Nga Faik Konica
Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.
Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çngarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.
Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtme të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vëntë ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.
*Botuar më 1911
l.h/ dita

Me duket se ky fjalim i Faik Konices ka shkuar kot. 14 Marsi allafrenga eshte 1 Marsi allaturka. Pra 1 marsi presupozon diten e pare te pranveres ; mars prill maj. Tani zbertheni allafrenga dhe allaturka; allafrenga do te thote sipas fese se krishtere dhe allaturka do te thote sipas fese myslymane. Pra i bie qe dita e veres ne Shqiperi festohet si e festojne gjithe myslymanet apo turqit, pra ka marre kuptim fetar tani dhe per mua eshte gabim. Dita e veres duhet te ishte shkencerisht 22 Marsi, EKUINOSI PRANVEROR. Dhe keshtu njerezit do te ishin perkatesisht te barabarte para kesaj feste dhe pa interpretime fetare. Edhe Faik KOnica e interpreton gabim.
RITE DIBRANE TË DITËS SË VERËS
Dhe si e gjeta një rit midis arvanitë
ve në ishullin e Salaminës në Greqi
– DITA e VERËS është një festë mbarëkombëtare, ditë që festohet nga të gjithë shqiptarët: në Shqipëri, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni.
– Një ditë atë e gjeta, ashtu siç e pata përjetuar në fëmijëri, në një ishull të Greqisë, midis arvanitasve të Salaminës…
Dita e Verës… 14 Marsi…Sa herë dëgjoj këtë emër kujtesa kthehet një gjysmë shekulli pas, në ditët e mija të fëmijërisë, në ato ditë që nuk kthehen më. Dita e Verës ishte një ditë e gëzuar për të gjithë, por në veçanti ajo ishte një ditë e madhërishme për fëmijët…
Dita e Verës si dhe shume Ditë të tjera të shënuar në kalendarin vjetor si Nevruzi, Shëngjergji, Shënkolli, Shën Mëria, Shën Mitri e të tjera ishin pika referimi në kalendarin popullor. Fejesat, dasmat, lindjet, vdekjet, të mirat dhe të këqijat, gëzimet dhe fatkeqësitë ishin masë e kalendarit popullor. Nëna ime e mirë, sa herë kur unë festoja ditëlindjen time, që sipas letërnjoftimit ishte më 11 maj, më thoshte se ti nuk ke lindur pesë ditë pas Shëngjergjit (6 maj) por pesë ditë para Ditës së Verës (9 mars). Dhe asnjëherë nuk mungonte të përshkruante, me gëzimin e nënës se si komshinjtë vinin e të mbulonin me lulet e sapoçelura të thanës duke uruar që të bëhesh i fortë si thana, të rrethonin me vezë të kuqe që të rritesh i shëndetshëm, “ I bardhë e i kuq si veza…”
Që në vogëli, por edhe tani që kam hyrë në dhëmbët e pleqërisë, asnjëherë nuk më janë shqitur nga qenia ime këngët dhe ritet e Ditës së Verës, bukuria që përcillnin mëngjeset paraditverore.
Të bukura, kaq të bukura sa nuk harrohen kurrë, ishin ditët, apo më mirë të them javët e paraditverës…
Ngriheshim herët në mëngjes, pa zbardhur dita. Vishnim shpejt e shpejt ndonjë rrobë të trashë të leshtë që të përballonim të ftohtin e mëngjesit që në Dibër në fund të shkurtit e fillim të marsit thuajse kurdoherë ishte me dëborë e me akull dhe dilnim “Tek Thana”. Kjo bimë frutore çel e para midis të gjitha pemëve në anët tona. Sythat e saj fryhen e plasin edhe midis të ftohtit e ngricës. Druri i saj konsiderohet si druri më i fortë midis drufrutorëve që natyra mban në gjirin e saj të virgjër. Ndoshta kjo është arsyeja që të parët tanë paganë kanë zgjedhur për t’iu falur thanës, për tu fërkuar pas saj që “ të bëhemi të fortë si thana”. Edhe këngët që këndonim me zë të lartë që të dëgjojnë komshinjtë ishin këngë që të ftonin për shëndet. Ja njëra prej tyre ashtu siç ka mbetur e pashkulshme në kujtesën time..
I fortë si thana,
I lartë si plepi
I lehtë si lajtheja
I bardhë e i kuq si veja…
Ëndrra dhe dëshira e fëmijëve në ato kohë ishte të ishin trup fortë si thana, të ishin truplartë si plepat kavakë që lartoheshin rreth shtëpive, të ishin truplehtë si lajthia dhe të ishin të bardhë e të kuq si veza. Për këtë i luteshin Ditës së Verës.
