Çështja e emrit të Maqedonisë, mediat greke: Po bëhen “pazare” me Gjermaninë

Dita

Teksa zgjidhja e çështjes së emrit ka mbërritur drejt fundit, mediat greke po shkruajnë për kompromise të Greqisë me Gjermaninë.

Gazeta greke “Ta Nea” ka shkruar se nëse arrihet marrëveshje për emrin, masa për shkurtimin e pensioneve do të anulohet për 6 muaj, dhe kjo do të vijë si një “dhuratë” gjermane për Greqinë.

Duke analizuar se çfarë do të përfitonte Greqia me këtë premtim të marrë nga Berlini, ajo shkruan se kjo masë anti-krizë tashmë është votuar dhe se duhet të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ky anulim 6 mujor, sipas “Ta Nea-s”, do t’i përshtatej kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe planeve të tij zgjedhore.

Shkrimi i publikuar duket se ka shkaktuar reagime të shumta, një ndër të cilët ka ardhur edhe nga opozita e vendit. Kjo e fundit ka akuzuar qeverinë greke se është duke zhvilluar bisedime të fshehta.

Ndërsa nga kabineti i Ciprasit thonë se “shkrimet mizore, të përditshme nëpër media”  nuk kanë nevojë për komentim.

Nga ana tjetër në Maqedoni, koordinatori nacional për në NATO, Stevo Pendarovski, deklaroi se disa nga propozimet e deritanishme të palës greke për zgjidhjen e kontestit nuk kanë qenë aspak reale.

“Dua të besoj se qasja e deritanishme greke ishte taktikë bisedimi ose strategji dhe se ata qëllimisht filluan për ne me propozime radikale, që të arrijnë në një zgjidhje të pranueshme dhe të arsyeshme, e jo sipas disa perspektivave që sot mund të shihen vetëm në kokat e nacionalistëve të përbetuar me logjikë të shekullit 19”,  vijoi më tutje Stevo Pendarovski.

Kujtojmë se një ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev konfirmoi se bisedimet me Greqinë kanë ngelur të hapura ende, ndërsa ka përparim për identitetin, shtetësinë dhe gjuhën. Madje, ai u shpreh disa herë se është optimist për një mbyllje të shpejtë të kësaj çështjeje.

s.a/dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *