Pavarësisht kontestimeve të herëpashershme që bëhen për vendin e parë që del nga Festival i Këngës në RTSH, përsëri kishte mbetur një fije shprese që ishte një skenë serioze.
E gjitha kjo u rrëzua mbrëmjen e së premtes, në natën e parë të Festivalit të Këngës në Radio Televizion.
Kur kishin mbetur edhe pak minuta nga përfundimi i mbrëmjes garuese, dy prezantuesit e festivalit, që gjatë gjithë mbrëmjes bënë përpjekje prej gladiatorësh të bënin pak humor, ftuan një personazh, i cili njihet me pseudonimin Seriali, që nuk është këngëtar, por reciton për qejfin e vet dhe regjistrimet i hedh në Youtube.
Në një vend ku çdo ditë bëhet thirrje për të mos promovuar antivlerat, mbrëmjen e së premtes, ekrani që paguhet me taksat e popullit shqiptar, i jep një hapësirë disa minutëshe një personazhi që në pesë fjalë, katër i ka “me rob shpie”. E kujt ka qenë kjo ide, më rob shpie?!
Mund të parashikonim gjithçka, por deri këtu nuk na e kishte marrë mendja që do të shkonte ky Festival. Kish mbetur strehë vlerash pavarësisht debateve për çmimet, fituesit e Eurosongut.
