Çështja “Skënderbeu” vendoset të premten

Gazeta Dita

E treta e vërteta, ose të paktën kështu pritet! Pas dy shtyrjeve radhazi Komisioni i Etikës pritet të marrë një vendim për çështjen “Skënderbeu” këtë të premte kur edhe është programuar mbledhja e radhës.

Në mbledhjen e dytë të saj ku tema kryesore ishte pikërisht kjo çështje, në 8 qershorin e kaluar, Etika bëri të ditur se i duhej më tepër kohë për të përfshirë në proces edhe materiale të tjera të nevojshme për hetimin e çështjes. Skënderbeu u dënua verën e 2016 nga Uefa me përjashtimin për një vit nga Kompeticionet Europiane për trukim ndeshjesh, vendim që u la më pas në fuqi edhe në ankimimin e klubit korçar në Kas.

Komisioni i Etikës prej disa muajsh disponon dosjen me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv dhe këtë të premte pritet që të marrë një vendim përfundimtar për një verdikt të shumëpritur jo vetëm nga klubi korçar dhe opinioni futbollistik në përgjithësi por edhe klube të tjera. Këto të fundit e shikonin një spirale shprese dënimin e mundshëm të Skënderbeut me zbritjen nga Kategoria apo edhe mospjesmarrjen në kualifikueset e Europa League.

Gjithsesi vetë fakti që afatet kohore tanimë janë shkurtuar ndjeshëm duke qenë se të enjten e ardhshme Skënderbeu është programuar të zhvillojë sfidën e parë të Europa League në Korcë përballë ekipit nga Andora Sant Julia.

Kjo zbeh ndjeshëm shanset që klubi të dënohet nga drejtësia sportive në vend me zbritjen nga Kategoria apo mospjesmarrjen në kompeticionet Europiane.

Vetë klubi korçar ka shfaqur besimin për dicka të tillë edhe me një merkato mjaft aktive, shenjë kjo e besimit për moscënimin e projektit për sezonin e ardhshëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *