Kompania e furnizimit të energjisë elektrike, “CEZ Shpërndarje” ka njoftuar anulimin e tenderit për blerjen e energjisë gjatë vitit 2014. Pezullimi ka ardhur sipas versionit zyrtar pas kërkesës së entit Rregullator në mënyrë që të analizohen kushtet e ftesës për ofertë. Megjithatë, administrata e përkohshme e “CEZ Shpërndarje” thotë se, procedurat për tender do të vazhdojnë pas vendimit që pritet të marrë në vijim ERE.
Po kështu arsyeja zyrtare që kompania thotë për anulimin është se një nga kompanitë pjesëmarrëse në tender nuk është e kënaqur nga kushtet e tenderimit. Por burime jo zyrtare pranë kësaj kompanie bëjnë të ditur se arsyeja e vërtetë e anulimit të këtij tenderi nuk është as pritja e marrjes së vendimit nga ERE, as kontestimet e kompanisë, por delegimi i tenderimit për qeverinë e re. Në kushtet ku ndodhet sot kjo kompani me administrim të përkohshëm shtetër, për shkak të rëndësisë që mbart ky tender, gjykohet se transparenca nga CEZ Shpërndarje, është mjaft e rëndësishme.
Çdo manovër apo lëvizje e papërgjegjshme mund t’i kushtojë shtetit shqiptar, ose më saktë taksapaguesve shqiptarë, miliona euro humbje, që ndryshe mund të përkthehet me indirekt rritje të çmimit, në rast se CEZ nuk ndjek rregulla të qarta loje. Sinjalet e para për një kufizim të pjesëmarrësve në lojë u dhanë shumë kohë më parë dhe alarmi për një prokurim me pasoja negative për arkën e shtetit është lëshuar së fundmi me tenderin e zhvilluar në muajin gusht, për nevojat e importit të energjisë elektrike të muajit shtator.
Vetëm me tenderin e fundit, për të importuar 180 mijë megavat energji elektrike, për shkak të mungesës së konkurrencës, kushteve të vendosura dhe pranimit të çmimeve jashtë niveleve të tregut, humbjet për shtetin arrijnë në 1 milion euro. Dhe kjo vetëm për një muaj. Në rast se do të lejohej aplikimi i të njëjtës skemë, si për prokurimin e të gjithë vitit 2013, sasia e së cilës është 1.3 miliardë kilovat energji elektrike, ose sa 20 për qind e gjithë sasisë vjetore, mund të dalim me një abuzim (papërgjegjshmëri apo korrupsion) në vlerë mbi 15 milionë euro.
Kjo përllogaritje e tyre sic duket i ka bërë më “reflektivë” administruesit e CEZ për të mos vijuar në thellimin e skandaleve që kjo kompani mbart, duke pretenduar delegimin e tenderimit për qeverinë e re “për të shpëtuar” kokën e tyre me abuzimet e bëra. Rreth një muaj më parë, kompania kishte njoftuar ERE se, do të niste procedurat për zhvillimin e këtij tenderi me qëllim mbulimin e humbjeve në rrjet përgjatë gjithë vitit 2014.
Ekspertë të shumtë, por edhe përfaqësues të grupimeve politike që fituan zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit i konsideruan këto praktika si abuzive dhe mospërmbushje e detyrimeve si nga ana e kompanisë së shpërndarjes, ashtu edhe nga Enti Rregullator i energjisë. CEZ ka për detyrë përmirësimin e rrjetit dhe të shërbimit, duke realizuar rritje të arkëtimeve dhe ulje të vjedhjeve në sistemin energjetik, gjë të cilën nuk ka mundur ta realizojë asnjë herë gjatë këtyre muajve. Vlera e tenderit që do të zhvillohej kapte shifrën e 80 milionë eurove, duke qenë një megatender me pasoja të rënda në ekonominë shqiptare nëse nuk do të kryhet sipas kushteve të duhura.

Po pse nuk i lanë te vjedhin dhe një herë per herë të fundit moj zj. Edlira? Si nuk ju vjen pak keq për hajdutin sahit sendyqi moj goce? Po me çfarë do ti paguajne ai dhe saliu banditët që priten të hedhin në erê shtyllat elektrike moj zonjushë? Sa keq që e shkrove lajmin te gazeta “dita”? Po ajo i ka nxjere bojen sahitit moj!!