Çeta patriotike e trevës së Çepanit

Ornela

Ilmi Qazimi 

            Rreth vitit 1907 është krijuar në formën e saj më të plotë organizative çeta patriotike e zonës së Çepanit me komandant Ali Hasan Zyka(Farmaqi). Nuk duhet të jetë rastësi që pikërisht në këtë vit u krijua dhe filloi nga aktiviteti luftarak çeta e Çerçiz Topullit. Në çetën e Aliut bënin pjesë luftëtarë,banorë  të  Çepanit dhe të fshatrave përreth, madje edhe nga ato të Përmetit, të cilët iu qëndronin besnikë idealeve për lirinë e vatanit të robëruar nga Turqia, si dhe luftës për të mos lejuar andartët grekë që të futeshin brenda trojeve të Shqipërisë. Çeta ishte një grup i armatosur dhe i organizuar luftëtarësh, që mblidheshin kur e thërriste nevoja e vatanit me urdhër të kapedan Ali Çepanit. Pas kryerjes së detyrës ajo shpërndahej për t’u rimbledhur. Disa prej anëtarëve të çetës kanë qëndruar në të prej fillimit deri në vitin 1920, disa të tjerë, për arsye të ndryshme, janë larguar pas vitesh, ndërkohë që të tjerë kanë ardhur në çetë shumë vite pas krijimit të saj. Ka patur  edhe nga ata, si Ali Cerova,vëllai i ‘Heroit të Popullit’ Riza Cerova që kanë qëndruar në çetë vetëm për disa muaj.

Të rreshtuar në çetën e Ali Çepanit kanë qënë :

      Ali Hasan Zyka( Farmaqi),Çepan -komandant i çetës.Po nga ky fshat në çetë  aktivizoheshin luftëtarët: Ali Medi Basho, Dilaver Sadik Zyka, Dine Sejat Satka,  Hajdar  Bilal Zyka, Hekuran Bërsaka, Lamkë Bebeshi,Lyte Rakip Gogo, Malush Rakip OsmaniMuhamet Shahin Osmani, MusaTurhani,Musa Isak Basho,Myftar Shahin Osmani, Tahir Shahin Osmani, Veli Xhelo Abazi, Xhevahir Arif Osmani.

Nga fshati fqinj, Zabërzani në këtë Çetë mernin pjesë: Hamit Lame   dhe  Riza Naska.Katër luftëtarë të saj ishin nga Prishta: Abedin Prishta,Bejdo  Prishta, Caush Llane   dhe Zenel Feimi.  Me armë në krah ishte nga fshati Muzhakë ishte Duçe Llapi  dhe Bektash Dervishi nga katundi Muzhenckë.

Aktivitetin luftarak kjo çetë e ka pasur në zonën e Çepanit, Dangëllisë, Dëshnicës, Përmetit, Kolonjës, Korçës, Tepelenës, Fierit, Lushnjës.Të dhëna të tjera,siç tregon një nga nipërit e tij,  juristi Edmond V.Gogo, hedhin dritë për një gjeografi edhe më të gjerë deri në periferi të Janinës të veprimtarisë patriotike të kësaj çete, por  nevojitet që të hulumtohen edhe më tepër dokumentet e arkivave përkatëse.

 

Kronologjia e veprimeve luftarake e patriotike e çetës

-1909 – 1912 : Aliu dhe disa nga pjestarët e çetës së tij u morën me shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe të shtypura në Bukuresht, Stamboll, Kajro, si dhe me mësimin e gjuhës shqipe për fshatarët sipas mundësive të kohës , krahas me atdhetarët e tjerë Tefik Xh. Rogu, Meleq Staravecka, Tajar Vëndresha, Abedin Prishta etj.

-1911, luftime me forca jo të pakta turke në Pagri të Përmetit, ku mbetën të vrarë 12 vetë nga pala armike.

-Pranverë 1911 : Aliu vendos lidhje me çetën e Lace Backës i cili sapo qe kthyer nga Selaniku. Ata bashkërenduan qëllimet dhe veprimet patriotike të çetave kundër turqve dhe sidomos kundër andartëve grekë.

-Mesi i vitit 1911 : Ali Cerova,vëllai i Riza Cerovës, shkon  në çetën e Ali Farmaqit dhe qëndron në të  disa muaj.

-23 Korrik 1912 : Ali Çepani merr pjesë në Kuvendin e Sinjës së Beratit dhe njihet në Memorandumin e Sinjës prej 12 pikash.

