I nderuar lexues! Etimologjia e gjuhës shqipe është degë e gjuhësisë që merret me burimin e fjalëve e me historinë e tyre. Etimologjia e mjaft fjalëve të gjuhës shqipe ka tërhequr vëmendjen e dijetarëve që prej disa shekujsh, por me parime e metoda të mirëfillta shkencore, studimet etimologjike nisën me themelimin e gjuhës krahasuese historike. Me etimologjinë e shqipes janë marrë disa albanologë e ballkanologë të huaj. Nga studiuesit shqiptarë, me këto probleme është marrë kryesisht E.Çabej me veprën “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Studimet etimologjike të shekullit tonë kanë vërtetuar e po vërtetojnë se fondi i leksikut autokton të shqipes është më i madh nga ç’është menduar në të kaluarën.
