Pas historisë së dyshuar të inçestit në Lezhë, ku një adoleshente u flijua për shkak të ngjarjes që mori dhenë dhe hetimeve të policisë, teksa babai i saj u arrestua, një tjetër akt kriminal është shënuar në Cërrik.
Por për fat të mirë, ka mbetur thjesht një tentativë, pasi u denoncua në kohë. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Sajmir Omeri, i cili u arrestua ditën e djeshme nga policia vendore me dy akuza, dhunë në familje dhe tentativë përdhunimi të personave të afërm.
Burime të policisë sqaruan se denoncimin e kanë bërë vetë prindërit e adoleshentit, të cilët e akuzuan se jo vetëm i dhunon herë pas here dhe i kërcënon me jetë, por në një rast ka tentuar të abuzojë seksualisht me motrën e tij të mitur, vetëm 13-vjeçare.
Mbrëmjen e së mërkurës familja Omeri depozitoi denoncimin në komisariat. Një patrullë policie i vuri prangat 19-vjeçarit dhe e izoloi në paraburgim.
Paraprakisht është pyetur edhe e mitura në prezencë të një psikologu, e cila ka pranuar se vëllai e kishte ngacmuar dhe madje e keqtrajtonte.
Për këtë ngjarje po hetojnë edhe specialistët kundër krimeve në drejtorinë e Elbasanit, pasi është cilësuar e rëndë. Mësohet se fillimisht familjarët nuk kanë reaguar, pasi incidenti ka ndodhur në muajin qershor të këtij viti, kur 13-vjeçarja kishte akuzuar vëllanë për tentativë përdhunimi dhe keqtrajtim.
Por muajt më vonë, Omeri është bërë edhe më agresiv, duke mos kursyer edhe prindërit e tij.
Në precedentin e fundit të dhunës psikologjike dhe fizike, i ndodhur të mërkurën, ata nuk kanë duruar më dhe e kallëzuan për dy vepra penale, përfshi edhe atë më të rëndën të tentativës së abuzimit seksual me motrën.
Policia konfirmoi se Omeri do hetohet edhe për tentativën e inçestit, megjithëse ngjarja është e vjetër në kohë.
Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët, 19-vjeçari ka mohuar akuzën e abuzimit seksual, duke thënë se ishte sajesë e familjarëve që ai të mos dalë nga burgu dhe të mos kthehet në shtëpi.
Por adoleshenti ka pranuar se është treguar i dhunshëm me ta, por nuk kishte tentuar kurrë abuzimin seksual me motrën e mitur.
