Entela Resuli
Jemi në kulmin e sezonit veror. Përveç detit, pishinat janë ato që njohin “shkëlqimin” e tyre në këtë periudhë për shkak të frekuentimit të tepërt. Kryeqyteti ka mjaft të tilla… Për të mësuar më shumë mbi kushtet higjeno-sanitare në këto ambiente dhe sa të sigurt janë ata që i frekuentojnë, ne kemi folur me kreun e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda.
Në këtë bisedë për Dita-n, kemi prekur jo vetëm pishinat, por edhe akullin, i cili një vit më parë rezultoi problematik, por duket se, situata nuk është më e njëjtë. Nga ana tjetër edhe pse ligji anti-duhan deri më tani ka rezultuar efektiv, sërish, inspektorati është vigjilent për të konstatuar çdo lloj shkeljeje.
Për problemet e verës, dhe ku duhet të kemi kujdes gjatë kësaj periudhe, Eltar Deda, rrëfehet në këtë intervistë.
-Z. Deda, sa komod ndihet një mjek në krye të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor?
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor siç e thotë edhe emri është institucion shëndetësor dhe si i tillë qenia e një mjeku në krye të tij bën që ky i fundit të ndihet relativisht komod në këtë pozicion. ISHSH është përgjegjës për të gjitha funksionet e inspektimit të Ministrisë së Shëndetësisë, me përjashtim të inspektimit të veprimtarive në fushën farmaceutike dhe për këtë arsye shtohet edhe përgjegjësia ime si Kryeinspektor. Dua të theksoj se ISHSH është një strukturë e cila për herë të parë inspekton sistemin shëndetësor shqiptar nga vetë sistemi dhe pritshmëritë janë të mëdha, ashtu siç janë edhe vështirësitë me të cilat ne hasemi çdo ditë në punën tonë.
-Cili është prioriteti juaj në këtë periudhë?
Parandalimi i krijimit të problematikave shëndetësore dhe përballimi i situatave të emergjencës në rast se do të ketë të tilla.
-Jemi në kohën kur pishinat frekuentohen shumë, mund të na thoni, a ka udhëtuar inspektorati në to dhe cilat janë rezultatet?
Po i kemi inspektuar, por duhet të keni parasysh se inspektorati nuk bën analiza, por inspekton plotësimin e kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik.
-Sa të sigurt duhet të ndihen qytetarët që frekuentojnë pishinat e kryeqytetit?
ISHSH ka inspektuar 82 pishina dhe ka lënë detyra për t’u plotësuar në një numër prej tyre me qëllim garantimin e shëndetit të qytetarëve që i frekuentojnë. Detyrat e lëna kanë të bëjnë kryesisht me regjistrat për analizat e ujit që përdoren, numrin e frekuentuesve për çdo pishinë, afishimin e rregulloreve dhe pasjen e një roje apo kujdestari që të ofrojë ndihmën e parë dhe të jetë përgjegjës për sigurinë në ujë.
-Si ta kuptojë personi që shkon e frekuenton një pishinë, që ajo është e kontrolluar dhe cilësia është sipas standardeve?
ISHSH është gjatë gjithë kohës në terren dhe në bazë të objekteve inspektuese që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi për subjektet pishina realizon inspektimin, në rastet kur konstatohen shkelje dhe rrezik për shëndetin e popullatës bëhet menjëherë ndërhyrja nga ana jonë për marrjen e masave. Deri më sot nuk ka asnjë pishinë e cila të jetë gjobitur apo mbyllur, që do të thotë se deri më tani, pishinat janë të sigurta, por kjo nuk do të thotë që puna inspektuese ndalon këtu.
-A keni hequr ndonjë licencë deri më tani për mos respektim të kushteve?
Nuk është qëllimi i punës sonë që të heqim licenca apo të marrim masa administrative. Qëllimi i punës sonë është që të ndjekim plotësimin e kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik dhe në rast se vërejmë që këto kërkesa nuk janë plotësuar për arsye të ndryshme atëherë ne si ISHSH lëmë detyrat dhe afate për plotësimin e tyre. Mosplotësimi i këtyre detyrave sjell ndërmarrjen e masave administrative nga ana jonë.
-Jo vetëm pishinat, por edhe njerëzit vetë mund të kenë probleme me trupin dhe lëkurën e tyre, dhe në momentin që futen në ujë e transmetojnë atë te të tjerët. Sa e rëndësishme është që këta njerëz të kontrollohen, përpara se të frekuentojnë ambiente të tilla?
Në rregulloren e brendshme të çdo pishine, modeli i së cilës është dhënë në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 835, datë 10.11.2011 përcaktohet qartë se kujdestari i pishinës mund t’i mohojë çdo personi përdorimin e pishinës për arsye:
- Helmimi.
- Plagësh të hapura, plagë, infeksione të lëkurës, rrufë ose shkarkime të veshit.
- Çdo situatë ose provë të cilat do të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve. Sa më sipër janë detyrimet e administratorëve/kujdestarëve të pishinave, por asnjë nuk mund të zëvendësojë kontrollin e vetë individëve ndaj vetvetes me qëllim ruajtjen e shëndetit te tyre dhe të të tjerëve.

“Kemi përmirësim të cilësisë së akullit”
Një vit më parë ISHSH zbuloi mikrobe në akull, dhe publikoi një listë me emrat e lokaleve që kishin probleme, në Tiranë e rrethe. Në atë kohë për 36 subjekte u morën masat administrative vendim-mbylljeje provizore për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të akullit pezullim dhe gjobë 500.000 lekë. I jemi rikthyer kësaj teme me kreun e ISHSH-së, pasi në këto ditë të nxehta, akulli përdoret masivisht.
