I nderuar lexues! Megali Idea (Ideja e madhe) ishte platformë politike e qarqeve shoviniste greke që synonte, duke filluar prej fundit të shek.XVIII, krijimin e një shteti të madh grek në kufijtë e Perandorisë Bizantine, ku do të përfshiheshin edhe troje të banuara nga popullsi të tjera ballkanike (shqiptarë, maqedonas, bullgarë etj.) Si platformë politike shtetërore Megali Idea u ngrit në Asamblenë Kombëtare të Greqisë (1844), kur kryeministri J.Koleti e shpalli atë themel të ekzistencës politike të Greqisë. Gjatë shek.XIX dhe në fillim të shek.XX nga Megali Idea u frymëzuan qarqet drejtuese të Athinës në marrëdhëniet ndërkombëtare duke mbajtur qëndrim agresiv ndaj popujve fqinjë të Ballkanit. Në fillim të shek.XX shovinistët grekë u orvatën ta realizonin Megali Idenë në Shqipëri nëpërmjet të ashtuquajturit Vorio-Epir, domethënë aneksimit të krahinave të Korçës dhe Gjirokastrës.