I nderuar lexues! Gërmimet arkeologjike në kështjellën e Krujës dëshmojnë se ka qenë vendbanim ilir që në shek.III p.e.s. Përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 879 si qendër peshkopate. Është qendër e garnizoneve dhe e guvernatorëve bizantinë deri në fund të shek XII. Kruja ishte në epiqendër të shtetit të parë feudal shqiptar. Qyteti arriti lulëzim në shek.XIII-XIV. Në gjysmën e dytë të shek.XIV ishte kryeqendra e Topiajve me tregti e zejtari të zhvilluar dhe pranë kështjellës ngrihen lagjet më të vjetra. Osmanët e pushtuan për herë të parë më 1396 dhe për së dyti më 1415. Pasi osmanët morën kalanë më 1478, qyteti u rrënua dhe në shek.XVI kishte vetëm 150 shtëpi. Kruja pati sërish një gjallërim ekonomik gjatë shek.XVIII-XIX.
