Çfarë duhet të dimë për regjistrimet e reja në çerdhet e Tiranës

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Jo të gjithë prindërit kryeqytetas do të kenë mundësi të sigurojnë një vend pranimi për fëmijët e tyre në çerdhet dhe kopshtet publike të kryeqytetit për vitin e ri mësimor.

Si shkak i fluksit të lartë të kërkesave, si dhe kapaciteteve të kufizuara për t’i  përballuar, autoritetet e Bashkisë së Tiranës detajojnë edhe kategoritë e fëmijëve, të cilët do të jenë prioritet në përzgjedhje, duke ju dhënë më shumë mundësi fëmijëve që janë pjesë e shtresave në nevojë, si dhe atyre që i kanë prindërit në punë.

Drejtoresha e çerdheve në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri, duke u ndalur tek planifikimet e bëra, vë në dukje se më shumë prioritet gjatë fazës së parë të regjistrimeve të reja do u jepet fëmijëve, familjet e të cilëve aktualisht trajtohen dhe janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, fëmijëve që kanë nevoja të  veçanta, apo që janë nga familje me nevoja të veçanta, fëmijëve të nënave kryefamiljare dhe nënave të  veja, si dhe fëmijëve që i kanë prindërit të punësuar në sektorin shtetëror dhe atë privat.

Procesi i regjistrimeve të reja ka nisur tashmë prej dy ditësh, ku nuk kanë munguar as kaosi dhe radhët e gjata për shkak të fluksit të madh të kërkesave që paraqiten për regjistrim në çdo njësi administrative të kryeqytetit. Aplikimet do të jenë të hapura deri ditën e premte. Regjistrimet do të lejohen vetëm sipas   vendbanimit. Çka do të thotë se prindërit duhet të paraqiten për të regjistruar fëmijën në çerdhet që i përkasin njësisë së tyre të vendbanimit, dhe jo preferencave që mund të kenë. Problematikë kjo, e cila gjatë viteve të shkuara ka qenë mjaft e theksuar, duke bërë që në disa çerdhe të ketë mbingarkesë tej kapaciteteve të lejuara.

Edhe për regjistrimet e reja të 2017-2018, katër janë dokumentet bazë që duhen për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, nëpërmjet të cilave verifikohet edhe plotësimi i kritereve të përmendura. “Në momentin që aplikojnë duhet të kenë me vete një certifikatë me fotografi të fëmijës, një certifikatë të përbërjes familjare, si dhe vërtetimin e banimit.

Ndërsa prindërit që janë të angazhuar me punë në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, duhet të paraqesin edhe një vërtetim që konfirmon se janë të punësuar, të cilit duhet t’i bashkëngjisin edhe vërtetimin e të ardhurave”, shton Zhaneta Beqiri. Prindërit që nuk arrijnë të regjistrojnë brenda afatit fëmijët do të jenë në listën e pritjes me shpresën për lirimin e vendeve.

Sipas saj, çerdhet do të qëndrojnë të hapura përgjatë gjithë sezonit të pushimeve, kështu prindërit që nuk kanë mundësi që të mbajnë fëmijën e tyre në shtëpi mund të vijojnë lirisht t’i dërgojnë në çerdhe pa asnjë shkëputje kohore.

Përgjatë dy viteve të fundit është bërë i mundur edhe rikonstruksioni dhe përmirësimi i kushteve në shumë prej çerdheve të kryeqytetit, të cilat tashmë ofrojnë kushte më të mira pritjeje për të vegjlit. Ndërkohë që këto punime do të vijojnë edhe përgjatë javëve në vijim për institucionet e mbetura.

Për shkak të fluksit të madh të kërkesave, po rishikohet edhe mundësia e marrjes së ambienteve të caktuara me qera, të cilat do të mund të përshtaten për si çerdhe dhe kopshte për pranimin e fëmijëve që nuk janë pranuar gjatë fazës së regjistrimeve.

Megjithatë, detajet në lidhje me këto mundësi do të bëhen publike përgjatë muajve në vijim. Rreth 2700 është numri i fëmijëve që kanë ndjekur çerdhet publike të kryeqytetit përgjatë vitit të shkuar dhe 6 mujorit të parë të këtij viti. Ndërkohë që me regjistrimet e reja do të ketë një rritje të lehtë pranimesh, të cilat megjithatë janë ende shumë larg përmbushjes së kërkesave reale të prindërve kryeqytetas.

 

Dokumentet që duhen për regjistrimet e reja në çerdhe:

  • Certifikata me fotografi e fëmijës që do të regjistrohet për herë të parë.
  • Certifikata e përbërjes familjare.
  • Vërtetimi i vendbanimit.
  • Vërtetimi për punësimin e prindërve bashkë me vërtetimin e të ardhurave.
  • Procesi i regjistrimeve të reja nëpër çerdhe përfundon të premten.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *