, Makabe, apo jo?
– Më saktë parakafkiane, ftillëzuese e absurdit që u artikulua shekuj më vonë si modernizëm.
– Euripidi jep një jetë alternative të Helenës. I vetëm përballë traditës së historizuar. Pse e bëri këtë sfidë? Pse qe kaq i skajshëm dhe i pakënaqur?
– Për të treguar se historia që përcillet është një kujtesë e manipuluar. Se historia duhet parë me dyshim dhe shpesh nga një optikë e kundërt.
– Kjo hap hulli të reja të analizës mendore.
– Natyrisht. Dyshimi s’shmanget dot.
– Dhe Euripidi e bën këtë gjë edhe se ndoshta ka qenë i bindur që s’do ta besojnë. Por s’ka çarë kokën. Në fund të fundit ai ka patur për qëllim të tregojë se Lufta e Trojës ka qenë një krim i lemeritshëm shumë më tepër se sa një epos homerik. Krimi i pushtimit të pabesë. Krimi i masakrës totale. Një skenar arketipal i luftërave botërore. Ky është mankthi i tejzgjatur i njerëzimit. Një makth që vazhdon edhe sot. Hitlerianët e patën Helenën e tyre, të quajtur Lili Marlen. Luftërat që bëhen në Lindjen e Mesme janë më kriptologjike dhe të koduara: nafta është metafora e Helenës.
– Ah, me sa duket është pikërisht kështu. Pamjet televizive janë fantazma, njëlloj si ajo që tregon Euripidi i lashtë.
– Po ç’dimë në të vërtetë për Helenën, Makabe?
– Pyetja është intriguese. Nëse do të kërkonit te Google “Helena e Trojës” do të gjendeni menjëherë përpara një mori informacioni mbi tharëse të flokëve dhe bigudinave me nxehje. Helena e Trojës, ose këtu më saktë Helena e El Pasos, Teksas, është vetëquajtur “lidere e industrisë së produkteve për kujdesin personal duke arritur rezultate profesionale, nga lëkura e butë deri te kaçurrelat. Kjo duket tërësisht e vërtetë. Pasqyra të gjetura afër Spartës shpesh përshkruajnë imazhe të Helenës. Gratë mendonin se duke u parë në to, këto pasqyra mund të hidhnin mbi to disa nga hiret e Helenës. Që nga shekujt kur historia e Helenës u tregua për herë të parë çdo moshë është përpjekur ta paraqesë veten me pasqyrimin e imazhit të saj. Teologët e shekullit të 12 kanë qenë kundër mëkatit të saj (në dukje shumë të keq) të qenët shumë e dhënë pas seksit; thuhet se zonja Pompadur ka pirë shampanjë me kupa në formën e gjoksit të saj. Imazhi i Helenës ka qëndruar për shumë kohë në imagjinatën e njerëzve sepse ajo është mishërimi i seksit. Ashtu si seksi ajo ka shtyrë çdo emocion nga ekstaza në neveritje, shpesh të gjitha sëbashku. Libri i Betany Hjuxhis është pjesërisht një përmbledhje e shumë përpjekjeve për më se 28 shekujsh për të përcaktuar karakterin e paqartë të Helenës. Por interesi i vërtetë i autores është përcaktimi i vendit të Helenës si një figurë historike e fundit të Periudhës së Bronzit, përshkrimi se si do të ketë qenë jeta për një princeshë të asaj kohe nga Mikena, vitet e saj në Spartë dhe udhëtimi për në Trojë. Duke besuar se një grua e vërtetë është pikënisja e modeleve të mëvonshme, dhe madje duke shpresuar se një trup mund të gjendet Hjuxhis viziton vendet që një Helenë e vërtetë do t’i ketë vizituar, kontrollon dëshmitë që vërtetojnë, dhe bën të pamundurën për të risjellë mënyrat e adhurimit dhe artin e tregimit. Më në fund nuk jemi shumë më afër nga ç’ishim në fillim me një Helenë njerëzore megjithëse me më shumë njohuri mbi ritet Mikeniane dhe imazhet e mëvonshme të Helenës si perëndeshë apo e përdalë, simbol i shterpësisë apo shkatërrimtare. Dhe kjo është gjithashtu tërësisht e vërtetë sepse ironia e madhe e Helenës së Trojës qëndron në faktin se ajo nuk njihet me fytyrë. Imazhe bashkëkohore nuk ka. Fytyra e saj mund të jetë bërë shkak për nisjen e mijëra anijeve, megjithëse Hjuxhis thekson se nuk mund të kenë qenë aq shumë përndryshe qytetërimi Mikenian do të kishte marrë fund, por e vërteta është se ne nuk kemi idenë më të vogël si ishte ajo. Kjo gjë ka paraqitur një problem të veçantë dhe për kohën tonë. Ajo është një vizion personal i bukurisë ideale në pikturë, krejt tjetër për Volfgang Petersen që na prezanton me të shkretën Diane Kruger dhe pret që ta marrim seriozisht Trojën e tij Hollivudiane. Siç e bën të qartë Hjuxhis, Helena lindi në një kohë përpara se e mira dhe e keqja të kuptoheshin si dy gjëra të veçanta dhe të kundërta. Njerëzit e parë që tregonin historinë e saj nuk do ta shihnin atë si mishëruese të kontradiktave dhe nuk do të shqetësoheshin nga qenia e saj gjysmë-perëndi e gjysmë njeri të ngjizur nga një mjellmë dhe të lindur nga një vezë. Por katër shekuj më vonë kur Homeri e bëri atë heroinën e veprës së parë madhore të letërsisë Perëndimore, pushteti i saj i jashtëzakonshëm femëror duhet t’i shpjegohej një bote që i kish degdisur gatë në një padukshmëri virtuale. Pasi janë dhënë gjithë versionet e historisë e së saj dhe janë bërë të gjitha përpjekjet për ta përfytyruar atë është e thjeshtë të shohësh se Helena është kaq e parezistueshme sepse është e pakapshme e fshehtë. Është e vështirë të gjesh një grua të gjallë që merr frymë, fytyra e së cilës të tregohet e drejtë me atë në vargjet e përkryera të Marlou-t. Megjithëse Elizabet Teilor përkrah Ricard Burton gjatë xhirimeve të Dr. Faustit të Marlo-t në shtëpinë e produksionit të Oksfordit në 1966, në një çastin që marrëdhënia e tyre po zbehej ishte shumë mbresëlënëse. Skenarizimi i Xhon Bartonit në 1974 iu besua një marionete me një paruke bionde ndërsa në produksionin e David Lanit të vitit 2002 në këtë rol nuk ishte askush ndoshta duke besuar se do ishte e pazgjuar që dikush të konkurronte me Faustin e bukur të ligjit të judës. Helena ka më shumë sukses në poezi sesa në film dhe nga Homeri e Safo deri te Spenser e Yeats te Karol An Dafi poetët janë tërhequr nga historia e saj botëshkatërruese. Helena na kujton se sa shkatërrimtar dhe rrënues mund të jetë seksi kur ti bie në dashuri me njeriun e gabuar. Dhe meqë qeniet njerëzore kanë zakonin e pandreqshëm të bëjnë pikërisht këtë për 3 mijëvjeçarë rresht ata e kanë evetësuar atë për qëllimet e tyre. Heretikët e parë kristianë, Gnostikët, të cilët rreth vitit 35 para Krishtit dolën në mbrojtje të dashurisë dhe marrëdhënieve seksuale kishin si një nga statuja e tyre një ish prostitutë e cila besohej të ishte mishërimi i Helenës së Trojës. Një Manual Bizantin seksi u nxor në shitje me premtimin se ishte shkruar nga një prej shërbëtorëve të Helenës. Piktura e Mikelanxhelos ku paraqitet përdhunimi i Ledës nga Zeusi iu dhurua Galerisë Kombëtare në 1838 por duhet të varej në zyrën e drejtorit sepse ishte shumë imorale për t’u ekspozuar publikisht. Rreth një shekull më parë zotërinjtë mbanin ora xhepi që kur hapeshin tregonin përleshjen e Ledës me kafshërinë dhe dhunën. Në