Pranvera Kola-Dita
Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit është shoqëruar me shtim të numrit të fëmijëve që paraqiten në poliklinika dhe urgjencat e spitaleve për të marrë kujdes të specializuar mjekësor për shkak të ndërlikimeve të shfaqura nga vapa.
E ndërsa i nxehti do të shtohet edhe më shumë gjatë ditëve në vijim, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë që të bëhet kujdes veçanërisht me mbrojtjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, kategori të cilat janë ndër më të rrezikuarat nga ndërlikimet e të nxehtit.
Sëmundjet nga i nxehti tek të vegjlit
“Sëmundjet e shkaktuara nga të nxehtët është një term që i referohet gjendjeve të ndryshme
shëndetësore, siç mund të jenë djegiet nga dielli, dermatitet nga të nxehtët, krampet muskulore, situatat e tjera që rrezikojnë jetën, si dhe goditja nga i nxehti.
Në kushtet e të nxehtit ekstrem, fëmijët janë më të rrezikuar se të rritur për të shfaqur këto ndërlikime shëndetësore, e kjo për shkak të faktit se trupi i tyre nuk është i aftë që të përshtatet me ndryshimet e temperaturave, pasi qendra e rregullimit të temperaturës tek të vegjlit është e papjekur, aftësia për djersitje është më e paktë, masa e trupit është më e vogël, po ashtu edhe vëllimi i gjakut.
Në çdo rast, ata mbështeten tek të tjerët për të rregulluar temperaturën e mjedisit të tyre, apo dhe për të siguruar marrjen e lëngjeve të nevojshme”, vënë në dukje specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, temperaturat e larta shkaktojnë stresin nga të nxehtët tek foshnjat dhe fëmijët, gjendje e cila shoqërohet më simptoma paralajmëruese, për të cilat duhet të kërkohet menjëherë ndihmë.
Simptomat e stresit ndaj të nxehtit
Për të zbuluar në kohë nëse fëmija juaj po përjeton një shqetësim të tillë, duhet të vëreni nëse shfaq shenja të tilla, si: të ndihet dhe të duket i lodhur në mënyrë të papritur, gjendje e cila vazhdon për disa orë, kur ka rritje të shpejtë të temperaturës trupore, pakësim të sasisë së urimit, shenjë e cila tek foshnjat vërehet nëpërmjet numrit të ulët të pampersave që ju i ndërroni, ndërsa tek më të rriturit tek numri i ulët i vajtjeve në tualet.
Ndër shenjat e tjera të cilat nuk duhet të neglizhohen në asnjë rast janë edhe prania e etjes së shtuar dhe në rastet kur fëmija përgjumet refuzon që të pijë. Duhet të vëreni me kujdes edhe gojën dhe sytë. Kështu, nëse dhe sytë janë të thatë (qan pa lot), duhet të bëni kujdes dhe të kërkoni ndihmë mjekësore. Të tjera shenja dalluese janë edhe dhimbjet e kokës, si dhe ato muskulore, përgjumja dhe këputja e vazhdueshme që shfaq fëmija.
Në rastet kur gjendja mund të jetë më e rëndë, fëmija shfaq konfuzion, frymëmarrje të vështirësuar, e cila më pas mund të shoqërohet edhe më të vjella. Ndërsa shenja më e rëndë është gjendja e komës, që ndodh në rastet kur fëmija nuk reagon kur i flisni, apo kur e prekni.
Sa më shpejt që të merret ndihma mjekësore në prani të këtyre shenjave, aq më të pakta do të jenë edhe pasojat në shëndetin e fëmijës. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se kur konstatoni shenjat e stresit të të nxehtit tek fëmijët duhet që të kontaktoni menjëherë me mjekun tuaj specialist për të marrë ndihën e nevojshme në kohë.
Disa këshilla që nuk duhen neglizhuar
Për të shmangur shqetësimet e përmendura më lart, duhet të bëni kujdes dhe të mos ekspozoni fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj, duhet të përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat, t’u lagni flokët shpesh, t’u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje që të jenë të certifikuara me markën CE, duhet të përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20, dhe në javën e parë të ekspozimit në diell duhet që të përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50.
Gjithashtu edhe veshjet duhet të jenë sa më të lehta dhe të përshtatshme, kryesisht prej pambuku ose liri. Ambientet ku qëndron fëmija duhet të mbahen të freskëta, me temperaturë deri 25 gradë C dhe lagështi normale. Ajrosja duhet të bëhet vetëm në mëngjes herët dhe natën, ndërsa gjatë ditës duhen mbrojtur dritaret e ekspozuara ndaj diellit.