-Gusht 1912 : Në ngjarjet e Çorovodës, ku u sulmua garnizoni turk i vendosur aty, Aliu me çetën e tij ishte përkrah çetave të tjera të Skraparit.

-Nëntor 1912 deri Janar 1913 : Ali Farmaqi me çetën e tij gjendet në Vlorë, në mbrojtje të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali.

-3 Janar 1913 : Fillon mobilizimi i çetës dhe marshimi drejt Kolonjës ku kishin hyrë forcat greke. Zhvillohen luftime në Malin e Qelqit dhe në Qafën e Qarrit. Në këto luftime kanë marrë pjesë edhe luftetarët Tefik Rogu, Kajmak Rogu, Hysen Jaubashi, Sadik Shkëmbi, Xake Rogu, Halim Rogu, Qazim Zabërzani, Veis Naska dhe Mete Zabërzani.

Pranverë 1913 : Aliu me çetën e vet zhvilloi luftime të ashpra në Tendën e Qypit kundër andartëve grekë.

-Janar 1914 : Luftime kundër forcave të ushtrisë greke në vijën: Dërrasa e Kajcës, Qafa e Shelqit, Topojan, Qarrishtë e Sevranit. Në luftime morri pjesë e gjithë çeta

-Shkurt 1914 : Së bashku me çetën e Sulejman Spatharës, Aliu me çetën e vet merr urdhër nga qeveria e kohës që të mbrojnë vijën Spatharë, Tenda e Qypit, Taroninë, Qarrishtë, Frashër për të penguar përparimin e forcave greke drejt Beratit.

-Maj 1914, luftime shumë të ashpra në Kokojkë të Frashërit. Ra në fushën e luftimit Myftar Shahin Osmani,nga Çepani, i cili është shpallur dëshmor i atdheut.

-1915, Ali Farmaqi tok me patriotë të tjerë si Ali Koprëncka, Avni Kapinova, Riza Kodheli, Servet Zaloshnja, Mustafa Spathara etj. shikonin si një mundësi për të ruajtur kombin dhe tërësinë tokësore të vendit, edhe bashkëpunimin me fuqitë e mëdha, pavarësisht nga synimet e tyre. Aleat më të mundshëm, për atë moment historik, ata vlerësonin Italinë.

-1916, në Nishicë, Aliu merr pjesë në mbledhjen që u bë nga patriotë skraparlinj dhe kolonjarë, midis të cilëve edhe Riza Cerova, ku u vendos që të goditeshin austriakët pushtues dhe të ruhej autonomia e çetave shqiptare.

-Gusht 1919, Aliu me çetën e vet i përgjigjet thirrjes së Sali Butkës për të shkuar në mbrojtje të Korçës. Ai u nis me luftëtarët e tij dhe u përqendrua në Gjergjevicë.

-19 Janar – 2 Shkurt 1920 : Aliun me çetën e vet e gjejmë në mbrojtje vullnetare të Kongresit të Lushnjës në kodrat e Ardenicës, së bashku me shumë forca të tjera patriotike nga Fieri, Mallakastra, Lushnja. Një ndër drejtuesit e Forcave vullnetare të mbrojtjes së punimeve të këtij kongresi ishte Riza Cerova.

-5 Shkurt 1920, Aliu zgjidhet anëtar në komisionin që kryesonin Riza Cerova e Ali Koprëncka i cili do të krijonte një fuqi të armatosur për të qënë në dispozicion të qeverisë. Në këtë komision ishte edhe Abedin Prishta.

-1922-1923. Së bashku me patriotët Sinan Leshnja, Pasho Hysi, Hysen Zaloshnja e Sulejman Qafa ai u kundërvihet grupit të bejlerëve deputetë.

 

Po kush ishte Ali Hasan Zyka?

Aliu ishte i biri i Hasanit nga Çepani; nëna e tij, Peruzeja, ishte nga Vëseshta, prej fisit Koxhaj. Ai ka lindur në Çepan më 1866. I ati qe një fshatar i thjeshtë nga një familje me shumë frymë.Motra e vetme e Aliut,Zenepja, u martua në Malind kurse vëllai i tij Sadiku u vesh dervish në Teqenë e Frashërit dhe  punoi me atdhetarizëm deri në gjeshtisje si klerik i lartë bektashi në Teqenë e Prishtës dhe të Kiçokut.

