Të gjithë e dimë se është më mirë të kemi vlera të ulëta të tensionit të gjakut për të gëzuar një shëndet më të mirë dhe pa ndërlikime. Megjithatë, edhe ulja e vlerave të tensionit të gjakut nën normat e lejuara, mund të jetë problematike për shëndetin.
Një gjendje mjaft e shpeshtë me të cilën mund të përballemi gjatë përditshmërisë është edhe ajo që njihet si “Hipotensioni ortostatik”, që ka të bëjë me rënien e përkohshme të tensionit të gjakut, që ndodh kryesisht kur ndërrojmë në mënyrë të shpejtë qëndrimin nga një pozicion shtrirë, në këmbë. Kjo ndodhë për shkak se gjaku grumbullohet në gjymtyrët e poshtme, trysnia e tij bie, dhe për pasojë furnizimi i trurit me gjak pakësohet.
Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se në këtë rast pacienti mund të ndjejë simptoma të tilla, si: marrje mendsh, debulesë të përgjithshme trupore, paqartësi, pasiguri në qëndrim dhe dridhje trupi, etj. Shenja këto që mund të qetësohen me rregullimin e qëndrimit.
Sipas saj, duhet të bëhet kujdes në njohjen e faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e këtyre simptomave, si dhe të mos neglizhohet marrja e ndihmës së specializuar mjekësore në rastet kur kjo gjendje kalon në stad kronik. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat e plota të mjekes se si duhet të veproni në këto raste.
Çfarë kuptojmë me hipotension ortostatik?
Kur jemi në pozicionin shtrirë, i gjithë trupi ndodhet në të njëjtin nivel dhe gjaku qarkullon lirshëm dhe pa hasur pengesa nga koka tek këmbët, si dhe anasjelltas. Në momentin që nga ky pozicion ngrihemi në këmbë, organizmit i duhet njëfarë kohe që të përshtatet me ndryshimin e pozicionit. Dhe konkretisht, kur ngrihemi në këmbë, gjaku duhet të mposhtë forcën e gravitetit (forcën e rëndesës) dhe të qarkullojë përsëri nëpër të gjithë trupin.
Po ashtu, ndodh edhe kur ngrihemi nga pozicioni ulur në pozicionin në këmbë. Është pra, veçanërisht e rëndësishme për organizmin të shtyjë gjakun lart dhe të furnizojë trurin me oksigjen. Nëse trupi nuk arrin ta bëjë këtë në mënyrë adekuate, atëherë presioni i gjakut do të ulet dhe për pasojë do të ndihemi shumë të lodhur.
Pikërisht për këtë ulje të presionit të gjakut, si pasojë e ndryshimit të pozicionit përdoret termi: “hypotension ortostatik” (ortostatik= qëndrim i drejtë i trupit, hipo=më pak + tension). Furnizimi adekuat me gjak i organizmit varet së pari nga fuqia e zemrës për të pompuar gjakun, nga aftësia zgjeruese dhe ngushtuese e venave dhe arterieve (vazodilatacioni dhe vazokonstruksioni), si edhe nga sasia e gjakut dhe e lëngjeve brenda enëve.
Kur trupi ndryshon pozicionin, ndodhin një sërë veprimesh që përfshin sistemin kardiovaskular (zemra dhe enët e gjakut) dhe sistemin nervor autonom që ndihmon në rregullimin e funksionit të tyre. Ekziston një ekuilibër brenda sistemit nervor ndërmjet pjesës që i përshpejton proceset (nervat adrenergjikë) dhe pjesës që i ngadalëson proceset (nervat kolinergjikë).
Këto dy sisteme janë në ekuilibër me njëri-tjetrin dhe duhet t’i përgjigjen ndryshimeve rutinë që ndodhin në organizëm gjatë gjithë ditës. Kur trupi ngrihet në këmbë, menjëherë perceptohet një rënie e lehtë e presionit të gjakut për shkak të gravitetit që e shtyn gjakun drejt këmbëve. Pothuajse menjëherë vjen përgjigja nga sistemi nervor, duke bërë që të rritet fuqia pompuese e zemrës, të rritet forca tkurrëse e muskujve të zemrës, por edhe forca kontraktuese e enëve të gjakut.
Të gjitha këto veprime shërbejnë për të rritur presionin e gjakut dhe ai të shkojë mjaftueshëm në tru dhe në organet e tjera. Pa këto ndryshime, graviteti do të shkaktonte grumbullim të gjakut në pjesët e ulëta të trupit dhe larg trurit.
Cilat janë shenjat klinike të hipotensionit ortostatik?
Shenjat klinike përfshijnë: konfuzionin, të përziera, të vjella, marrje mendsh, dobësi të përgjithshme, vizion të paqartë, pasiguri në qëndrim dhe dridhje trupi.
Këto simptoma përmirësohen pasi trupi të jetë përshtatur me pozicionin në këmbë, por në jo pak raste pacienti duhet të ulet, ose të shtrihet shpejt për të parandaluar rrëzimin.
Komplikacioni më i rëndë është gjendja sinkopale (pra kur pacienti rrëzohet). Kjo vjen nga pamjaftueshmëria e gjakut qarkullues në tru, për rrjedhojë nga pamjaftueshmëria e oksigjenimit të trurit.
Çfarë e shkakton hipotensionin ortostatik?
Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
Ndër më të shpeshtët do të përmendnim: humbjen e lëngjeve, hemorragjia e shkaktuar nga gjendje të caktuara shëndetësore (veçanërisht anemive), përdorimi i medikamenteve të caktuara, shtatzania, diabeti, përdorimi i alkoolit tej normave të lejuara, apo edhe i substancave narkotike.
Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndikimin që ka secili prej këtyre faktorëve në shfaqjen e hipotensionit ortostatik.