një nga përshkrimet e shumta të udhëtimeve të saj në kërkim të Helenës Hjuxhis kujton vizitën e saj në Luvër me një listë referencash dhe duke harxhuar gjithë mbasditen, duke parë 30 mënyra të përdhunimit të një gruaje. Helena vuajti fatin e së ëmës dhe u përdhunua nga Theseusi dhe pastaj sipas këndvështrimit tuaj edhe nga Parisi. Virgjëreshë e përdhunuar, nënë me fëmijë, shkelës kurore, nënë që braktis fëmijën, zonjushë fitimtare, grua e kënaqur, viktimë, perëndeshë – çfarëdo që një grua mund të jetë, gjen vend tek Helena e Trojës. Ajo sfidon biografinë sepse ajo është shumë gjëra në shumë njerëz. Por ajo që ka bërë Hjuxhis shumë fuqishëm është të shpjegojë pse ajo i ka rezistuar historisë kur shumë gra të tjera nuk kanë mundur. Ajo përmirëson shkëlqyeshëm Helenën nga të qenit viktimë për shekuj dhe nga pasiviteti i stilit të Diane Krugerit. Helena e saj do të ishte bashkëpunëtore në fatin e saj, protagoniste dinamike, një grua me pushtetin për t’iu kushtuar mbretërisë dhe dëshirën për ta përdorur atë. Ky libër e vendos Helenën e Trojës në qendër të një bote në të cilën siç shpjegon Betany Hjuxhis, fuqia kryesore ka qenë femra.
– S’e kam lexuar librin e Betany Hjuxhins-it.
– Nuk humbet ndonjë gjë të madhe edhe nëse nuk e lexon. Një koleksion detajesh si bizhuteri ekzotike për emrin e Helenës. Vështrimi i Euripidit lidhet me thelbin. Është më ngulmues pra edhe më zbulues.
– S’dihet pse bashkëkohësit e kanë urryer Euripidin. E kanë urryer shumë. Legjenda thotë se Euripidi pati një vdekje makabre: e shqyen qentë në oborrin e Arkilaut, mbretit maqedonas s’përmendet asnjë shkrimtar të ketë vdekur në këtë mënyrë Makabe.
– Përveç shqiptarit Pjetër Bogdani. Ai qe dijetar i madh. Udhëhoqi kryengritjen e shqiptarëve kundër turqve në shekullin XVII. Vdiq nga mortaja gjatë betejës. E varrosën me veshjen peshkopale në një kishë të Prizrenit. Turqit i thyen shqiptarët. E dogjën kishën. Hapën varrin dhe kufomën ua hodhën qenve. Mendo se si e shqyen trupin e Pjetër Bogdanit qentë. Mendo pastaj se si qentë e infektuar nga mortaja kafshuan edhe vetë turqit. Vdekja dhe përdhunimi i Pjetër Bogdanit u shumëfishuan si shpagim. Nga një vdekje e vetme turqit pësuan mijëra vdekje. Këtë herë pa shpata, pa armë. Bacili i mortajës solli katastrofën e ankthshme
– Imazhi është vërtet tronditës. Qentë që hëngrën Euripidin mbase qenë nëpër kohëra edhe qentë që copëtuan Pjetër Bogdanin.
– Komediografi Aristofan, një shekull më pas është kriticist ndaj Euripidit. Aristofani e shkroi veprën e tij “Bretkocat” mbas vdekjes së Euripidit. Në të bëhet gara, debati midis Eskilit dhe Euripidit. Në raport me Eskilin Aristofani kritikon Euripidin.
– Punë e madhe. E ç’rëndësi ka kjo?
– Aristofani tek komedia fantastike “Zogjtë”, flet për dy athinas që themelojnë midis qiellit dhe tokës perandorinë e zogjve, qytetin fluturues Kukumaglajn-in, për të mbisunduar njerëzit dhe zotat. Fantazia është e guximshme.
– Si ishulli Laputa i Guliverit të Swiftit. Apo si Civitas Dei, Qyteti i Zotit i Shën Agustinit. Burimi kryesor i komikes është në kontrastin e përhershëm midis qytetit të vërtetë të ëndërrave me iluzionin skenik, që pëson shkatërrim të përhershëm. Në këtë kuptim Aristofani është më afër Euripidit se sa Eskilit.
– Po hajde ta kuptosh këtë gjë.