Qysh në fillim duhet të thuhet se Ali Hasan Zyka, ky burrë historik, i ka rrënjët në fisin e Zykajve në Çepan edhe pse është thirrur e njohur nga njerëzit (të huaj e shqiptarë) me disa mbiemra, në kohë, rrethana e vende të ndryshme, gjatë jetës së tij 84 vjeçare: Ali Farmaqi, Ali Cane, Ali Vetëtima, Ali Çepani, Ali Mjekra dhe fare më pak Ali Zyka. Qysh në vogëli dallohej për shkathtësi, çapkënllëqe dhe zgjuarësi.Me mundësitë  ekonomike familjare u shkollua me disa klasë, por më shumë  aftësitë drejtuese iu kalitën nga “të gjezdisurit, nuhatjet dhe  veprimet  kundër zaptijeve osmanë dhe  andartëve grekë”. Kreu disa lloj punësh në administratat e qeverive të  kohës si financier, tregëtar duhani, taksambledhës,etj. por  ajo, për të cilën atij i qante syri, ishte” dyfeku kundër  padrejtësive dhe sidomos  kundër turqve dhe grekërve”. Në vitet e rinisë së tij ai u njoh dhe u lidh me  idealet atdhetare të  patriotëve rilindas.

Ferhat A. Meta, në Çepan, më 22. 03. 2003 tregonte:Vetëm Ali Farmaqi dinte të shkruante gjuhë të huaj në Çepan asi kohe. Aliu njihte ligjet e shtetit, ai ishte me të vërtetë personalitet. Rrinte i veshur mirë me kostum. Ishte i shkolluar dhe fliste me argumente. Kishte kulturë por ishte dhe trim. Ai mbante regjim të rreptë ushqimi. Dinte si t’i kapte problemet dhe të fliste me baza. Më 1925, ai preu pemën e arrës tek Ara e Liqedhit që e kishte pronë të tij dhe ia dhuroi shkollës për ta bërë dërrasa për dysheme…” “Aliu ishte burrë i pashëm, i bëshëm, i ngjeshur në trup, me mustaqe të vogla dhe me disa dhëmbë të vëna prej floriri”.

Në vitet 1903 -1906,Aliu krijon një grup luftëtarësh dhe lidhet me patriotin Lace Backa duke zbrazur armë  urrejtjeje ndaj pushtuesve  në malet e Kolonjës, Gryka e Barmashit, Qafa e Qarrit dhe Gryka e Lubonjës. Aliu në vitin 1903,së bashku me Duçe Muzhakën, Abedin Prishtën dhe Barjam Koprënckën me 27 delegatë të tjerë skraparlinj merr pjesë në mbledhjen e Frashërit, ku u trajtuan çështje të luftës kombëtare shqiptare.Në nëntor 1905,ai merr pjesë në mbledhjen e Frashërit për të cilën qe nismëtar Bajo Topulli. Aliu, me sa merret me mend, falë zgjuarsisë , intuitës dhe informacionit që merrte, kishte dijeni për krijimin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Vjen në fshat, bisedon me bashkëfshatarët dhe punon për të krijuar një çetë patriotike. Ishte viti 1906 kur Aliu në krye të grupit të vet merr pjesë në luftimet kundër forcave turke në fshatin Bubës të Përmetit. Këtu ai urdhëroi të pushkatoheshin 18 turq të kapur rob. Bimbashit ia preu kokën vet dhe i nguli të gjitha kokat nëpër hunj në një udhëkryq që t’i shikonin të tërë kalimtarët. Fama dhe  emri i tij si komit  i egër  në zonën e Çepanit, Dangëllisë, Kolonjës, Këlcyrës po rritej dhe ai vetë do të lidhet më shumë me gjendjen e luftës kundër turqve sundues.

            Për një periudhë kohore rreth  25 vjeçare Ali  Hasan Zyka ka qenë i angazhuar në veprimtari luftarake të pandërprerë duke pasur mbështje në popullin e zonës. Theksoj se Aliu, në punën e tij atdhetare nuk luftonte i vetëm. Ai  krijonte lidhje e marrëveshje dhe  bënte takime me individë të ndryshëm që kishin peshë te fshatarët ose në tërësi te banorët e krahinave  të Skraparit , Përmetit, Dëshnicës, Kolonjës, etj. Është me interes  të përmendim se ai kishte bashkëveprim me  klerikët bektashianë, që në vitet 1900-1925 kanë luajtur një rol shumë të dukshëm patriotik e posaçërisht për mësimin e shkrimit të gjuhës shqipe dhe për shpërndarjen e librave  të botuara në gjuhën shqipe. Një nga këta ka qenë Baba Tahir Çepani, i cili ngriti edhe një teqe në Katerinë të Selanikut. Për aq sa jemi njohur  deri tani, mjaft i lidhur për probleme të  tilla Ali Farmaqi ishte  me Baba Meleq Staraveckën (Shëmbërdhenji). Aliu mbështetej tek fshatarë të thjeshtë, të zotë të fjalës e të pushkës. Fejzi Hasanaj(Zabërzani), patriot i njohur, i zoti i Mullirit të Hambullit, piknyje në luginë e Osumit, duke iu drejtuar partizanëve, shumë vite më vonë, ka pasë thënë: “…kjo shtëpi është e madhe. Dera për ju rri e hapur ditë e natë. Këtu more djema, ka qëndruar edhe kapedani i çetës Ali Farmaqi nga Çepani me luftëtarët e tij, e shumë komitë të tjerë.” Këtë thënie e përcjell tek ne nipi i Fejziut, z.Fatos H.Hasanaj më 12.09.2004.