-Z. Deda, një vit më parë keni bërë një inspektim në subjektet që shesin akull dhe një pjesë e mirë e tyre dolën me ngarkesë mikrobike, po sot cila është gjendja dhe cilësia e akullit që përdoren në lokale?
Po keni të drejtë, një vit më parë ISHSH kreu inspektime në 403 subjekte prodhues, ruajtës dhe shpërndarës të akullit në të gjithë vendin. Gjatë procesit të inspektimit u morën 308 mostra akulli për analiza laboratorike nga të cilat 79 mostrat dolën me rezultat pozitiv për sa i përket ngarkesave mikrobike dhe për këtë arsye është kërkuar përsëritje e analizave në 77 mostra. Në 18 subjekte është dhënë urdhër për mos përdorimin e akullit (vendim mbyllje për produktin) dhe ndërprerjen e menjëhershme të prodhimit, ruajtjes dhe shpërndarjes deri në daljen e rezultateve nga laboratorët pas përsëritjes së tyre.
Këtë vit ISHSH ka kryer deri tani inspektime në subjekte prodhues, ruajtës dhe shpërndarës të akullit në të gjithë vendin. Gjatë procesit të inspektimit janë marrë 347 mostra akulli për analiza laboratorike dhe është kërkuar përsëritje e analizave në 63 mostra, dhe në dy subjekte është marrë masë administrative prej 50 000 lekësh. Mund të themi dhe duke e krahasuar me shifrat e një viti më parë se kemi një përmirësim cilësor në lidhje me cilësinë e akullit që përdoret.
“Me mospirjen e duhanit, jemi të kënaqur”
Kur hyri në fuqi ligji anti-duhan, dy vite më parë, të shumtë ishin ata që menduan se do të ishte thjesht një aksion, i cili do e zbehte hovin e tij me kalimin ditëve, por jo, nuk rezultoi kështu. Sanksionet ishin të forta dhe u pa se, vetëm më anë të dënimit imponohet respekti ndaj ligjit…
-Z. Deda, jemi në verë dhe ndoshta kjo është periudha më e mirë për duhanpirësit, pasi kanë hapësira për të konsumuar cigaren e tyre. Po në dijeninë tuaj, sa ka funksionuar ligji anti-duhan?
Me lejoni që të përsëris fjalinë që është në Progres-Raportin e vitit 2015 të Komisionit Europian për Shqipërinë: Fjalia e përdorur është: … “Ligji për ndalimin e duhanit në ambientet e mbyllura rezultoi efektiv”. (4.27. Kapitulli 27: Mjedisi dhe ndryshimet klimatik)
-Pra nuk ishte aksion…?
Zbatimi i ligjit nga gushti i vitit 2014 nuk ishte aksion, por një nismë e qeverisë shqiptare për të zbatuar një ligj moszbatimi i të cilit përmendej sa herë që flitej për moszbatimin e ligjeve në përgjithësi në Shqipëri. Në fakt, edhe ndryshimet më të fundit në ligj, ato të vitit 2014, bënë të mundur përmirësimin e disa mangësive të vërejtura më parë në zbatimin apo moszbatimin e ligjit dhe në sajë të tyre kemi parë që ka një ulje të ndjeshme të duhanpirjes në ambiente publike jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet të vendit.
-Cili është qyteti më problematik për sa i përket respektimit të ligjit anti-duhan?
Të gjithë qytetet nga pak ishin problematike në respektimin e ligjit. Vetë përvoja negative e zbatimit të mëparshëm të ligjit në vitet e mëparshëm linte shteg për dyshime nga ana e publikut për seriozitetin që do të tregohej këtë herë në zbatimin e tij. Kjo është e kuptueshme kur mendon se për herë të parë ky ligj është aprovuar në vitin 2006 dhe zbatimi i tij i mëparshëm ka pasur vetëm dy faza shumë të shkurtra kohore dhe këto kryesisht në qytetin e Tiranës. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se ndryshimet në mentalitet janë ndryshime që duan kohë relativisht të gjatë. Këto ndryshime në mentalitetin e publikut duhet të prihen nga ndryshime në mentalitetin e ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike si në mospirjen e duhanit nga ata vetë dhe në ofrimin e asistencës së nevojshme për ata që duan të heqin dorë nga ky ves.
-Pse jemi të sigurt se ka funksionuar ligji anti-duhan?!
Të gjithë ne kur hyjmë në një ambient publik të mbyllur, nuk mbytemi më nga tymi i duhanit. Si klientët edhe biznesi janë ndërgjegjësuar që pirja e duhanit është e jashtëligjshme dhe kjo situatë është mbizotëruese. Gjithashtu edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë i dha ministrit të Shëndetësisë, zotit Ilir Beqaj, çmimin e Ditës Botërore Pa Duhan (World No Tobacco Day) në vitin 2015 në shenjë vlerësimi për punën e tij lidhur me kontrollin e duhanpirjes në Shqipëri. Kjo e tregon qartë se zbatimi i ligjit nuk ishte aksion, por pjesë e punës së përditshme të ISHSH.



Ky po eshte njeri i “punes” dhe ne interviste duket sikur po ben ndonje hartim per klasat fillore.
Si cdo malok dhe katundar edhe Deda nuk mund te beje perjashtim, me parate e dorovitura nga bizneset, gjeja e pare qe blejne eshte nje ore e shtrenjte dore me madhesine e ores se tavoline, ne cdo pozicion te dores mundohen t’a ekspozojne ate.