I nderuar lexues! Shtëpia e zjarrit ka qenë kthinë kryesore e banesës tradicionale shqiptare. Në shtëpitë njëkthinëshe fshatare dhe në variantet e thjeshta të banesës qytetare kishte disa funksione: gatim, ndenjje e fjetje. Në banesat me gjysmëkat vendosej në pjesën fundore përdhese, me vatrën mbi truall. Në banesat trekatëshe të Shqipërisë Veriore zë vend në katin e dytë. Në disa raste ndërtohet më vete, përdhese. Vend të rëndësishëm shtëpia e zjarrit zë në banesën tiranase dhe në banesat e vjetra myzeqare, ku përbën qendrën kompozicionale të ndërtesës. Në banesat e zhvilluara kjo kthinë e humbi vendin e rëndësishëm dhe përdorej vetëm për gatim, ose u kthye në dhomë ndenjeje.
