I nderuar lexues! Demetër Fari ishte komandant ushtarak dhe regjent i mbretërisë ilire më 228-217 p.e.s. Zbatoi një politikë të paqëndrueshme si brenda vendit, ashtu edhe ndaj fuqive të mëdha rivale të kohës, Romës dhe Maqedonisë. Luajti rol negativ me pasoja të dëmshme për shtetin ilir gjatë Luftës I iliro-romake. Bëri marrëveshje me romakët të cilëve u dorëzoi Korkyrën (Korfuzi i sotëm) dhe me përkrahjen e tyre u bë pas vitit 228 p.e.s., regjent i mbretërisë ilire, të cilën e sundoi në emër të Pinit, birit të Agronit. I pakënaqur me pushtetin e kufizuar që i lejoi Senati, u kthye me fytyrë nga Maqedonia. Në fund të viteve 20 u prish edhe me Skerdilaidin, që nuk e ndoqi më pas në kursin e tij promaqedon. Duke mos mundur t’u qëndronte ushtrive romake, Demetër Fari u largua fshehurazi te Filipi V i Maqedonisë, ku qëndroi deri në fund të jetës si këshilltar i tij.