“Kontrolloni rregullisht temperaturën e trupit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, nëse nevojitet, rifreskoni trupin e tyre me një dush të ngrohtë ose leckë të lagur. Jepuni të pinë ujë, por jo të ftohtë, më mirë ujë natyral sesa lëngje të tjera, në sasi të vogla, ngadalë dhe shumë herë në ditë. Shmangni pijet e gazuara. Fëmija që ushqehet vetëm me gji deri në 6 muaj, edhe pse është nxehtë nuk ka nevojë për ujë sepse e merr nga qumështi i gjirit. Nëse fëmija ka temperaturë, ai ka nevojë për më shumë ujë”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së në udhëzuesin këshillues të përgatitur mbi masat që duhet të merren për të mbrojtur të vegjlit nga efektet dhe ndërlikimet e vapës.
Kujdesi për aktivitetet fizike
Fëmijët nën 6 muaj asnjëherë nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit. Duhet ta dini
se, edhe nën ombrellë ata nuk janë të mbrojtur nga të nxehtët dhe rrezet e dielli. Fëmijët më të rritur duhet të shmangin aktivitetin fizik jashtë, gjatë orëve të nxehta.
Fëmijët duhet të pinë ujë para dhe gjatë aktivitetit fizik, edhe kur luajnë, për të kompensuar humbjet e lëngjeve për shkak të djersitjes.
Mos i lini fëmijët pa mbikëqyrje në vende të mbyllura, të pambrojtura nga të nxehtët dhe të ekspozuara ndaj diellit, p.sh. në tenda apo në makinë, veçanërisht gjatë orëve të nxehta të ditës.
Disa shenja të stresit nga të nxehtët tek fëmijët janë:
- Foshnja duket i lodhur.
- Rritje e temperaturës trupore.
- Pakësim i sasisë së urinimit (numri i pampersave të lagur).
- Etje e shtuar (dhe më pas kur fëmija përgjumet refuzon të pijë).
- Gojë dhe sy të thatë (qan pa lot).
- Dhimbje koke, apo muskulore.
- Përgjumje dhe këputje.
- Frymëmarrje e vështirësuar.
- Të vjella.
- Gjendje kome.
Ndërlikimet e të nxehtit tek fëmijët:
- Irritim të lëkurës nga nxehtësia, puçrrat e vapës. Puçrra të vogla të kuqe shfaqen në pjesët ku trupi është më i nxehtë, sidomos në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve.
- Çrregullime diarreike. Diarreja karakterizohet nga të dala të ujshme e të shpeshta të fëmijës (6-7 herë në ditë te foshnjat). Diarreja është më e shpeshtë te fëmijët nga 6-muajsh deri në 2 vjeç.
- Të vjella. Diarreja mund të shoqërohet edhe me të vjella, e cila është shenjë e infeksioneve të shkaktuara nga viruset, apo bakteret. Infeksionet nga viruset, apo bakteret shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta, apo nga ushqimet e infektuara.
- Herpes simplex është infeksion i lëkurës i shkaktuar nga virusi me të njëjtin emër, shfaqet në formën e plagës dhe kalon nga prindërit tek fëmija me anë të puthjes. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla rreth buzës dhe poshtë hundës, të cilat bashkohen dhe formojnë plagë. Fëmija duhet çuar te mjeku, dhe nuk duhet lejuar të prekë fytyrën.
- Konjuktiviti që shoqërohet me djegie ose skuqje të lehtë të syve, ndjenjën e hyrjes së diçkaje në sy, frikën nga drita, etj.
- Keratito-konjuktiviti që shoqërohet me dhimbje të syve, sy që hapen me vështirësi, sikur janë plot me rërë, turbullim të shikimit, etj.
- Katarakti (perdja e syrit ). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, rreth 20 për qind e këtyre rasteve shkaktohen nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë, dhe janë shkaktari i parë i verbimit në botë. Edhe pse katarakti shtohet me moshën, ekspozimi në diell është faktori i zhvillimit dhe shpejtimit të tij.
- Goditje nga dielli si pasojë e ekspozimit të fëmijës në rrezet shumë të forta të diellit. Fëmija djersin, humbet lëngjet dhe dehidrohet.
p.k/dita

Hi there eveey one, here every person is sharing such experience, so it’s pleasant to
read this webpage, and I used tto pay a quick
visit this weblog everyday.
Thanks for finally talking about >Çfarë është stresi nga
të nxehtët tek foshnjat dhe fëmijët? |Gazeta Dita <Loved it!