I nderuar lexues! Kanali i Otrantos është ngushticë detare në Adriatikun Jugor që lidh detin Adriatik me detin Jon dhe ndan Gadishullin Ballkanik nga Gadishulli Apenin. Pjesa më e ngushtë, me gjerësi 75 km, shtrihet midis Kepit të Gjuhëzës në bregun shqiptar dhe Kepit të Otrantos në bregun italian. Gjerësia më e madhe është 140 km. Thellësitë luhaten nga 700-1100 m. Kushtet fiziko-kimike të ujit në kanal janë të njëjta me ato të detit Adriatik. Përmes kanalit të Otrantos kalojnë dy rryma detare, njëra gjatë bregut lindor nga deti Jon në Adriatik dhe tjetra gjatë bregut perëndimor nga Adriatiku në Jon.