I nderuar lexues! Kongresi i Dibrës (1909) ishte mbledhje e organizuar nga Komiteti Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me karakter të përgjithshëm osman. Kishte për qëllim të bashkonte, nën flamurin e osmanizmit, vendet e Turqisë evropiane, e veçanërisht klasat drejtuese të Shqipërisë. Morën pjesë 325 delegatë nga qytetet e ndryshme të vilajeteve të Turqisë evropiane, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Kongresi miratoi një program prej 17 pikash. Pjesa e parë prej 5 pikash, përfaqësonte programin osman të paraqitur që në fillim nga xhonturqit. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë prej 12 pikash që iu imponua Kongresit prej atdhetarëve shqiptarë, u përfshinë edhe disa nga kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me karakter kulturor. Atdhetarët shqiptarë e shndërruan Kongresin në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
