Çështja çame përmes një rrëfimi

redaktor

Prof. dr. Resmi Osmani

 

Në stadiumin ku luhej ndeshja Shqipëri –Zvicër, u pa një banderolë, ku Greqia bëhej përgjegjëse për genocidin e ushtruar ndaj popullatës së Çamërisë. Autoritetet greke nuk vonuan të reagojnë dhe protestojnë nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, duke përsëritur se nuk ka një çështje çame. Presidenti i atij vendi,shkoi edhe më tej duke i quajtur çamët, në bllok, bashkëpunëtorë të fashizmit. Janë formula standard, që kemi njëzet e pesë vite që i dëgjojmë.

Nuk dua në këtë shkrim të bëj jetëshkrimin e familjes sime, por nëpërmjet një historie personale, të rrëfej nëse ekziston apo jo problemi çam.

Kam lindur më 1940 në fshatin Mazrek të Çamërisë, një fshat i madh dhe me histori. Më poshtë po rrëfej pësimet nga marrëdhëniet çamo-greke, fill pas aneksimit të Çamërisë më 1913.

Më 1913, gjyshi nga babai, Osman Taipi, ra dëshmor në betejën e Bezhanit, në luftë me grekët, për mbrojtjen e Janinës. E veja rriti jetimët.

Familja e nënës, u shpërngul me dhunë në Turqi, në stepat e Anadollit, në këmbim me grekët e Azisë së Vogël.

Nga reforma agrare, familjes sonë iu sekuestruan pjesa më e madhe e tokave dhe e pasurisë së paluajtshme, duke e lënë në vështirësi të madhe ekonomike.

Në vjeshtën e vitit 1940, babai im, pa shkak u internua në ishullin e Mitilinit në detin Egje, duke na lënë në mëshirën e fatit dhe dhunës së banditëve, për të vuajtur në kampet e atjeshme të burgimit. Prej aty u liruan pas pushtimit gjerman të Greqisë.

Babai nuk u përzie absolutisht në çështjet e luftës, qëndroi mënjanë dhe pa punën e vet. Pas masakrave zerviste në Paramithi, kur Çamëria u mbyt në gjak dhe u kall në flakë, i gjithë trungu ynë familjar, la gjithçka në shpëtim të jetës dhe u shpërngul për t’u vendosur përkohësisht në Kllogjer e Mursi të Sarandës.

Nga vuajtjet e shpërnguljes, të ftohtit, uria, malaria, uji i papijshëm vdiqën: gjyshja dhe një motër e vogël, dy xhaxhallarë dhe tre fëmijë të tyre. Në Kllogjer familja jonë hapi gjashtë varre.

Në dimrin e 1945, pas përhapjes së një lajmi të rrem se çamët mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe se “Nuk do t’u binte pikë gjaku nga hunda”, babai, që nuk ndjehej fajtor për asgjë na mori dhe u kthyem në Filat. Aty u organizua masakra e fundit e dramës çame. Babanë, dhe 80 burra të tjerë, na e therën para syve. Ishte 32 vjeç dhe tërësisht i pafajshëm, përveç asaj që ishte shqiptar. Nuk dihet në se i varrosën apo jo.

Në mars 1945, tok me nënën, pesë fëmijë, më i madhi 13 vjeç, kapërcyem kufirin dhe erdhëm në Shqipëri. Sesi u rritëm dhe e përballuam jetën, lexuesi e merr me mend.

Ky ishte rasti i vetëm një familjeje. Po sa qindra e qindra të tjera kanë pësuar këtë fat?

Përgjigja  është direkte për palën greke: Çështja çame doni apo nuk doni, ekziston. Jemi ende gjallë ne që e kemi pësuar dhe fëmijët tanë të cilëve ua lemë amanet.

 

Tiranë, më 13.06.2016

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *