I nderuar lexues! Kanunet e veçanta (lokale) janë vendime, marrëveshje a besëlidhje me norma juridike të pashkruara a të shkruara të së drejtës zakonore, që kanë vepruar brenda një katundi, krahine, dhe në raste të veçanta, edhe në shkallë ndërkrahinore. Ato shënojnë një etapë të re në zhvillimin e së drejtës zakonore shqiptare: kalimin nga e drejta e pashkruar në të drejtën zakonore të shkruar. Janë përgjithësisht norma të reja, të dala nga praktika, për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore në një stad tjetër të zhvillimit të shoqërisë në krahinat malore nga gjysma e dytë e shek.XIX deri në fillim të shek.XX. Në kanunet e veçanta hyjnë: kanuni i katundit Kastrat, marrëveshja midis Shalës dhe Nikajt, marrëveshja ndërmjet Nikajt e Currajt, vendimi i katundit Vukël etj. Të gjitha këto kanune janë të botuara.
