I nderuar lexues! Nizami ishte ushtria e rregullt e Perandorisë Osmane, më pas edhe ushtari i rekrutuar në këtë ushtri. Organizimin e nizamit e nisi në fillim të shek.XIX Selimi III, por pa sukses. Për mbajtjen e nizamit në viset shqiptare ai përdori të ardhurat e timareve të braktisura në sanxhakët e Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit. E vazhdoi me energji këtë reformë, në kuadrin e përgjithshëm të Tanzimatit, Mahmudi II. Pas shembjes së pashallëqeve shqiptare, filloi në Shqipëri në vitet ’30 rekrutimi i rregullt i ushtarëve nizamë, i kryer me dhunë përballë një qëndrese të përgjithshme. Që nga viti 1839 reforma ushtarake u thellua më shumë. Duke larguar nga vendi për një kohë të gjatë ose përgjithmonë forcat më të shëndosha e produktive, nizami dëmtonte rëndë ekonominë e vendit. Zbatimi i nizamit u bë një nga shkaqet për shpërthimin e kryengritjeve të viteve ’30 të shek.XIX.
