(vijon nga numri i kaluar)
Fitorja e zgjedhjeve vendore të 26 korrikut 1992, nga Partia Socialiste, vetëm pak muaj pas fitores plebishitare të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare nga Partia Demokratike, tregoi se elektorati i shumicës i përkiste të majtës socialiste, se pa votat pro të tij edhe zgjedhjet e 22 marsit nuk mund të ishin fituar. Por ai ishte tregues edhe i faktit se fillimqeverisja revanshiste e ish-opozitës së vetëdeklaruar si antikomuniste, dhe premtimet e bëra papërgjegjshmërisht gjatë fushatës elektorale po i ktheheshin në boomerang.
Nëse, në vlerësim të përgjithshëm, votimet e 26 korrikut 1992, përbëjnë kufirin e mposhtjes së forcës së pushtetit nga vullneti i lirë, rrebeshi i parë i përpjekjes së pushtetit për të vënë mbi zgjedhësit zgjedhën e dhunshme rezulton të jenë votimet e parakohëshme lokale të majit të vitit 1994. Kjo pasi humbja e thellë e zgjedhjeve lokale të 26 majit, pra vetëm katër muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit, përveçse një test real i reputacionit të rënë të Partisë Demokratike, dikur në opozitë tashmë në pushtet,- ishte njëherëshi edhe zgjim i instiktit të saj vetmbrojtës ndaj votës masive kundër. Çduhej bërë për të rikuperuar këtë rrëshqitje elektorale? Realizimi i premtimeve paraelektorale të 22 marsit, të derdhura lumë para fitores, ishte i pamundur. Koha e “çekut të bardhë”, të tundur publikisht tribunave, nga i ndjeri Gramoz Pashko, kishte ikur së bashku me ish partinë e shtetin komunist, kurse marrja e frenave të pushtetit kërkonte mbajtjen e së paku pjesës më jetike të premtimeve. Për të arritur këtë ishte i domosdoshëm aplikimi i një sërë reformave të thella, por edhe të mbikqyrura me dorë të rreptë nga struktura të konsoliduara dhe tepër të profesionalizuara të pushtetit. Po ku gjendeshin të tilla? Në mbi nëntëdhjetë përqind të saj administrate shtetërore ishte gjymtuar, vendin e ish- të profesionalizuarve e kishin zenë militantët, të afërmit, shokët dhe miqtë e pushtetarëve. Nepotizmi i figurativizuar me ish-bllokun komunist kishte marrë revansh dhe ishte zgjeruar me blloqe të reja, që kishin vënë nën kontroll pjesë të majme të pasurisë së përbashkët kombëtare.
Një tjetër anë e kësaj pamjeje ishte opozita, e cila e inkurajuar nga zhvendosja e votës elektorale të shqiptarëve në 26 korrik 1992 kërkonte, papushim, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të parakohëshme. Motivimi i kësaj kërkese, që e kaloi tingullin normal, duke u kthyer, madje, në bezdisëse, ishte pretendimi me të drejtë i thyerjes së besimit të elektoratit tek partia qeverisëse, gjë që duhej të sillte ritestimin e forcave politike para votuesve. Kjo kërkesë e opozitës ishte dhe këmbana e opozitës së majtë, që shoqëroi pragmbajtjen e dy palë votimeve, gjatë vitit 1994. Një palë të parakohëshme, që u zhvilluan në muajin maj dhe vetëm në disa zona, pra jo në të gjithë territorin dhe jo parlamentare, dhe një palë të tjera të mbajtura në nëntor, jo për të zgjedhur, por për tu shprehur “pro” ose “kundër”.
Libofsha ‘94
Zgjedhjet e 26 majit të vitit 1994 synonin dhënien e votëbesimit për drejtuesit lokalë të pesë komunave. Ato ishin të parakohëshme. Njera midis katër komunave ku u votua në këtë datë ishte edhe Libofsha. Një emër deri atëherë pak apo aspak i njohur por që mbeti monument dhe hyri në historinë e zgjedhjeve kombëtare, madje edhe duke u ndërkombëtarizuar, si qendra e dhunës, terrorit dhe e manipulimit të pushtetit. Nga ato çfarë u raportuan në ato ditë vihej re se në Libofshë struktura shtetërore e paaftë për t’i fituar votat e zgjedhësve me meritë, aplikoi mënyra diskrete që ja kalonin edhe rregjimeve diktatoriale amerikano-latine e atyre afrikane të njohura për hedhjen në veprim të bandave të stërvitura.
