I nderuar lexues! Fauna endemike përfshin tërësinë e kafshëve që jetojnë në një trevë të caktuar, zakonisht të kufizuar, pra me “endemike” kuptojmë gjallesa të cilat nuk rriten në vende të tjerë. Endemizmi më i theksuar mbizotëron në rajonet e izoluara, siç janë liqenet e thella, vendet malore, ishujt etj. Kafshët endemike gjenden kryesisht në vendet malore, ku terreni mjaft i thyer e me mikroklima të shumta ka ndikuar jo vetëm në ruajtjen e kafshëve relikte, por edhe në formimin e llojeve të reja. Në zonën e Kelmendit gjenden lloje endemike të Kolembolave (kandra pa krahë). Lloje endemike takohen edhe në liqenin e Ohrit. Nga 33 lloje butakësh, 26 janë endemike. Edhe korani është lloj endemik i këtij liqeni.
