I nderuar lexues! Beteja e Drinit ishte një nga betejat më të rëndësishme të Skënderbeut për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga venedikasit. Beteja u zhvillua më 23 korrik 1448. Skënderbeu goditi krahun e djathtë të venedikasve të përbërë nga sllavë, ku ishte edhe Daniel Juriçiç, komandanti i një ushtrie venedikase të përbërë prej 15.000 vetash, dhe i detyroi të tërhiqen. Kalorësia shqiptare e komanduar nga Tanush Topia shpërtheu në qendër, doli në shpinë të kundërshtarit dhe u dha mundësi forcave të komanduara nga Moisi Golemi të thyenin krahun e majtë të ushtrisë venedikase. Ajo u shpartallua dhe shqiptarët e ndoqën deri në dyert e Shkodrës. Venediku u detyrua të bënte paqe me Skënderbeun më 4 tetor 1448, në fushimin e ushtrisë shqiptare.
