I nderuar lexues!
“Kronika e Janinës” është kronikë anonime e shkruar në fillim të shek.XV. Përshkruan ngjarjet politike-ushtarake që u zhvilluan në Epir, Akarnani dhe në Etoli në gjysmën e dytë të shek.XIV. Një vend me rëndësi zënë midis tyre njoftimet mbi shtrirjen dhe veprimtarinë e shqiptarëve në këto treva gjatë 30-40 viteve të fundit të shek.XIV. Të tilla janë të dhënat për betejën e Akelout midis shqiptarëve e bizantinëve (1358), mbi krijimin e despotatit shqiptar të Artës dhe konfliktet e shqiptarëve të udhëhequr nga Gjin Bue Shpata me despotin serb të Janinës Th. Preluboviç dhe pasardhësin e tij Isau Buondelmonte dhe më në fund mbi luftërat e para të shqiptarëve me osmanët në këtë trevë.