– S’është e vështirë. As e pamundur.
– Sidoqoftë Euripidi e krijoi Helenën ndryshe.
– Tek pjesa e dytë e “Faustit” Gëtja shpik diçka më shumë. Fausti martohet me fantazmën e Helenës në Had e prej tyre lindi Euforbi. Studiuesit mendojnë se Euforbi është një alegori për Bajronin.
– E habitshme!
– Po. E habitshme!
– Ka një fakt që lidhet me Gjergj Kastriot Skënderbeun. Vula e tij sekrete e letrave të kancelarisë qe një unazë me një gemë antike ku ishte skalitur një skenë që paraqet Ledën dhe Zeusin në formë mjellme. Nga akti i dashurisë së pazakontë Leda lindi dy vezë të mëdha. Nga një vezë dolën dy binjake: Helena dhe Klitemnestra dhe nga veza tjetër dy binjakë : Kastori dhe Poluksi, që u njohën edhe si vëllezërit Dioskurë.
– Po pse Skënderbeu e kishte zgjedhur këtë gemë me këtë motiv mitologjik ?
– S’e dimë. Pse e zgjodhi si vulën e tij sekrete ? A ka ndonjë kumt të fshehtë ?
– S’ka mundësi që të ketë qenë krejt e rastësishme.
– Ashtu mendoj, s’ka mundësi të ketë qenë një zgjedhje në tym. Por askush nuk e shpjegon dot. Skënderbeu e quan veten epirot, në një letër të tij i quan shqiptarët si trashëgimtarë të gjakut të Pirros së Epirit. Ka mundësi që simbolika e gemës lidhet me Epirin. A mos ka qenë kjo gemë një relike e trashëguar në shekuj nga të parët e tij? Ndoshta.
– Në shkëmbejtë e gjirit të Gramatës në Karaburun janë gjetur mbishkrime të lashta kushtimore për Dioskurët si mbrojtës të detarëve. Kulti i Dioskurëve është nderuar shumë gjatë në brigjet tona.
– Le të kthehemi tek figura e Helenës. Motra e saj me bukuri magjike të ngjashme qe martuar me mbretin Agamemnon. Është pikërisht Agamemnoni që drejtoi agresionin në Trojë duke shfrytëzuar alibinë e Helenës. Ai nuk u ndal përpara asgjëje. Sakrifikoi edhe Vajzën, Efigjeninë, për hyjneshën Artemisa. U kthye fitimtar nga Troja. Po Klitemnestra e vrau me sopatë në banjo. Truri i tij mes gjakut u derdh në ujë. Truri qe konceptoi krimin, u shpërbë nga krimi. Truri që bëri gërmadhat e Trojës u shkërmoq si gërmadhë. Cikël i mbyllur. Ah !
– Me një farë mënyre Klitemnestra u hakmor edhe për binjaken e saj, Helenën. Përsëri dalim tek Helena. Fantazma e Helenës qe në fakt Klitemnestra.
***
Dhjetë ditë më vonë m’u kujtua dialogu me Makabe Zaharian. Dialogu për Helenën. Ky motiv e ka në vetvete premisën e shqetësimit, por pastaj ngjan sikur harrohet nën trysninë e ngjarjeve rutinë të përditshmërisë. A është me vlerë ta përmendim Helenën? Skenaristët dhe regjisorët kanë bërë filma për të. Figura e Helenës mes flakëve të Trojës është si në një mjedis të Ferrit, një lloj Sirene e Hadit që thërret me këngën e saj gabimet e Historisë që përbëjnë në tërësi substancën e Historisë. Ç’mësojmë nga Helena? Ç’aktualizojmë në konceptet tona me këtë shëmbëlltyrë? Pse Bukuria grish Tragjiken? A është Historia njëkohësisht dhe Antihistor?. Pyetjet më shungullonin në kokë.
