Një kujtesë e fortë varet nga shëndeti dhe vitaliteti i trurit. Edhe në moshë të madhe, truri ka aftësi të
adaptohet dhe të ndryshojë. Kjo aftësi njihet si neuroplasticitet. Janë një sërë sugjerimesh të këshilluara nga ekspertë të fushave të ndryshme, të cilat ndihmojnë në mbajtjen e shëndetshme të trurit, e për rrjedhojë edhe të ruajtjes së kujtesës. Moshat e mëdha janë ato që vuajnë më tepër nga problemet e shëndetit mendor, e veçanërisht rënies së kujtesës. Forma më e mirë për parandalimin e problemeve me kujtesën sipas ekspertëve të shëndetit publik është mbajtja e një shëndeti të mirë, që nënkupton jo vetëm sistemimin e dietës së përditshme ushqimore, por edhe mbajtjen nën kontroll të faktorëve që çojnë në dëmtimin e enëve të gjakut që furnizojnë trurin. Shkak për dëmtimin e këtyre enëve mund të bëhet neglizhenca në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme kardiovaskulare, si dhe faktorët të tjerë që nxisin këto sëmundje, siç është: diabeti, mbipesha, niveli i lartë i yndyrave në gjak, përdorimi i tepruar i alkoolit, apo duhanit. Specialistët e shëndetit publik thonë se duhet bërë shumë kujdes ndaj tensionit të lartë të gjakut dhe faktorëve të tjerë që të riskut për sëmundjet kardiovaskulare, si duhanpirja, diabeti dhe kolesteroli i lartë, pasi këto të fundit dëmtojnë masivisht enët e gjakut të trurit.
Ushqehuni shëndetshëm
Ashtu si trupi juaj edhe truri ka nevojë për energjitë e duhura, për një dietë ushqimore të shëndetshme. Për shëndetin e trurit është gjithashtu shumë e rëndësishme, jo vetëm çfarë konsumoni por dhe çfarë nuk konsumoni. Sugjerimet e mëposhtme, ndikojnë në minimizimin e risqeve për demencë dhe fuqizimin e trurit: konsumoni ushqime që përmbajnë Omega 3, fruta dhe perime, kufizoni kaloritë e tepërta – sheqerin dhe yndyrat e këqija, konsumoni çaj jeshil, konsumoni verë por në mënyrë të moderuar.
Aktiviteti fizik
Aktiviteti fizik, luan gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm, pasi rrit oksigjenimin në tru dhe minimizon rrisqet për çrregullime të cilat mund të çojnë në humbjen e kujtesës, siç mund të jenë; diabeti, apo sëmundjet kardiovaskulare. Ushtrimet fizike mund të përforcojnë efektet e substancave kimike të dobishme për trurin, si dhe të mbrojnë qelizat e trurit.
Gjumi i mjaftueshëm dhe e qeshura
Gjumi, është një faktor tjetër që ndikon në rikuperimin e trurit, ndaj mundohuni të flini sa duhet. Po ashtu edhe e qeshura konsiderohet si një ndër mjekimet më të mira të trurit. Ndryshe nga emocionet të cilat nxisin zona të kufizuara të trurit, e qeshura ka ndikim përgjatë gjithë trurit.
Kontrolloni stresin
Stresi është armiku më i madh i trurit. Stresi kronik shkatërron qelizat e trurit dhe dëmton hipokampusin, pikërisht zonën e trurit e cila përfshin ruajtjen e kujtesës.
Vitamina E mbron funksionet e trurit
Shumë e rëndësishme është edhe ndjekja e një diete të shëndetshme, e cila duhet të shoqërohet me më pak yndyra, pak kalori, si dhe shtim të vitaminave apo kripërave minerale që konsiderohen të rëndësishme për rritjen e funksioneve të trurit. Sa i takon përdorimit të vitaminave, rezulton se vitamina E konsiderohet si e shumë e dobishme edhe në mbrojtjen e shëndetit mendor, veçanërisht sëmundjes së Alzeimerit. Kjo pasi vitamina E ka veti të shumta antioksidante, të cilat parandalojnë plakjen e trurit. Janë të shumtë personat (sidomos mjeke dhe specialiste të tjerë) që marrin rregullisht një tablete vitamine E me qëllim mbajtjen e funksioneve të trurit.
Lexoni
Leximi, është i rëndësishëm dhe një nga faktorët kryesorë që ndihmojnë në forcimin e kujtesës, pasi mban trurin aktiv. Stimuluesit e trurit si fjalëkryqet apo lojëra të tjera të ngjashme janë një mjet i shkëlqyer në mbajtjen e funksioneve të trurit me kalimin e moshës. p.k/dita
