Kur në mars të 2009-s fotografi Rob Honstra dhe producenti i filmave Arnold van Bruggen, të dy holandezë, mbërritën për herë të parë në aeroportin e Soçit, ky i ngjante më shumë një stacioni të vjetër autobusi se sa një pike turistike ndërkombëtare. Soçi ishte një qytet modest, me dimensione mesatare, i kacavjerrë pas kujtimit që shumë rusë kanë ende për të: si destinacioni më i rëndësishëm i turizmit veror në Bashkimin Sovjetik – Riviera Ruse. Në qytet nuk kishte një port tregtar dhe të gjitha produktet mbërrinin duke kaluar nga një rrugë e vetme, e shtrirë buzë vijës bregdetare. Ajo ishte gjithnjë e bllokuar nga trafiku, pasi ashtu e ngushtë dhe gjarpëruese, nuk ishte e projektuar për transportin e rëndë.
Kur në 2007-n nga kryeqyteti i Guatemalës, komiteti olimpik zgjodhi që Olimpiadat Dimërore të mbaheshin në qytetin e panjohur rus, Honstra dhe van Bruggen u befasuan, pasi kurrë më parë ato nuk ishin zhvilluar në një rajon i cili binte në një kontrast aq të ashpër me pompozitetin e lojërave.
Që nga ajo kohë dhe në 6 vitet në vijim udhëtuan dhe dokumentuan atë copëz të vogël bote, me bindjen se në shumë aspekte ardhja e olimpiadave do ta kishte shndërruar Soçin. Në vetëm 20 km distancë ndodhet zona e luftës e Abkhazisë. Në lindje malet e Kaukazit zgjaten përgjatë luginave të errëta e të varfra të Çeçenisë dhe Osetisë së Veriut. Në bregun e qytetit ngrihet sanatoriumi i erës sovjetike dhe disa nga hotelet më të shtrenjta, gjithashtu baret e lokalet e rivierës ruse. Në 2014-n territori rreth Soçit nuk është më ai i dikurshmi.
Puna 6-vjeçare e Rob Honstra-s dhe Arnold van Bruggen-it rezultoi në një dokumentar të gjatë, të pasur me materiale në video, foto dhe shënime të çdo lloji. “The Sochi Project” (Projekti Soçi) rrëfen jetët dhe historitë e qytezës: tregon për sanatoriumin e vjetër “Metallurg”, për hotelet e mëdha me kazino dhe klube striptizi, për rusët që çdo verë shkojnë me pushime dhe për ata që jetojnë e punojnë atje gjatë gjithë vitit dhe për Olimpiadat. Nuk mungon skepticizmi në lidhje me to. Po ashtu, dokumentari tregon për tensionet e mëdha dhe konfliktet nëpër të cilat po kalon i gjithë Kaukazi verior, një nga rajonet më të varfra e të dhunshme të Rusisë. Dy holandezët që kanë udhëtuar nëpër të gjithë rajonin shpesh janë ndaluar dhe pyetur si nga policia edhe nga rebelët çeçenë, në fund ia dolën të tregojnë një pjesë jete të vendit që nuk ka qenë më parë në vëmendjen e mediave dhe opinioni publik. Ja disa copëza të dokumentarit:
Hamzad Ivloev, 44 vjeç, punonte si polic në Karabulak. Kjo deri sa pika e kontrollit ku kryente shërbimin, u sulmua nga rebelët, një grup i armatosur, i vendosur për ngritjen e një emirati islamik në veri të Kaukazit. Bashkë me kolegët e tij, Hamzad arriti t’i dëbonte rebelët por gjatë kthimit në vendin e punës hasi në një kurth: një granatë e vendosur brenda një gote, e cila me lëvizjen më të vogël do të shpërthente. Në atë moment të tjerët ishin duke ardhur, ndërsa Hamzad nisi t’ju bërtiste që të mos afroheshin e të vraponin larg. Kur askush nuk i ktheu përgjigje, ai vendosi të hidhej mbi granatë. Nuk humbi jetën, por doli prej andej i gjymtuar, pa këmbë, pa krahun e djathtë dhe i verbër. “Dëgjoj radion dhe flas me fëmijët e mi”, – tregon, por në pjesën më të madhe të kohës mendon për atë natë, – “Nëse kolegët e mi do të më kishin kthyer përgjigje… Nuk bënë asgjë! Tani që e mendoj, them se nuk ia vlejti, u sakrifikova për disa burracakë”, kujton me hidhërim Hamzad. Karabulak, 2012.
Olga, 29 vjeçe, është menaxherja e “Art Klub”, klubi i striptizit në hotelin “Zhemchuzhina” (Perla), në qendër të Soçit. Olga kërcen që prej moshës 9 vjeçe dhe tërbohet kur njerëzit nuk kuptojnë që striptizi është thjesht një formë arti. Ëndërron të ketë një familje dhe fëmijë, por çfarëdo që të ndodhë në jetën e saj do të vazhdojë të kërcejë. Soçi, 2012.
Ja dhe një grup aktivistësh të shqetësuar për dhunimin e të drejtave të njeriut dhe impaktin e dëmshëm ambiental, pasojë e ndërtimit të impianteve të Olimpiadës. Soçi, 2009.
Një foto grupi në shkollën e arteve marciale në Osmanyurt. Në veri të Kaukazit, artet marciale janë sporti më popullor dhe praktik, ndërsa të rinjtë që fitojnë medalje në olimpiadat kombëtare shihen si gjysmë-hyjni këtu. Banorët e zonës të shohin shtrembër nëse thua që nuk njeh Ali Aliev apo Buëaisar Saitiev, ish-kampionët olimpikë të arteve luftarake.
Është bërë zakon që restorantet në Soçi dhe (në të gjithë kombin rus) të punësojnë këngëtarë që çdo mbrëmje të shfaqen me të njëjtin repertor të këngëve ruse. Ideja e muzikës në sfond nuk është popullore në këto anë, e në vend që të bisedojnë teksa bëjnë porositë, klientët këndojnë dhe kërcejnë nën tingujt e muzikës me volum të lartë. Soçi, 2011./ D. Gjuzi