Homazhet janë zhvilluar në Institutin e të Përndjekurve nga ora 11.00 deri në orën 13.00 e më pas trupi i pajetë i Lirak Bejkos është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Të afërm, miq, ish të përndjekur politik, dhe politikanë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Lirak Bejkos.
Ndërkohë, homazhe ka zhvilluar edhe kreu i PS-së Edi Rama i shoqëruar edhe nga deputeti Pandeli Majko.
Pas zhvillimit të homazheve, kreu i PS-së është shprehur në rrjetin social “Twitter” se vdekja e Lirak Bejkos duhet të shërbejë si një reflektim dinjitoz.
“Lamtumira për Lirakun mes njerëzish të vrarë 22 vjet në çdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan veç një ferr të ri zhgënjimesh. E pashlyeshme pamja ëngjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve. E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti! U prehtë në paqen që se gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz” shkruan Rama.
Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar edhe përfaqësues të aleancës Kuqezi. Ata kanë akuzuar qeverinë për vdekjen e tij ndërsa i kanë bërë thirrje qytetarëve që ta ndëshkojnë me votë kryeministrin Berisha.
“Kemi humbur një njeri të mrekullueshëm. Sot Shqipëria ka një pishtar të demokracisë më pak. Lirak Bejko është pishtar që nuk do të shuhet në zemrat e shqiptarëve. Në 100 vite pavarësi nuk ishte njohur një vdekje e tillë. Ne shpresojmë të ketë mbetur pak ndërgjegje për të reaguar. 22 vite më parë, njerëzit vriteshin burgjeve, sot vriten në mes të ditës. Lirak Bejko dhe shokët e tij ishin desidentë të një regjimi politik që ende nuk është rrëzuar. Ka ardhur koha që Berisha të marrë përgjigjen e merituar dhe atë duhet t’ia japë populli” kanë theksuar përfaqësuesit e AK-së