I nderuar lexues! Argatët kanë qenë punëtorë krahu, kryesisht fshatarë të varfër, që detyroheshin të punonin me mëditje sipas stinëve ose në mënyrë të përhershme, zakonisht në bujqësi dhe ndërtim. Në Shqipëri, në kushtet e sundimit osman, argatët shkonin për të gjetur punë brenda vendit ose në provinca të afërme, madje edhe të largëta të Perandorisë Osmane. Vinin sidomos nga trevat malore të varfra dhe pa burime ekonomike. Argatët organizoheshin në grupe të vogla dhe mëditjen e merrnin në natyrë ose në monedhë. Me lindjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve kapitaliste në trojet shqiptare, puna e argatëve u zgjerua më tej. Ata morën tiparet e proletarëve të fshatit dhe të qytetit.
