Opsioni më i mundshëm aktualisht për grupin CEZ, me bazë në Pragë, kompaninë më të madhe të listuar në bursë në Evropën Qendrore, është të tërhiqet nga investimi i kryer në Republikën e Shqipërisë. Ka qenë Daniel Benes, drejtor i përgjithshëm i Grupit, i cili deklaroi dje se deri në fund të vitit do të punohet për të gjetur mënyrën e largimit nga vendi. Nga ana e tij, drejtori financiar i grupit, Martin Novak, deklaroi se shitja e kompanisë në Shqipëri do të sillte përmirësim të fitimit neto, duke qenë se do të ulte shumë humbjet e realizuara.
Grupi CEZ Group ka deklaruar dje se fitimet e tij do të ishin më të mëdha, në rast se nuk do të mbanin barrën e humbjeve nga filialja shqiptare, CEZ Shpërndarje. Sipas drejtuesve të kësaj kompanie, largimi nga investimi në Shqipëri do të ishte “zgjidhja më e mundshme” e problemeve të saj.
Me këtë lëvizje do të shënohej një dështim i madh i një privatizimi, të cilësuar si “historik” nga ana e kryeministri Berisha në vitin 2007.
Duke paraqitur në Pragë rezultatet financiare të grupit për tremujorin e tretë të vitit, Sips zyrtarëve të lartë të kompanisë, ka qenë rezultati negativ i filiales me bazë në Tiranë ajo çka ka shkaktuar mosarritjen e objektivave të parashikuar financiare për këtë vit. Gjatë tremujorit të tretë 2012, fitimi arriti në 6.61 miliard korona (260 milionë euro), por nuk arriti objektivin prej 7.99 miliardë koronash (314 milionë euro), pikërisht prej deficitit të krijuar në shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri.
Ndërkohë, Enti Rregullator i Energjisë njoftoi në Shqipëri se aktualisht nuk po importohet energji elektrike për furnizimin e konsumatorëve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të paguajnë faturat. Eduard Elezi, drejtor juridik pranë ERE-s, deklaroi se nuk po importohet energjia për të cilën ka nevojë vendi. Duke theksuar se Enti Rregullator i Energjisë është gjithmonë në mbrojtje të konsumatorëve dhe vepron krejtësisht e pavarur, Elezi u bëri apel qytetarëve që të paguajnë energjinë pasi ky është shkaku i ndërprerjeve aktuale.