I nderuar lexues! Prokopi i Cezaresë ishte historian bizantin i kohës së Justinianit dhe figurë politike e perandorisë. Hartoi tri vepra: “Historia e luftërave”, “Mbi ndërtimet” dhe “Historia e fshehtë”. E para, më e rëndësishmja u kushtohet luftërave të Justinianit kundër persëve, vandalëve dhe gotëve. Veprat e Prokopit të Cezaresë janë burim kryesor për historinë e kësaj periudhe, kanë pasuri të madhe faktesh, saktësi dhe vlerësime të ngjarjeve kryesore. Në to gjenden njoftime me vlerë edhe për krahinat e Ilirisë. Rëndësi të veçantë ka traktati “Mbi ndërtimet” kushtuar fortifikimeve të gjera gjatë dyndjeve barbare, në të cilën përmbahen të dhëna të vlefshme për gjeografinë dhe toponomastikën e trevës ilire.
