Pero Pejiç është bërë ndëshkuesi i Laçit, me golin e tretë në portën laçiane brenda pak ditëve. Pas dy golave në barazimin 2-2 në kampionat, dje sulmuesi kroat shënoi golin e vetëm të takimit të parë çerekfinale për Kupën e Shqipërisë, duke i dhënë fitoren 1-0 Skënderbeut. Me këtë rezultat, kampionët e vendit kanë hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinales, edhe pse është për t’u luajtur ndeshja e kthimit, në Korçë. Duke përjashtuar surprizat, duket se Laçi nuk do të jetë në gjendje të mbrojë trofeun që e fitoi vjet për herë të parë në histori, duke mundur Bylisin në finale. Edhe dje, Pejiç shënoi në fundin e takimit, ndonëse jo në ekstrem si në ndeshjen e së dielës. Vendasit luajtën fort dhe krijuan raste për të shënuar, por shtatë minuta para fundit panë të tundej porta e tyre. Goli i Pejiçit nuk ishte një episod i veçuar nga loja, sepse edhe më parë korçarët kishin rrezikuar, ndonëse preferuan lojën e kujdesshme në gjysmëfushën e tyre. Secila prej skuadrave goditi nga një herë shtyllën, ndërkohë që bardhezinjtë besuan te barazimi edhe kur kishte mbetur fare pak kohë. Nuk ia arritën për shkak të pritjeve të portierit Orges Shehi, edhe dje vendimtar në rezultatin e skuadrës së Mirel Josës.
E djeshmja ishte dita e skuadrave udhëtuese, pasi edhe Kukësi e Teuta dolën me fitoren nga transfertat në Ballsh e Lushnjë. Sulejman Starova e drejtoi me sukses Kukësin pas largimit të Naxhi Shensojit, duke fituar pikërisht me Bylisin, skuadra që në kampionat mori barazimin në Kukës në fundjavë. Meto shënoi i pari për Bylisin, por kuksianët u përgjigjën dy herë me Cikalleshin, i cili fiksoi fitoren 2-1 dhe Kukësi është fare pranë kalimit për të dytin vit radhazi në gjysmëfinale, pas asaj të vjetshme kur u eliminua nga Laçi. Midis katër gjysmëfinalisteve mund të konsiderohet edhe Teuta, që gjithashtu e pa veten në disavantazh. Çanka shënoi për Lushnjën, por kundërpërgjigjja e durrsakëve ishte me tre gola, dy nga Cyrbja e një nga Osmani. Çanka shënoi edhe një herë për vendasit, por në shtesë ishte Da Silva që vendosi rezultatin përfundimtar 4-2 që nuk i lë asnjë shans për kualifikim Lushnjës që mendon më tepër për mbijetesën në kampionat.
Kupa e Shqipërisë
Çerekfinalet
LAÇI–SKËNDERBEU 0-1
Pejiç 84′
LUSHNJA–TEUTA 2-4
Çanka 44′, 85’ / Cyrbja 47′, 84′, Osmani 60′, Da Silva 93′
BYLIS–KUKËSI 1-2
Meto 46′ / Cikalleshi 48′, 84′
VLLAZNIA–FLAMURTARI 0-0
Ndeshjet e kthimit më 26 shkurt