Humbja e lëngjeve
Humbja e lëngjeve brenda enëve të gjakut është arsyeja më e shpeshtë për të zhvilluar simptomat e hipotensionit ortostatik.
Lëngjet humbasin kur sasia e konsumuar nuk përputhet me volumin e atyre që humbet trupi. Arsyet e humbjes së lëngjeve janë të vjellat, diarreja, temperatura (djersitja dhe avullimi), përdorimi i barnave diuretike (shkarkuesit).
Hemorragjitë
Po ashtu edhe humbja e gjakut për shkaqe të hemorragjisë dhe të anemive të ndryshme. Kur gjakderdhja është e ngadaltë (siç mund të jenë ulcerat e vogla), trupi mund të jetë në gjendje ta kompensojë duke e zëvendësuar vëllimin e qelizave të humbura të gjakut me ujë në qarkullimin e gjakut.
Megjithatë, herët apo vonë, mungesa e oksigjenit të gjakut do të bëjë që simptomat të zhvillohen. Përveç dridhjeve mund të kemi dobësi, gulçim dhe dhimbje gjoksi.
Ndikimi i medikamenteve
Gjithashtu, në këtë lloj hipotensioni ndikojnë dhe preparatet që përdoren për uljen e tensionit të lartë të gjakut, barnat kundër rrahjeve të shpeshta të zemrës, disa lloje antidepresivësh, viagra, etj. Këto preparate rrisin vazodilatacionin (zgjerimin e enëve të gjakut), gjë e cila çon më pas në uljen e presionit të gjakut.
Diabeti
Mjaft të predispozuar nga kjo sëmundje janë edhe pacientët diabetikë, pasi ata preken nga polineuropatia diabetike (dëmtimi i nervave periferikë nga diabeti). Dëmtimi i nervave periferikë do të çrregullojë koordinimin e tyre me sistemin kardiovaskular.
Shtatzënia
Një faktor rreziku është dhe shtatzania. Ndërsa shtatzënia përparon, vëllimi i sistemit të qarkullimit dhe presioni i gjakut priren të bien. Nivelet e presionit të gjakut kthehen në normë pas lindjes.
Përdorimi i alkoolit
Ndër të tjerë faktorë rreziku do të përmendim edhe përdorimin e drogës dhe të alkoolit. Ndaj sa më pak që këto të fundit të konsumohen, aq më i mbrojtur do të jetë edhe organizmi nga kjo sëmundje.
Si duhet trajtuar?
Simptomat kanë tendencë të jenë të përkohshme dhe të zgjidhen shpejt me përshtatjen ndaj pozicionit të ri. Pra nga shkaqet themelore do të varet edhe trajtimi i këtij problem. Pra, nëse shkaku është dehidrimi, atëherë zëvendësimi i lëngjeve do të zgjidhë simptomat. Nëse është për shkak të mjekimeve, atëherë duhen parë me kujdes dozat, apo ndryshimi i llojit të mjekimit.
Çfarë këshillash të tjera praktike mund të rekomandohen në lehtësimin e simptomave të kësaj gjendjeje?
Çorapet e kompresionit mund të ndihmojnë që rrjedha e gjakut të shkojë drejt pjesës së sipërme të trupit dhe të mos grumbullohet në këmbë. Pacientëve të tillë u rekomandohet të marrin vazhdimisht lëngje, shpesh e nga pak që të mos mbingarkohet dhe puna e veshkave. Po ashtu mund të shtohet dhe pak përdorimi i kripës.
Kjo pasi kripa lidh ujin në organizëm duke çuar kështu në rritjen e volumit qarkullues. Por kjo duhet bërë me shumë kujdes dhe nën kontroll të rregullt mjekësor të punës së veshkave, pasi dihen efektet negative të përdorimit pa kriter të kripës në organizmin tonë.
Lëngjet e humbura nga diarreja, të vjellat dhe sëmundjet e tjera të shoqëruara me ethe dhe temperaturë duhet të zëvendësohen sa më mirë që të jetë e mundur. Në çdo rast duhet që të konsultoheni me një mjek specialist për të gjitha trajtimet që duhet të ndiqni.
Ja cilat janë vlerat e tensionit arterial të cilat referojnë për hipotension?
Hipotensioni ndodh kur zemra nuk ka fuqi mjaftueshëm të punojë për të hedhur në trup sasinë e domosdoshme të gjakut që i nevojitet atij. Çdo individ ka nevojat e tij specifike për sasinë e gjakut që hidhet (pompohet, zemra është një pompë mekanike).
Përgjithësisht vlerat normale të presionit arterial konsiderohen 120 me 80 mm Hg (njësia matëse është mmHg, milimetra shtyllë zhive). Por, shumë njerëz kanë një jetë normale edhe kur presioni bie nën këto shifra. Pra, siç u theksua edhe më lart, nevojat janë individuale, në varësi edhe të aktivitetit që kryen individi dhe të stilit të jetesës.
Në këto kushte duhet të dimë se çdo individ ka normat e tij të presionit arterial dhe shëndeti i tij vihet në rrezik kur presioni i gjakut ulet nën këto vlera dhe në mënyrë të veçantë, kur këto vlera bien në mënyrë të papritur për arsye nga më të ndryshmet shëndetësore, pa paralajmërim dhe shoqërohen me shenja alarmuese.
Simtomat më të zakonshme të hipotensionit mund të përfshijnë vizion të paqartë, zbehje të lëkurës, gjendje depresioni, zalisje (gjendje të fikëti), vështirësi në përqendrim, marramendje, lodhje e përgjithshme, të vjella, frymëmarrje të shpeshta apo të sipërfaqshme. / Pranvera Kola- DITA
