Duke shikuar me vëmendje disa foto të vjetra të zonës pikante të Durrësit antik, vëren se megjithëse vendet dhe objektet janë akoma ku u fotografuan, përmasat e objekteve janë reduktuar shumë. Një foto që i përket vitit 1900, rreth 12 vite para para shpalljes së pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, tregon mjaft qartë një hyrje të kalasë së Durrësit e cila të nxirrte mbi zonën ku atëherë ndodhej nën tokë Amfiteatri Romak i Durrësit. Kjo hyrje ndodhet edhe sot. Por e reduktuar dhe e transformuar. Ashtu siç ka ndodhur në shumë zona të tjera të këtij qyteti, ku gjithkund janë përpjekur që të shkulin me gjithë mish këmishën historike të këtij qyteti, i cili për hir të së vertetës ka qenë dhe mbetet një dinosaur i datimit dhe i konservimit të kulturës historike të vendit tonë ndër shekuj, edhe në këto zona të dukshme janë shkulur me dhjetëra m3 traktate muresh historike. Një pikturë e viteve 1983 e piktorit Stavri Nano, paraqet këtë zonë me mure të reduktuara, ndërsa në një foto të bërë para dy ditësh, porta është tashmë e futur në mengenenë e mureve të reja të betonit demokratik që u derdh dhe po derdhet pa kursim mbi historinë e lashtë të vendit. Të njëjtën pamje na sjell edhe një foto e pakmëvonshme e Torres Veneciane të Durrësit. Traktate muresh janë fshirë si në shumë zona të tjera. Fotot që ruhen nuk janë vetëm kujtesë, por njëkohësisht janë edhe akuzë për ato breza që e administruan Durrësin, “këtë xhevahir të kulturës romake”, siç e ka cilësuar Romano Prodi gjatë një vizite të bërë në Bashkinë e Durrësit së bashku me bashkëshorten e tij.
KRYQI I MEANDRIT
Para disa viteve, në Durrës u bë një zbulim i bujshëm. Në lagjen 11 të këtij qyteti është bërë zbulimi i Kryqit të Meandrit. Fotoja e këtij objekti nuk ekziston më kërrkund. As në kartolina e as në guidat turistike të qytetit, megjithëse do të tërhiqte vëmendjen e shumë vizitorëve të huaj dhe vendas. Fotoja që po paraqesim për lexuesit është siguruar me vështirësi duke kërkuar në kronikat televizive të asaj periudhe. Dhe ato pamje, të marra vjedhurazi gjatë gërmimeve pasi nuk lejohej të filmohej si territor privat?! Po edhe më vonë nga Instituti i Monumenteve nuk është publikuar kjo foto. Ç’ka ndodhur tashmë? Objekti arkeologjik i cilësuar me shumë vlerë, është zhytur i tëri poshtë llumrave të ujrave të zeza të një pallati që është ndërtuar mbi të, në mes të qytetit të Durrësit. Dhe nga informacioni i siguruar ai nuk ndodhet as në inventarin e monumenteve…. zbulimi arkeologjik i vitit 2005 është jashtë inventarit. Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kanë “harruar” një objekt të zbuluar 9 vite më parë në Durrës. Kryqi i Meandrit (kryqi i thyer ilir), mozaik i zbuluar në vitin 2005, tashti është pjesë e basenit në fund të një pallati të zhytur mes ujërave të zeza. Edhe një herë përsërisim se objekti ndodhet në qendër të qytetit antik.
ZBULIMI DHE HARRIMI I KRYQIT TE THYER
I projektuar në një banesë antike si pjesë e dyshemesë luksoze të asaj periudhe, tashmë është “dënuar” që të kaloje një periudhë të vështirë të CV-së së tij nën ujërat e zeza të një bodrumi. Pasi kur u zbulua, simboli mitologjik i diellit, i shprehur në formën e kryqit të thyer, është cilësuar si zbulimi i shekullit në Durrës. Atë periudhë është trumbetuar se është zbuluar një mozaik të rrallë nga gërmimet që po kryheshin nga specialistë të departamentit të arkeologjisë në Durrës. Shefi i Departamentit të Arkeologjisë për Durrësin, Afrim Hoti, i cili drejtonte punimet, ka bërë publike në atë periudhë përmasat e mozaikut. Ishte mozaik me sipërfaqe prej 7 m katrorë, i punuar në teknikën bardhezi. Në mediat e kohës u shkrua se mozaiku i famshëm i përkiste shek. I të e.s, pra me një moshë afërsisht dymijëvjeçare. Sipas Hotit, “mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje”. Ka formën e kryqit të thyer. “Pjesë të këtij simbolli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve”. Hoti konfirmoi në vitin 2005 se “përreth zonës, në të cilën ndodhet mozaiku, janë zbuluar dhe afreske floreale që i përkasin të njëjtës periudhë, shek. I të e.s.”, dhe se “mozaiku është në gjendje relativisht të mirë, në një kohë që do të jenë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ata që do të vazhdojnë punimet e mëtejshme në këtë mozaik që zbulohet për herë të parë në qytetin e Durrësit”. Për Dr. Hotin, punimet duhet të ishin “tepër delikate, pasi në fragmente të veçanta të mozaikut ka elementë betoni që duhet të largohen me kujdes për të mos dëmtuar guralecët që ndodhen poshtë tyre. Rreth 70 për qind e mozaikut është në gjendje të mirë. Gurët e zinj nga koha kanë marrë një refleks blu të errët”.
Mozaiku doli në dritë nga gërmimet për hapjen e themeleve të një pallati në lagjen 11 të qytetit të Durrësit, ku u zbuluan rrënojat e një lagjeje antike. Me të hasur shtresën arkeologjike, Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Durrës dhe Departamenti i Arkeologjisë kanë ndërprerë punimet dhe pas udhëzimeve të IMK-së, një grup arkeologësh punuan për nxjerrjen në dritë të plotë të këtij zbulimi me shumë vlerë. Ndërkaq, një grup tjetër arkeologësh, siç u deklarua në atë periudhë, punoi në parcelën arkeologjike të po kësaj lagjeje ku fillimisht janë zbuluar gjurmët e një insule (lagje antike), e cila mendohet se i përket periudhës antike, më saktë të fillimit të kolonisë romake dhe në vazhdim. Nën themelet e pallatit të mbuluar tashmë me ujëra të zeza, u gjendën struktura kthinash të teknikës së njohur të ndërtimit romak, të cilat ndeshen dhe në amfiteatrin e Durrësit. Po kështu, në një parcelë me sipërfaqe rreth 600 m katrorë është grumbulluar një lëndë e pasur arkeologjike, për të cilën u tha se u përpunua imtësisht. Sipas arkeologut Hoti, interesant është fakti se si rrallëherë në këtë lagje antike përplaseshin disa periudha, duke filluar nga ajo helenistike, romake deri në periudhën bizantine. Pallati shumëkatësh që do të ndërtohej në këtë zonë, ka pasur leje nga KRT-ja e bashkisë së Durrësit dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, por me zbulimin e gjetjeve arkeologjike, punimet janë ndërprerë fillimisht deri në zbulimin e plotë të objektit. Mendohet që gërmimet të zgjeroheshin në një zonë më të gjerë se sa po gërmohej, ndërkohë që u deklarua se ishte vetëm IMK-ja që do të vendosë për të lejuar ose jo vazhdimin e ndërtimit. Pikërisht në rrënojat e mureve të insulës janë zbuluar dhe 10 skelete, të cilat mendohet se u përkasin shekujve 7-9. Lagjja antike mendohet se është një lagje e vogël, që përmbledh një numër të kufizuar banesash me anekse shërbimi. E gjithë insula ishte e përshkuar nga rrugica. Gërmimet e mëtejshme dhe dokumentimi i tyre do të hidhnin dritë në pasuri të tjera arkeologjike që fsheh kjo zonë. Kjo ishte situata, punimet dhe deklarimet e vitit 2005.
PARADOKSI
Fotot që po paraqesim, tregojnë jetesën e sotme të Kryqit të Menadrit, i cili, sipas zbuluesit të objektit në fazën e parë të punimeve, arkeologut të ri të talentuar Edi Shehu, ka një rëndësi të veçantë edhe si objekt i rrallë i kulturës sonë kombëtare, por edhe si objekt që është gjendur dhe ruajtur ne vendin e vet. Shehu thotë se është fatkeqësi që ai ka përfunduar tashmë në pjesën fundore të një “koshi”mbeturinash, siç është baseni i ndotur me ujëra të zeza. Por paradoksi është evident kur merret vesh se ky objekt që u vlerësua me nota maksimale ne vitin 2005 kur u zbulua, nuk është i regjistruar në listën e monumenteve të qytetit të Durrësit. Ekspertët rajonalë të Durrësit thonë se veprat e zbuluara kanë status vetëm 6 muaj pasi konstatohen dhe më pas duhen bërë procedurat. Tashmë objekti i rrallë nuk ndodhet ne asnjë inventar, pasi IMK-ja nuk ka treguar interes. Shkaku duhet kërkuar te leja për të vazhduar ndërtimin e pallatit, ujërat e zeza të të cilit tashmë e rrënojnë çdo ditë kryeveprën e painventarizuar të kulturës sonë kombëtare. Madje mund të ketë edhe dyshime nëse ndodhet ende apo është rrënuar apo edhe grabitur. Gjithçka ka mbetur brenda një shurdhërie… Në këtë pjesë të vogël të një lagje të Durrësit të lashtë, konstatohej ndërthurja e kulturave ilire, helene, romake dhe bizantine. Për shumë e shumë arsye, zbulimi duhej të mbetej i hapur… ishte dëshmi e historisë së Durrësit, histori të cilën qyteti ende nuk po mëson ta vitalizojë dhe të vërë në shërbim të zhvillimit të vet ekonomik. Përkundrazi, ajo që shihet është një lloj qasjeje për ta dëmtuar e shkatërruar atë. Këtë fat ka pësuar edhe ish zona e lulishtes “1 maji”. Specialistët thonë se zbulimet e atjeshme do të revolucionarizonin historinë e Durrësit duke i përmbysur kryekëput të dhënat e deritanishme të themelimit të qytetit, kjo për shkak se shtresëzimet stratigrafike kanë çuar themelet në mjaft thellësi shekullore, pasi janë zbuluar edhe shtyllat e drunjta të periudhës së palafiteve. Që e çojnë gjenezën e qytetit në disa mijëvjeçarë më shumë lashtësi… në periudhën e neolitit. Po asgjë nuk është bërë e ditur publikisht për këto zbulime të bëra në qendër të qytetit dhe të cilësuara deri më tani si Pompeu Durrsak.


