Ndërtimi i Hidrocentraleve të vegjël nga kompani të ndryshme konçesionare po shoqërohet me protesta të dhunshme nga banorët që kërkojnë shpronësime, por edhe për shkak të tragjedisë së fundit. Në Polis banorët sulmuan policinë me gurë, kurse në Mirditë 3 punëtorë, dy shqiptarë dhe një turk, humbën jetën si pasojë e një shembjeje në galerinë e HEC-it në ndërtim. Policia e Librazhdit arrestoi dje 3 gra të dyshuara për dhunën ndaj uniformave blu në tubimin e organizuar. Kurse dje punëtorë dhe banorë në Qafë-Mollë kërkuan hetime dhe ndëshkim të kompanisë turke, të cilën e cilësojnë përgjegjëse për tragjedinë.
Librazhd
Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bënë me dije se arrestuan dje 3 gra të dyshuara për sulmin me gurë ndaj efektivëve që morën pjesë në aksionin për ndalimin e tubimit të paligjshëm para HEC-it në Polis. Mësohet se në pranga kanë rënë Marjeta Shata, 51 vjeçe, Nezhmije Guberi, 45 vjeçe dhe Feride Shata, 40 vjeçe, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe 5 persona të tjerë, po banorë të këtij fshati, të cilët akuzohen edhe si organizatorë të protestës së dhunshme. Gjatë tubimit për ndalimin e ndërtimit të HEC-it në zonën e përroit të Gurrës me pretendimin se firma po u merr ujin dhe po i dëmton, banorët sulmuan makineritë e firmës dhe më pas policinë gjatë aksionit ndërhyrës. Gratë e ndaluara akuzohen se kanë hedhur gurë ndaj uniformave blu, duke lënduar disa prej tyre. U bllokuan mjetet dhe makineritë e firmës ndërtuese, pasi pretendojnë se subjekti që ka marrë lejen e ndërtimit nuk ka respektuar kriteret e përcaktuara me ligj për ndërtimin e një vepre të tillë. Banorët pohuan se që prej dy vjetësh, kur nisi puna për ndërtimin e HEC-it, nuk kanë ujë për të vaditur tokat. Gjatë përleshjes që zgjati dy orë, u lënduan edhe 4 banorë të fshatit Polis. Sipas policisë, efektivi Gëzim B., iu shkaktuan fraktura dhe dëmtime serioze gjatë sulmeve me gurë dhe po kështu u lënduan efektivët Kalem R., dhe Ajet A., dhe shumë aktive në dhunë kanë qenë edhe gratë sipas procesverbalit të mbajtur.
Mirditë
Dy ditë pas tragjedisë së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në hidrocentralin e Qafë-Mollës në Mirditë, ku si pasojë e shembjes së një pjese të tunelit, humbën jetën 3 punëtorë, rreth 200 punonjës të HEC-it kanë dalë dje në protestë, të mbështetur edhe nga banorët. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, në mënyrë që firma që po kryen ndërtimet të garantojë kushtet e sigurisë. Protestës së punonjësve u janë bashkuar edhe banorë të Rrëshenit, që u tubuan para ambienteve të kompanisë. Pas tragjedisë, shumë prej punëtorëve akuzojnë firmën turke për mungesën e kushteve të sigurisë. Ata pretendojnë se në tunelet ku punohet deri në 1600 metra thellësi nuk janë ndërtuar blloqe betoni mbrojtës apo harqe hekuri. Ndërkohë Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë. Nga shembja në tunel humbën jetën punëtorët shqiptarë Ndue Legisi, 50 vjeç, nga fshati Shebë, Pjetër Doda, 50 vjeç, banues në Tale, si dhe punëtori turk Hasan Atef, 52 vjeç. Në këtë HEC janë bërë herë pas here inspektime për kushtet e punës.

Keto arrestimet dhe burgosjet kur ndodhin te behen, duket sikur kenaqin ate pjesen hakmarrese tek populli shqiptar ndaj poshtersive ne kurriz te tij. Problemi eshte se nuk zgjidhin gje ne felb. Pasi fytyrat korruptive thjesht i lene vendin njera tjetres.
Dhe krenohen policet kur burgosin gra qe po kerkojne thjeshte kerkesat e tyre…Rilindje apo ripjerdhje.
Bravo,cohu popull se mjaft durove,mjaft u dhunove nga nje bande kriminelesh!
Posht’sistemi’ qe varferon shqiptaret e pasuron vetem politikanet!poshte ‘Sistemi’!