I nderuar lexues! Deti Jon përfshihet ndërmjet pjesës jugore të Gadishullit Ballkanik dhe Gadishullit të Apenineve. Në veri bashkohet me detin Adriatik me anë të kanalit të Otrantos, ndërsa në perëndim me detin Tirren me anë të ngushticës së Mesinës. Në detin Jon ndodhen ishujt jonianë: Korfuzi, Lefkasi, Qefalonia, Itaka, Zakintosi dhe ishuj të tjerë më të vegjël. Ka thellësinë më të madhe 5121 m në pjesën jugore të tij në perëndim të kepit Matapan të Peloponezit. Kjo është njëkohësisht edhe thellësia më e madhe e detit Mesdhe. Bregdeti shqiptar i detit Jon shtrihet prej kepit të Stilos në jug deri në kepin e Gjuhës në veri me një gjatësi prej rreth 170 km. Në përgjithësi është shkëmbor dhe ndërpritet nga një sërë përrenjsh. Vija bregdetare është e thyer dhe formon kepe, gryka e gjire.