Duke ju referuar të dhënave zyrtare, atyre të publikuara nga shtypi opozitar dhe ai i pavarur, të dhenave të ofruara nga partia më e madhe opozitare e asaj kohe Partia Socialiste, si dhe atyre jo zyrtare të terrenit, mësohej se në datën 29 maj 1992, në komunën Greshicë, ku po mbaheshin zgjedhjet për kryetar komune, kishin ndodhur ngjarje të jashtëzakonëshme, që jo vetëm dhunonin ligjin për zgjedhjet, por edhe përbënin vepër të rendë penale. Një grup i organizuar dhe i drejtuar nga shtetasi Viktor Margilaj,- sipas deklaratës së Partisë Socialist: “ organizator i veprimeve huliganeske edhe në zgjedhjet e 26 korikut 1992,- i porsaemëruar në detyrën e prefektit të prefekturës së Durrësit, nga kryetari i komunës së Kumanit, si dhe disa shtetas të tjerë, të dërguar nga Fieri, kishin vënë nën kërcënim e terror gjithë Libofshën për t’i dhënë votat Partisë Demokratike. Nga ana e tyre ishte ushtruar dhunë e terror ndaj shtetasit Luan Rustemi, vëzhgues i Partisë Socialiste në fshatin Agim, i cili u rrah deri sa i ra të fikët. Më pas rrahësit e rrëmbyen Luanin dhe ai nuk dihej ku ishte.
Një tjetër viktimë e terrorit dhe dhunës ishte shtetasi Sokrat Ikonomi, kryetar i komisionit komunar të zgjedhjeve, i cili ishte rrahur dhe nuk ishte lejuar të kryente detyrën. Edhe ai nuk dihej ku kishte përfunduar.
Faik Memushi, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në fshatin Asturkas ishte masakruar nga një grup prej më shumë se njëzetë vetësh, që shoqërohej nga policia e shtetit. Ai drejtohej nga nënkryetari i Partisë Demokratike të Fierit. Viktima e këtij masakrimi ishte shpënë urgjentinsht në spitalin e qytetit të Fierit.
Rrapo Kuqo, përfaqësues i Këshillit të Rrethit për zgjedhjet, ishte rrahur barbarisht po nga një grup i drejtuar prej kryetarit të Komunës së Kumanit…
Gjithë ky terror kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së votimit, gjë që u konfirmua edhe nga një grup deputetësh socialistë të cilët mbritën në atë kohë në komunën e Libofshës. Grupi përbëhej nga deputetët Shaqir Vukaj, Namik Dokle, Ilir Meta, Ylli Bufi, Musa Ulqini, Ndre Legisi, si dhe kryetari i Këshillit të Rrethit Fier, Robert Bitri e Petro Koç, kryetar i degës së Partisë Socialiste të Fierit. Edhe ky grup deputetësh opozitar u vu nën rrethimin e grupit paramilitar të shoqërisë civile, ndërsa kishte pak minuta që kishte mbritur në fshatin Agim. Edhe mbi ta u ushtrua dhunë e egër fizike. Në denoncim-protestën e saj Partia Socialiste thoshtë se:
“ Rrahja barbare e deputetëtëve dhe përfaqësuesve të saj lokale ishte bërë në prani të deputetit të Partisë Demokratike, Llazar Lëngu dhe punonjësve të policisë, të cilët nuk ndërmorrën asnjë veprim për të mbrojtur imunitetin e deputetëve. Ndërkohë në Libofshë kryenin aktivitetin e tyre të shqetësuar nga askush deputetët e PD-së, Ali Spahia, Fadil Çepele, Kujtim Gina etj. Tani banda dhe policët mbajnë peng përfaqësuesit e Partisë Socialiste në qendrat e votimit për ti detyruar të nënshkruajnë proces –verbalet nën kërcënimin e armëve, pasi u deklarua nga Komisioni i Zgjedhjeve pavlefshmëria e tyre…”.
