I nderuar lexues! Kanionet janë lugina shumë të thella e të ngushta në trajtë grykash, me shpate të thikëta gati pingule, me fund që zakonisht zihet i tëri nga një shtrat lumi ose përroi. Thellësitë e kanioneve mund të shkojnë nga disa dhjetëra në qindra metra. Në Shqipëri kanionet janë shumë të përhapura në të gjithë vendin. Më të njohurit janë: kanioni i Shoshanit në Valbonë, kanioni i Thethit, kanionet e Osumit, kanionet e Devollit, kanionet e Vjosës dhe degëve të saj, kanioni i Shkopetit etj. Pamje madhështore ka kanioni i Gjipesë, i formuar në përroin me të njëjtin emër në bregdetin e Jonit. Për shkak të pamjes madhështore, kontrasteve të mëdha të natyrës etj., kanionet kanë vlera turistike e mjaft janë shpallur monumente natyre.
