I nderuar lexues! Me përhapjen e krishterimit në Shqipëri, pësuan ndryshime qytetet e mëparshme ilire dhe një pjesë e madhe e tyre u bënë qendra peshkopale. Qytetet e provincave ilire të Perandorisë Bizantine u pajisën me fortifikime dhe ndërtime të reja. Në Dyrrah ngrihen muret madhështore të shek.VI; të kësaj kohe janë edhe tepricat arkitektonike-shtylla, kapitele, korniza, mozaikët e ndërtime të tjera. Një qendër e rëndësishme është dhe Bylisi, ku gërmimet në qytetin e lashtë kanë zbuluar rrënojat e një bazilike peshkopale të shek.V. Karakteristike të kulturës bizantine janë edhe godinat paleokristiane të kultit, pagëzimoret, dyshemetë me mozaikë, skulptura arkitektonike e pasur dhe bazilikat e shumta të cilat dëshmojnë për një zhvillim të artit të të ndërtuarit. Kultura bizantine u përhap më tepër në shtresat e pasura qytetare.