Dokumentohet se Ali Farmaqi kishte miqësi lufte e pune me figurat e mëdha të shquara si Themistokli Gërmenji, Bajo Topulli, Lace e Zoto Backa, Sali Butka, Riza e Ali Cerova, Sinan Leshnja, Riza Velçishti, Zaim Bubsi, Spiro Bellkameni, Papa Kristo Negovani, Shahin Matraku, Kajo Babjeni, Jaçe Gjergjova, Riza Kodheli, Sulejman Spathara, Ali Koprëncka madje edhe me Jani Vreton në Kajro të Egjiptit si dhe  të tjerë patriotë të Shqipërisë së Jugut.

Duke mbetur vetëm një fanolist i pasionuar dhe antizogist i tërbuar,ecuria e mëtejshme  e Ali Çepanit ishte e njëllojtë si ajo e mjaft  prej bashkëkohësve të vet të spikatur të cilët nuk u larguan kurrë nga atdheu dhe shqiptaria: luftëtarë të afshtë në rini e mesomoshë, optimistë të qetë e të rrafshtë në moshë të thyer.Ali Hasan Zyka u nda nga jeta në vitin 1950 në qytetin e Fierit, pas një jete të trazuar  luftrash e shqetësimesh të ndryshme.Ai  ka qenë një atdhetar, luftëtar e komandant ushtarak me prirje , me një nivel të dukshëm intelektual e kulturor, për kohën që jetoi. Vendi i tij është në panteonin e nderit të atyre që luftuan për Shqipërinë.

 

Abuzimet greke e turke me mbiemrin “Farmaqi”

U quajt Ali Çepani për disa arsye. Së pari, ashtu si shumë banorë të tjerë të këtyre anëve  (madje edhe të trevave të tjera të farës shqiptare, brenda kufijve dhe në Itali, Greqi, Ukrainë, Turqi, Kroaci, Arabi, Egjypt, Sh.B.A, Australi, etj. ) me bëma që kanë lënë gjurmë gjatë shekujve, sidomos në ata XVII deri në XX, edhe Aliu e kishte për nder që të mbante si mbiemër emrin e fshatit ku lindi. Së dyti,  kështu ai përfaqësonte banorët e fshatit të vet në trevat përreth ose në kuvende,organe apo forume të ndryshme jashtë fshatit dhe vendit. Së treti, meqë nuk ka patur dokumente zyrtare të regjistrimit të rregullt të popullsisë sipas normave, me emër dhe mbiemër e gjeneralitetet përkatëse ( të cilat shtetet e tjera i kanë patur prej kohësh kurse shteti ynë, vetëm pas viteve 1925), ka qënë më e lehtë të thuhej Ali Çepani se sa Ali Zyka, për veprën e tij jashtë fshatit, dhe Ali Cane kur gojosej brenda fshatit. S’mund të lëmë pa përmendur se Çepani, si fshat i hershëm ka qënë shumë i njohur në trevat e jugut për bijtë që ka nxjerrë, para dhe në një kohë me Aliun, qendër banimi me tradita lufte, punë bujqësie, blegtorie dhe pemëtarie.Edhe gjatë LANÇ, periudhës së socializmit dhe në ditët e sotme po ashtu ai vijon të ketë në  lartësitë e kohës, komandantë, luftëtarë, Heronj, gjeneralë, ambasadorë e  personalitete deri tek Presidenti i Republikës. Së fundi, mbiemri i këtij lloji në më të shumtën e rasteve, atribuohet prej të tjerëve, se sa ia ngjit vetvetes, edhe pse parapëlqehet.

