I nderuar lexues! Defteri ka qenë regjistër i kadastrës osmane në të cilin shënoheshin tokat, vendbanimet, popullsia e nënshtruar fshatare dhe qytetare, ndarja e tyre si feud midis spahinjve, herë-herë edhe disa nga taksat në dobi të shtetit osman. Me anë të defterëve mbahej nën kontroll pronësia feudale mbi tokën e mbi fshatarët raja dhe vihej në jetë i gjithë regjimi feudal ushtarak osman. Regjistrimet e para kadastrale në tokat shqiptare janë bërë në Shqipërinë Jugore e Qendrore (1431), në Kosovë (1455), në zotërimet e Kastriotëve (1467) dhe në krahinat e Shqipërisë së Veriut (1485). Defterët kadastralë janë burime dokumentare me vlerë historike, sepse përmbajnë të dhëna të rëndësishme ekonomike, shoqërore, politike, gjuhësore etj.
