I nderuar lexues! Kuvendet ballkanike (shek.XVII) ishin kuvendet e krerëve të lëvizjes antiosmane të popujve të Ballkanit. Në kuvendet ballkanike u hartuan projekte për çlirimin e Ballkanit, ku një peshë të madhe pati edhe përvoja e shqiptarëve. Që në vitin 1608 në manastirin e Moraçës pranë liqenit të Shkodrës, u mbajt një kuvend ndërmjet krerëve shqiptarë, serbë, malazez e maqedonas. Kuvendi i parë me përmasa të përgjithshme ballkanike u mbajt në zemrën e Maleve Shqiptare, në Kuç, në verën e vitit 1614. Me të tilla përmasa u mbajtën edhe Kuvendi i Prokupit më 1616 dhe i Belgradit më 1620. Në të tri kuvendet shqiptarët u përfaqësuan si unitet më vete.