U ula dhe e shkrova një sinops. Klitemnestra e lajmëroi Helenën që jetonte në brigjet e lumit Curota në Spartë se do të martohej dhe e ftonte të merrte pjesë në ceremoninë e dasmës së saj me Agamemnonin. Helena vendosi të shkonte. E hipur në anijen me tri radhë rremash mbriti në Mikenë. U habit nga madhështia e pallatit të Knosit zbukuruar me afreske me ngjyrë të kaltër dhe të artë. Aty e takoi mbretin epshor, Agamemnonin. Ra në dashuri menjëherë me të. S’e përmbajti veten. Dy net para dasmës të së motrës Helena flirtoi me Agamemnonin. Akti seksual qe i pazakontë dhe i fshehtë. Duhej të martohesha me ty, jo me motrën tënde, i tha Agamemnoni. U betuan se do ta ruanin këtë lidhje larg syve të botës. Një vit më pas Agamemnoni dhe Klitemnestra marin pjesë në dasmën e Helenës me mbretin Menelau në Spartë. Buzë lumit Curota qe një shpellë kushtuar kultit të hyut Pan. Aty fshehurazi Helena dhe Agamemnoni bënë seks përsëri. Shpella gjëmoi nga klithmat e epshit. Aty biseduan për një projekt të habitshëm dhe tejet ambicioz. Agamemnoni donte të pushtonte Trojën, që e sfidonte Mikenën në Lindje. Kështu do të bëhej mbreti i Perëndimit dhe Lindjes. Helena duhej të bashkëpunonte. Pas suksesit Agamemnoni do ta vriste Klitemnestrën por edhe Menelaun leshko, do të martohej me Helenën. Të dy do të sundonin botën. Ky qe projekti. Misteriozisht i përsosur, pa skrupull, pa vrasje ndërgjegjeje, por vizionar. Por Klitemnestra ndonëse nuk dinte gjë, nuhati diçka. Helena e joshi Paridin e Trojës.
Dhjetë vjet zgjati rrethimi i Trojës. Kohë e gjatë për të reflektuar, për të analizuar katrahurën e Luftës Botërore të Mikenës me Trojën. Klitemnestra arriti ta zbulonte të vërtetën. Ndaj e vrau Agamemnonin.
Sinopsi im qe një variant i tretë, ndryshe nga ai i Homerit, apo edhe ai i Euripidit. Por mund të ketë edhe një variant të katërt, ose edhe më shumë.
Shtrohet pyetja: pse varianti i Homerit ka mbijetuar më spikatshëm? Arti poetik ka fuqi ta manipulojë me pafajësi dhe me strukturë estetike historinë. Ah, Historia nën kurthin e së Bukurës! Ah, Helena e Trojës si spektakël! Helena e Trojës si rutinë, klishe e përjetshme! Kush e njeh saktësisht Helenën reale? Helena si problematikë ekzistenciale? Helena si njeri dhe si mit? Helenën si Mona Liza? Apo si Ana Karenina ? Ah, Skënderbeu me gemën antike ! Dioskurët fluturues mbi ujërat detare. Zeusi u shndrua në mjellmë për të dashuruar Ledën. Forma prej mjellme është kali i drunjtë dhe Leda është kështu Troja. Mbas rënies së Trojës princi Ene i mblodhi trojanët e shpëtuar dhe i drejtoi në Perëndim. Virgjili e këndoi sagën e Eneut. Eneu erdhi në tokën e shqiptarëve dhe ndërtoi Trojën e Dytë, dmth Butrintin. Pastaj në Itali Romën. Miti i paraprin historisë. Emri i Helenës ndryshon kuptimin.
Helena quhej edhe nëna e dashur e perandorit ilir të Bizantit, Konstandinit të Madh. Si e krishterë e devotshme ajo e pati një vizion. Shkoi në Jerusalem, ndërmori një gërmim arkeologjik: gjeti në Golgota kryqin, ku u kryqëzua Jezu Krishti. Druri i këtij kryqi nuk qe druri i kalit të Trojës. Gjithsesi druri i kryqit qe një lloj metamorfoze mitike. Ky kryq pushtoi dhe pllenoi botën. Onufri i madh e ka pikturuar ikonën e jashtëzakonshme të Helenës dhe të Konstandinit.
Fytyra e shenjtërores është e bukur
Shikojeni me kujdes!
Mos vallë në fytyrën e saj të patjetërsueshme janë në brendësi edhe tiparet e Helenës së Trojës?
Apo ndoshta fantazma e të gjithë fantazmave të saj? (Tiranë, 2003)