“E gjithë banda e Margilajt udhëton me makina shtetërore…”.” Policia vepronte nën urdhërat e tyre..” .” Është po e njejta falangë që organizoi antimitingun në Libofshë para tre ditësh…”, – ishin këto raportime e denoncime të tjera, që hidhnin dritë akoma më shumë rreth asaj çka po ndodhte në komunën Libofshë të rrethit të Fierit, atë paradite të datës 29 maj 1994, kur votuesit qenë thirrur për të zgjedhur me vullnet të lirë drejtuesit e lartë të qeverisjes lokale.
Dëshmi të tjera
Vladimir Andrea : “ Në fshatin Asturkas të komunës Libofshë shkova kur kishin votuar rreth pesëdhjetë vetë. Isha përfaqësues i Komisionit Qendror të Votimeve të rrethit. Aty gjeta dhe dy vëzhgues të Partisë Demokratike. Njeri prej tyre ishte sekretari i degës së PD-së së rrethit dhe mu bë qejfi që e takova pasi ishim shok. U takuam dhe u puthëm. Pa kaluar pak kohë vijnë tre persona, fytyrat e të cilëve për mua ishin të panjohura. Ata më bënë thirrje të largohesha që andej, gjë që e kundërshtova duke u thënë se isha vëzhgues, por edhe këshilltar i rrethit. U nxorra dhe dokumentin, por ata nuk e morrën parasysh dhe nisën të më qëllojnë. S’kisha çbëja, iu binda dhe u largova nën goditjen e këtyre njerëzve pamoral.
Agim Bitri: “ rreth orës 09:00 të ditës së diel, në fshatin Agim, katër djem më bënë shenjë t’u arfohesha pranë. Mu duk se e dinin ku shkoja dhe çfarë isha, dukej se më kishin zenë pritë. Duke mos ma marr mendja se çfarë donin, por nga që ftesa e tyre mu duk e çuditëshme dhe e papritur, u thash: “nuk vij”. Mirëpo ata m’u turrën dhe më shtynë me forcë. U pëprpoqa të shmangesha por nuk arrita. Mesaduket e dinin që isha anëtar komisioni i socialistëve. Më futën në një makinë dhe nga fshati Agim më shpunë në fshatin Rredh Libofshë. Rreth njëqind metër larg, afër hekurudhës më zbritën nga makina dhe filluan të më qëllonin, ku të mundnin, me shkëlma e grushta. Nuk di si munda t’u shpëtoj dhe ia dhashë vrapit, kur ndjeva një krismë pistolete që më tmerroi. Kujtova se më vranë dhe në panik vazhdova të vrapoj derisa takova një djalë rreth 13-14 vjeç, që ruante lopët, të cilit iu luta të më sillte diçka për ta veshur, sepse banda më la lakuriq.”E pash ngjarjen”,- më tha djali, dhe u nis drejt shtëpisë. Kur erdhi ai më zgjati një triko. “Shko tek ajo familja që është atje dhe shlodhu pak. Janë njerëz të mirë”, – më tha djali. Ashtu bëra dhe ata më pritën si djalin e tyre”.
