I nderuar lexues! Amfiteatri i Durrësit është amfiteatri më i madh e më i rëndësishëm i ndërtuar në fillim të shek.I të e.s. në Ballkan, me vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike, i vetmi i gjetur në Shqipëri. Gërmimet për zbulimin e tij filluan më 1966. Është ngritur afër qendrës së qytetit me shkallaren nga perëndimi të mbështetur në shpatin e kodrës, ndërsa nga ana tjetër lartësohet në truall të rrafshët. Ka trajtë elipsi me diametër 136 m dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 15-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve. Amfiteatri është ndërtuar me njohuri të plota teknike; kjo dhe numri i madh i vendeve dëshmon për lulëzimin e Durrësit në shekujt e parë të e.s.
