I nderuar lexues! Protokolli i Korfuzit (1914) ishte akt që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nënshkroi me qeverinë greke, në emër të qeverisë së V.Vidit. Ishte një lëshim që i bëhej politikës shoviniste greke, e cila synonte të pengonte zbrazjen nga ushtritë greke të Shqipërisë së Jugut dhe aneksimin më vonë të këtyre krahinave. Sipas Protokollit të Korfuzit, vendosej një pozitë e veçantë e krahinave të Jugut duke u njohur atyre njëlloj autonomie që përfshinte si pika kryesore: një administratë më vete si dhe një xhandarmëri lokale që do të vepronte vetëm në krahinat jugore. Njihej greqishtja si gjuhë e vetme fetare e komuniteteve ortodokse, ndërsa në shkolla, në organet shtetërore e gjyqësore greqishtja do të ishte e barabartë me gjuhën shqipe. Protokolli i Korfuzit shkelte rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar, duke krijuar një lloj autoriteti të veçantë brenda tij. Protokolli nuk u realizua në sajë të qëndresës së popullit shqiptar.