Musa Ulqini, deputet i Partisë Socialiste: “ Kjo ndodhi afërsisht nga ora 09:00 deri në orën 11:00 të paradites. Nisi në qendrën e fshatit Agim të komunës Libofshë, për të vijuar më tej në dy tre pika gjatë rrugës nga ky fshat deri në rrugën nacionale, pra rreth dhjetë kilometra. Ky nuk ishte thjesht një incident dhe as i rastit. Ishte as më shumë e as më pak por një bandë e organizuar që zbarkoi disa minuta pas mbritjes sonë në fshatin Agim. Personat zbritën nga makinat shtetërore, kuptohet që ne I disponojmë edhe target e tyre, edhe listën e plotë të pjesëtarëve të bandës… Ne mbritën në Agimi rreth orës 08:00. Shokët e degës lokale të Partisë Socialiste na informuan se dy banda të organizuara nga Fieri, qysh herët po bënin terror fizik mbi përfaqësuesit tanë në qendrat e votimit. Psh na thanë se një nga vëzhguesit e Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Agimi, Luan Rustemi, ishte rrahur barbarisht pastaj e kishin hedhur pa ndjenja brenda një makine dhe ata nuk e dinin ku kishte përfunduar. Shokët tanë ishin të alarmuar që policët e vënë nëpër të gjitha qendrat e votimit jo vetëm nuk ndërhynin ndaj këtyre akteve banditeske por edhe i mbështesnin ata…Të gjitha këto dolën të vërteta kur ne mbritëm në Agimi. Ndaluam në oborrin e godinës ku ishte qendra e votimit. Të parët që takuam ishin vëzhguesit tanë të cilët na informuan për çka kishte ndodhur një orë më parë. Ishin mjaft të tronditur nga rrahja barbare e Luan Rustemit në prani të shumë votuesve për minuta të tëra nga një grup i ardhur që vendasit thonin se nuk e njihnin. Ndërkaq ne pyetëm për policët e ngarkuar me shërbimin dhe që qendronin dhjetë metër më tej. Na u përgjigjën se ata nuk ndërhynë. Ne nuk patëm kohë as të bisedonim me ata policë , që të na shpjegonin arësyen e mosndërhyrjes së tyre, pasi, në ato çaste, tek këmbët tona ndaluan me frena të zhurrmëshme stop dy makina. Prej tyre zbritën rreth njezetë vetë me stilin e forcave speciale të ndërhyrjes së shpejtë. Dukej sheshit se ata ishin grup i organizuar dhe i specializuar. Disa prej tyre qenë të pajisur me mjete të forta. Qenë trupa të fuqishëm, me fytyra të egërsuara…I pari që zbriti na u drejtua me fyerje e sharjet më të ndyra. Pas tij edhe të tjerët bënë po të njejtën gjë. Njeri nga ata u shkëput dhe shkoi drejt Namik Dokles për ta goditur me grusht. Ishte ndërhyrja e menjëherëshme e Ndre Legisit që e shmangu këtë goditje. Shumë shpejt çdonjeri prej nesh u gjend i rrethuar nga grupe me tre deri në gjashtë veta. Filloi një përleshje e vërtetë. Ne ishim të detyruar t’u thoshim të mos na preknim se ishim deputetë, pra të mbrojtur me ligj, por ata e dinin këtë pasi prandaj kishin ardhur. Përleshja e vërtetë zgjati rreth tridhjetë minuta. U goditëm egërsisht. Kur po i thosha njerit se duhej të largohej ai nxorri një thikë me sustë për të na paralajmëruar se mund të viheshin në përdorim dhe thika e kobure. Ndërkaq, Legisi përpiqej të rezistonte edhe pse ndaj tij ishin sulur gjashtë vetë, dy nga të cilët po e kontrollonin për armë. Ai shpëtoi nga kjo furi pasi u mbështet pas një muri çka i siguroi prapashpinën…
Zëvendëskryetari i Këshillit të Rrethit, Maks Çunaj, nga që rezistoi më gjatë u godit tepër rëndë dhe në gjendje gati pa ndjenja u përplas në makinë. Në makinën ku ishte Namiku, në sediljen e parë,u hodh një gurë që e bëri breshër xhamin e makinës, por, për fat, Namiku arriti ti shmangej goditjes. Këto skena ishin të njejta për të gjithë ne, për Shaqir Vukajn, për Ilir Metën dhe Ylli Bufin…”.
Vota të mbrapshta
Pasi kishte përfunduar terrori, dhuna, raprezaljet dhe krejt procesi i votimit, gjatë procesit të verifikimit të fletë-votimeve, në Libofshë rezultoi se në pesë mijë fletë- votimi dy mijë dilnin të pavlefëshme. Diçka absurde kjo për një proces normal dhe që nuk ishte prezente në ato qendra votimi ku zgjedhjet kishin ecur pa terror e dhunë. Nëpër këto qendra numri i fletëvotimeve të parregullta vërtitej tek tridhjetë,dyzetë. Sipas raportimit zyrtar mësohej se në qendrën e votimit numër një ishin dyqind e nëntëdhjetë fletëvotimi të pavlefëshme dhe dyqind e trembëdhjetëtë vlefëshme. Në qendrën e votimi numër tre, dyqind e njëzetë e tetë fletë-votimi dilnin të vlefëshme dhe dyqind e shtatëdhjetë e shtatë, e kështu më tej. Përkundrazi në qendrën e votimit të fshatit Avaleas, e cila nuk u sulmua nga militantët e grupet e Partisë Demokratike të ardhura nga Fieri, të pavlefëshme ishin rreth tridhjetë vota ndër treqind të tilla të vlefëshme.
