I dashur lexues! Është fjala për një nga përplasjet e para ballore (1385) të shqiptarëve me pushtuesit osmanë. Nën udhëheqjen e Balshës II, forcat shqiptare i dolën përpara një ushtrie kalorësish osmanë të komanduar nga Timurtashi, një prej udhëheqësve më të sprovuar ushtarakë. Beteja u zhvillua më 25 shtator në Savër pranë Lushnjës. Ushtria e Balshës synonte t’u zinte rrugën osmanëve që pasi kishin shtënë në dorë Manastirin dhe Thesalinë, godisnin pareshtur tokat shqiptare. Invazorët përfituan nga grindjet e brendshme mes sundimtarëve vendas, një prej të cilëve, Karl Topia, iu drejtua atyre për ndihmë. Duke nënvlerësuar forcën osmane ushtria shqiptare u doli atyre para me nxitim dhe pa përgatitjen e duhur. Si rrjedhim, ajo pësoi disfatë dhe Balsha mbeti i vrarë në fushëbetejë. Kësisoj, u hap rruga e depërtimit osman në brendësi të trojeve shqiptare.
