I nderuar lexues! Lufta e Dibrës ishte luftë kundër pushtuesve jugosllavë, për të çliruar tokat e krahinës së Dibrës. Veprimet e armatosura nisën nga mesi i gushtit 1920. Kryengritësit çliruan Peshkopinë dhe i detyruan pushtuesit të tërhiqeshin në kufirin e 1913-ës. Nga fundi i muajit gusht qeveria jugosllave me forca të shumta nisi sulmin për ripushtimin e tokave shqiptare. Përballë epërsisë së madhe në numër e armatime, forcat çlirimtare u detyruan të tërhiqen. Marshimi i agresorëve u shoqërua me terrorin më të egër kundër popullsisë vendase. Qeveria e Beogradit, në fillim të shtatorit ndërmori një sulm të ri në drejtim të Shqipërisë së Mesme, duke hyrë thellë në tokat shqiptare e duke iu afruar kryeqytetit. Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në Martanesh. Forcat jugosllave u detyruan në nëntor 1921 të tërhiqen në kufijtë e 1913-ës.