Ngritja herët ishte një garë e përditshme fëminore. Ai që ngrihesh i pari kishte privilegjin të tallte e përqeshte bashkëmoshatarët e vet t’u linte atyre “morrat e pleshtat”, t’u këndonte me qesëndi :
Fli or Gëzim fli ,
Të ka marrë nana n’gji,
Sa qenke rrit
Qenke ba si shyt…
Ftesa për të dalë “ke thana”, ishte domethënëse, qesëndia për ata që flinin gjumë ishte po ashtu domethënëse. Dita e Verës shënonte fundin e punëve të mbyllura dimërore dhe fillimin e punëve të hapura, të mëdha të Verës. Ndaj secili tash duhet të ngrihet herët dhe tu përvishet punëve .
Nata e Verës ishte Nata e Luleve. Në mesditë, djem e vajza shkonin në zabel dhe mblidhnin lule, bënin me to kurora dhe, duke kënduar e hedhë valle, vinin e i ngjisnin mbi portat e shtëpive . Në mbrëmje mblidheshin tek mullinjtë dhe pasi hidhnin në ujin që shkumëzonte tek dilte nga elika e mullirit lule, mbushnin ibrikët me ujë dhe me të spërkatnin shtëpitë…
Në mbrëmje, kur binte errësira organizohej ndezja e zjarreve. Pranë çdo shtëpie fëmijët, në një garë të pashpallur, me ditë të tëra punonin kush e kush të bënte mullarin më të madh, të ndizte zjarrin më të madh. Rreth zjarreve përsëri këndoheshin këngë, thyheshin vezë e në fund organizohej kapërcimi i flakëve në shuarje.
Në sofrën e Natës së Verës zakoni e donte që të vihej gjeli më i madh i tufës së shpendëve të shtëpisë…
Dita e Verës, 14 marsi, shpaloste të tjera bukuri, të tjera rite. E ndërsa nënat dhe gjyshet gatuanin “Petën e Ditëverës”, e mbushur me gjërat më të shijshme të kohës, fëmijët, djemtë dhe vajzat, madje edhe nuset e reja që zakonisht merrnin leje për t’u kthyer tek prindët, nisnin këngët dhe lojërat e tyre. Djemtë luanin kala dibrançe, futboll, dokrra, madje organizonin lagje me lagje beteja me bahe, një mjet thurur me penj që përdorej për të përcjellë gurët kundër kundërshtarit nga një kodër në tjetrën. Goditja që mund të merrej nga një gurë i kundërshtarit nuk konsiderohej fatkeqësi dhe nuk ushqente asnjë lloj mërie me kundërshtarin…
Vajzat luanin jesir,qorrduka e lojëra të tjera. Luanin edhe një lojë tjetër me vajzat e lagjes përkundruell. Këndonin dhe u hidhnin romuze njëra tjetrës.
Gëzim sillnin midis fëmijëve, por edhe të rriturve, ardhja e Llazoreve dhe këngët karakteristike që përcilleshin në ritin e ardhjes, qëndrimit dhe ikjes së tyre. Llazoret ishin njerëz, djem dhe vajza, të lagjes tjetër, të cilët visheshin me rroba shumëngjyrëshe dhe në fytyrë mbanin maska që të mos njiheshin. Llazoret përfaqësojnë ato shfaqje popullore që aktualisht kanë hyrë në fjalorin festiv mbarëbotëror me emrin Karnavale…
Kur erdha në Athinë për afro një vit te tërë jetova ne Salaminë, një ishull i banuar nga shqiptarë të ardhur shekuj më parë, nga arvanitas. Një ditë u befasova kur Parashqevula që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat , duke biseduar me mua me fjalë arvanitase unë në atë kohë nuk dija asnjë fjalë greqisht ) më këndoi një këngë të fëmijërisë së saj që më solli në Salaminë ditëveret e krahinës sime.
“Kur ishim të vogla, më tha ajo, më 14 mars, Ditën e Verës dilnim në majë të kodrës së Kamaterosë dhe u këndonim vajzave të fshatit tjetër, Ambelaqit:
Ambelaqi gropa gropa
I ka vashat porsi lopa…
Parashqevula këndoi me një shqipe çuditërisht të pastër të njëjtën këngë që vajzat dhe nuset e lagjes sime u këndonin vajzave dhe nuseve të lagjes së Kallçishtit përballë…
DITA E VERËS është një festë e vjetër popullore, një festë shumë e vjetër, festë pagane, parakristiane, gjeografia e së cilës është shumë më e gjerë se Elbasani apo Dibra ku unë përjetova gëzimet e saj fëminore. Ajo është një festë mbarëkombëtare, që nuk njeh kufij.
Duke shkruar këto radhë, rrjedhe e kujtimeve të hershme nuk mund të rri pa përcjellë për lexuesin urimin tradicional :
“Gëzuar Ditën e Verës! E gëzofshi atë me nanë e me babë, me motra e vëllezër, me nipër e mbesa, me miq, shokë, shoqe e dashamirë ! “
Abdurahim Ashiku
Salaminë, mars 1997