CEZ mund t’i kushtojë qeverisë 200 milionë euro, pasi sot kompania ka nisur procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar. “Sot, CEZ ka informuar zyrtarisht qeverinë shqiptare në lidhje me qëllimin e saj për të nisur arbitrazhin ndërkombëtar”, tha zëdhënësja e CEZ-it, Barbora Polpanova. CEZ e argumenton kërkesën për kompensim me mosmbrojtjen e investimit nga ana e qeverisë shqiptare.
“CEZ kërkon të drejtën e saj për kompensim në bazë të një marrëveshjeje të bërë midis Republikës Çeke dhe Republikës së Shqipërisë për të mbështetur dhe mbrojtur në mënyrë reciproke investimet e tyre, e cila parashikohet edhe në Traktatin e Kartës së Energjisë, i cili përcakton bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin e energjisë, të cilin e kanë nënshkruar të dy vendet”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga CEZ.
Sipas Reuters, kompania nuk ka bërë të ditur se cila është shuma që kërkon nga shteti shqiptar, por ajo përllogaritet në 200 milionë euro humbje.
