CEZ Group ka nxjerrë njoftim në website-n e vet se po e shet Cez Shpërndarje në Shqipëri dhe se po kërkon të marë garancinë e Bankës Botërore. Ndërkohë, për autoritetet shqiptare, e ardhmja e CEZ Shpërndarje pritet të vendoset në 21 janar. Burime pranë ERE bëjnë të ditur se do të jetë kjo datë ajo që do të vendosë nëse do i rinovohet licenca operatorit të sistemit të shpërndarjes, apo do të jenë seancat e gjata gjyqësore, i vetmi “investim” që CEZ do të marrë nga Shqipëria.
Gjatë kësaj kohe ERE po monitoron CEZ në terren dhe burimet saktësojnë se sipas specialistëve që po e vëzhgojnë situatën, përformanca nuk është e mirë. Nga ana tjetër nëse nuk do të realizohet rinovimi i licencës për CEZ, aksionet e saj priten t’i kalohen shtetit deri në një shitje të re, gjë që në të vërtetë e bën kaotike situatën energjetike në vend.
Nga ana tjetër KESH do të blejë energji për tre muajt në vijim dhe ky vendim u mor në fund të vitit nga Këshilli i Ministrave, kur në të vërtetë i ishte lënë CEZ të blinte energji në janar. Këta janë tregues se mundësitë e CEZ në Shqipëri mbeten të vogla, dhe fati i energjisë elektrike do të kalojë sërish në shtet për të bërë një rishitje të mundshme.