I nderuar lexues! Bylisi është qytet ilir pranë fshatit Hekal të Mallakastrës. U zhvillua në shek.IV p.e.s. si kryeqendër e fisit ilir të bylinëve. Qyteti kishte sipërfaqe 30 ha dhe në shek.III-II p.e.s. lulëzoi si qendër politike, ekonomike e kulturore e bashkësisë të bylinëve. Qeverisej nga një këshill (buleja) dhe nëpunës të përvitshëm. Pas pushtimit romak u përfshi në provincën maqedonase, por e ruajti autonominë bashkë me rrethinat deri në shek.I të e.s., kur u kthye në koloni romake. Pas rrënimit të Apolonisë u bë qendra kryesore midis Shkumbinit e Vjosës, ndërsa në shek VI del si qendër e vetme peshkopale. Bylisi u rrënua gjatë dyndjeve barbare dhe nuk u rimëkëmb më. Qendra peshkopale u shpërngul në Ballsh.