Ali Vetëtima ia tha Ismail Qemali në vitin 1912, në nëntor, sepse grupi më i shpejtë i luftëtarëve skraparlinj,ndër të parët që mbërriti në Vlorë, në mbrojtje të veprimeve historike luftarake e diplomatike për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ishte ai e Ali Çepanit. Kur u paraqit Aliu, Plaku i madh i Vlorës, siç thonë, e përgëzoi : “Më të lumtë o bir! Ali Vetëtima do të themi nga se si vetëtima erdhe së toku me trimat e çetës”.

Ali Cane u quajt sepse Hasan ishte emri i babait të tij, ( nofka e shkurtuar përkëdhelëse është Cane ). Me këtë mbiemër ka qënë i njohur për të afërmit, dhe mbas viteve ’40 të shekullit të njëzetë. Ali Mjekra ( është mbiemri më i rrallë përdorur ) i thanë ngaqë ai mbante një mjekër të shkurtër, të paqme e që i shkonte shumë fytyrës karizmatike e shtatit të tij si prej djali azgën edhe kur mbushi të tetëdhjetat. Ali Zyka është përdorur shumë pak.

Është e vërtetë se shumëkush, diku, dikur dhe për një kohë të gjatë, bile shumë njerëz, e kanë thirrur,njohur dhe e kanë shkruar Ali Farmaqi. Kështu e shkruan edhe Mane Nishova në librin e tij.Kësisoj, skraparliu nga Çepani, Ali Hasan Zyka u fut në kujtesën popullore  e në shumë dokumente të kohës me emrin Ali Farmaqi. Kjo mbetet e besueshme thjesht si një mbiemër për hidhësinë e këtij trimi, komit e patriot, për “helmin” që derdh arma e tij, e cila vret e pret pa asnjë mëshirë, grekët e pabesë, turqit  osmanllinj  pa iman që na sundonin, përçanin e çfarosnin neve shqiptarët, duke masakruar banorët e krahinave Skrapar, Përmet, Kolonjë, Fier, ku ka luftuar me ashpërsi Ali Çepani. Natyrisht mbajtja dhe përdorimi i shumë mbiemrave për veç anëve të mira, krijon edhe mundësitë për egzistencën e keqkuptimeve jo pa dëm.

Lipset të sqarojmë përsëri se është një tjetër figurë historike tepër madhore arvanitase  (shqiptarë që banojnë të ngulmuar prej shekujsh në Greqi ), i quajtur Ali Farmaqi, për të cilin përmbledhtas duhet të themi : Lindi dhe banoi në More ( Greqi ), nga fisi i laliotëve, u bë prijës i famshëm i tyre, luftëtar i shpatës e i mendjes.

Aliu ishte shok lufte edhe me Gjergji Lazen ( Olimpi ) edhe ky një tjetër trim arvanitas i lindur më 1772, me të cilin, në krye të 450 vetëve bënë kërdinë kundër turqve. Ali Farmaqi i laliotëve afërsisht ka jetuar në harkun e viteve 1770 – 1830 .Mbeten të skalitura ndër shekuj  vargjet e këngës së popullit:”Gjithë bota le ta  thonë,/U’s’e shes Kollokotronë”.

Nga sa parashtruam, lidhur dhe midis Ali Farmaqit shqiptar nga Çepani ( 1866 – 1950 ) dhe Ali Farmaqit shqiptar arvanitas të Moresë ( 1770 – 1830 ), egzistojnë vetëm lidhjet e të qënit trima patriotë të kombit shqiptar, secili në përmasa të caktuara, të cilët kanë lindur  në vende të ndryshme, me diferencë kohe më tepër se një shekull. I dyti vritet heroikisht në luftë në Greqi, të parit i shuhet qiriri normalisht, mbas 120 vjetësh, në Fier të Shqipërisë.

Nuk mund të quhet e tepërt që të përmendet se në vitet 1820 deri 1850 ka ekzistuar edhe një hierark i krishterë grek i quajtur Teoklit Farmaqidhi, i cili ka qënë një nga përfaqësuesit më të zellshëm të atyre shtresave sociale greke që luftonin kundër të madhit Ali Pashë Tepelena. Kuptohet se të tillë emra dhe mbiemra mund të ketë edhe të tjerë, si Gregor Farmaqi etj.por që s’kanë të bëjnë fare me Ali Hasan Zykën,(Farmaqi) nga Çepani.

 

Share This Article
2 Comments
  • Po kanë luftuar kundër perandorisë në hale të gomares, sepse na sollën robërinë 100 e kusur vjeçare që vazhdon ende

  • Po ku paskeni qene more te uruar qe na ndriconi kaq vone. Po likja nuk ka marre pjese ne keto ceta se bashku me monen. Une di se mona nga ceta erdhi ne ps dhe u takua e u njoh me liken.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *