Kukësi merr pjesë çdo vit në Kupat e Europës, madje në disa sezone ka pasur suksese, duke kaluar disa ture dhe rekordin e ka vendosur në sezonin 2012-2013 ku verilindorët shkuan deri në fazën e katërt në fazën eliminatore.
Ka qenë UEFA që i ka nisur të paktën në dy raste Kukësit shkresa për stadiumin ku më e përfolura ka qenë ajo e 26 majit 2014, ku klubit iu kërkua përmbushja e kritereve europiane të impiantit. Nëse Kukësi dëshiron që ndeshjet e Ligës së Europës t’i zhvillojë në “Zeqir Ymeri”, fillimisht i duhet të plotësojë disa kushte.
Nisur nga kontrollet që ishin bërë në vitin 2013, inspektorët e institucionit europian të futbollit, kërkesë kryesore për impiantin e qytetit kanë pasur përmirësimin e fushës. Fakti që fusha është me tapet artificial, si dhe përmasat nuk plotësojnë parametrat e kërkuara për luajtjen e ndeshjeve të këtij kompeticioni të rëndësishëm, për këtë arsye ajo nuk mund të certifikohej.

Aktualisht, përmasat e fushës janë 100 me 64, që është në kufijtë minimalë, por dhe hapësira mes kuadratit të fushës dhe mureve rrethuese është shumë e vogël, gjë që bëhet pengesë për standardet europiane.
Certifikimi i tapetit dhe përmasat e fushës janë kriteret kryesore, por në raport në atë kohë kërkohej edhe krijimi i kushteve sa më të mira për median, dhomën antidoping, si dhe rritjen e kushteve të sigurisë për spektatorët, por edhe të ekipeve. Në klubin e Kukësit gjithmonë ka ekzistuar dëshira e madhe që në çdo sezon ndeshjet për Ligën e Europës të zhvillohen në stadiumin e qytetit.

Por, që kjo të realizohet, duhet të ndërhyhet sa më shpejt e të krijohen kushtet për t’u zhvilluar këto takime. Por, në këtë tapet, për momentin, me vështirësi realizohen ndeshjet e Kategorisë Superiore dhe jo më ato europiane. Dhe, në një situatë të tillë, drejtuesit kanë zgjedhur stadiumin “Elbasan Arena”, për ndeshjet ndërkombëtare.
