(Perditësuar)Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar ditën e sotme, pas ndërprerjes së energjisë elektrike ndaj ndërmarrjeve të ujësjellësit.
U rikujton të gjitha palëve se e drejta për ujë është një vazhdim i të drejtës të jetës të afirmuar nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Ajo reflekton domosdoshmërinë e këtij burimi të jetës njerëzore.
Sjell në vëmendje se Rezoluta GA- 10967 e Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e miratuar në 28 korrik të viti 2010 njeh aksesin në ujin e pijshëm dhe instalimet sanitare si një e drejtë e njeriut, Sipas kësaj rezolute të Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e drejta për ujin konsiderohet si një e drejtë njerëzore universale dhe thelbësore.
Për sa më sipër në lidhje me situatën e krijuar Avokati i Popullit thekson se :
Qytetari shqiptar nuk mund të jetë përgjegjës dhe aq më tepër të pësojë penalitete për marrëveshje, apo kontrata të cilat zbatohen, apo nuk zbatohen dhe për të cilat qytetari nuk është palë dhe nuk ka firmosur.
Në çdo rast palët kontraktore duhet të necogiojnë dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje bazuar në mirëkuptim dhe në bazë të parashikimeve kontraktore dhe legjislative në fuqi midis tyre duke mospërfshirë, apo penalizuar qytetarët.
Në këtë kuptim Avokati i Popullit fton të gjitha palët të abstenojnë nga veprimet, apo mosveprimet, të cilat në mënyrë direkte, apo indirekte rrezikojnë të cenojnë këtë të drejtë themelore dhe thelbësore të njeriut.
*******************************
Siç kishte paralajmëruar, mëngjesin e së premtes CEZ Shpërndarje ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për ujësjellësit e qyteteve të Elbasanit, Durrësit, Sarandës dhe Lacit. Një veprim i tillë i ka lënë pa ujë këto qytet.
Në njoftimin e shpërndarë dy ditë më parë nga CEZ Shpërndarja thuhej se shuma që i detyrohen kompanitë e ujësjellësit tashmë ka arritur lartësinë e 5.4 miliardë lekë. Këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre ndaj CEZ Shpërndarje dhe afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë.
Kompania thotë se ka kryer takime të shumta me përfaqësues të kompanive të ujësjellësit duke ofruar mundësi të ndryshme zgjidhjeje si skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të debisë. CEZ gjithashtu thekson se ka ofruar dhe anullimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, gjë që fatkeqësisht është refuzuar gjithashtu.
Ky aksion i CEZ-it është shoqëruar me incidente në Sarandë, Vlorë dhe në Elbasan, ku është kërkuar dhe ndërhyrja e policisë.
Kryebashkiaku i Elbasanit madje u shpreh se një veprim i tillë i CEZ-it tregon që shteti nuk funksionon.
Një ditë më parë qeveria, përmes ministrit Edmond Haxhinasto deklaroi se nuk do ta lejonte CEZ-in të ndërpriste furnizimin me energji të ujësjellësve. Haxhinasto deklaroi se agjencitë nën varësinë e qeverisë dhe ERE po ndërmarrin veprimet e nevojshme për të mos e lejuar ndërprerjen e energjisë për ujësjellesit.
Por duket se veprimet e qeverisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të lënë pa ujë një pjesë të qyteteve shqiptare
*******
CEZ Shpërndarje ditën e premte, 16 nëntor, do të ndërpresë furnizimin me energji të të gjitha kompanive të ujësjellësit që janë debitore ndaj kompanisë.
Një njoftim i tillë është bërë nga vetë kompania duke pretenduar se këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre që arrijnë në 5,4 miliardë lekë (38 milionë euro) dhe se afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë.
Në njoftim thuhet se “dëshirojmë ta këshillojmë publikun që të përgatitet për ditët që pasojnë 16 nëntorin, duke u siguruar që të mbushin të gjitha rezervat e mundshme që kanë në dispozicion dhe të interesohen pranë kompanive të tyre të ujësjellësit, nëse ata ofrojnë alternativa për furnizimin me ujë të konsumatorëve të tyre”.
CEZ gjithashtu deklaroi se kishte ofruar dhe anulimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, gjë që fatkeqësisht është refuzuar