Urdhëri që prishi listat
Dokumenti me numër 1743/ datë 28.05.1994, i firmosur nga ish-kryeministri i asaj kohe Aleksandër Meksi, mbriti në komunën e Libofshës rreth orës 20:10 minuta të ditës së shtunë, pra një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme për drejtuesit e pushtetit lokal. Ky dokument i drejtohej Këshillit të Komunës Libofshë, saktësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Komunën Libofshë. Përmbajtja e kësaj shkrese ishte kjo:
“Nga informacioni që kemi marrë dhe konform dokumentave që disponojmë për shpalljen e fshatit Hozhdar fshat më vete, kërkojmë nga Këshilli i Komunës Libofshë të lerë në fuqi vendimin e tij të parë për qendrën e votimit Hozhdar. Vendimi që duhet të merret të jetë konform ligjit”.
Sipas dëshmive dhe vlerësimit të punonjësve komunarë, ky dokument i ishte dorëzuar nënkryetarit të komunës, Arben Domi, i cili ishte urdhëruar ta zbatonte menjëherë, duke i bërë madje edhe presion.Personi komunikues me të ishte Ferdinant Pone, zv. Ministri i sotëm i Rendit, i cili që prej vitit 2005 mbulon pushtetin vendor, i prezantuar si i dërguari i qeverisë për zgjedhjet në Libofshë, dhe prefekti i Durrësit, Viktor Margilaj. Këta i kishin kërkuar Domit që qendra e votimit të hapej me çdo kusht. Ndodhte kjo ndërsa Ferdinant Pone, sikurse denonconin zyrtarët e komunës, nuk figuronte në asnjë program pune të Këshillit të Ministrave për zgjedhjet e 29 majit.
Të vërtetën e këtij deklarimi e konfirmonte edhe materiali zgjedhor i dërguar nga kryeministria, të cilin e dispononte edhe selia e Partisë Socialiste të Fierit. Kjo shkresë e firmosur nga kreu i qeverisë Aleksandër Meksi, dhe e mbrojtur nga mëkëmbësi i tij i pretenduar Ferdinant Pone, u arrit të zbatohej falë presionit të të tretëve dhe hapja e një qendre të re votimi në fshatin Hozhdar prishi të gjithë listat e votimit të tre fshatrave: Agim, Metaj dhe Hozhdar. Listat e reja zëvendësuese dolën mëngjesin e ditës së votimeve, pra të dielën,në 29 maj 1994, një veprim ky që e ngarkonte z. Meksi me përgjegjësi për shkelje të neneve 12,16,21 të ligjit “Për zgjedhjet e pushtetit lokal”,nene këto që sanksiononin se kur duhej të shpalleshin listat, kur duhet të përgatiteshin qendrat e votimit dhe kur duhej të caktohej një qendër e re votimi.
Reagimi
“…Partia Socialiste e Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojëshme politike dhe juridike për t’ju kundërvenë këtij akti të pashembullt dhune. Për këtë qëllim:
– Cilido që të jetë rezultati në komunën e Libofshës ne nuk do ta njohim dhe e shpallim anti-ligjor,anti-kushtetues, anti-demokratik.
– Kërkojmë që zgjedhjet e reja në Libofshë të bëhen patjetër me prezencën e vëzhguesve të huaj.
– Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Viktor Margilajt nga posti i prefektit të Durrësit dhe ndjekjen penale të tij.
– Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Behar Plakës nga detyra e kryetarit të komunës së Kumanit dhe ndjekjen penale të tij.
– Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm dhe ndjekjen penale për krim të dukshëm e të rendë të gjithë bandës së Viktor Margilajt.
Nëse këto kërkesa nuk plotësohen Brenda afateve ligjore të njohura Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar do të ndërmarrin të gjitha veprimet politike që u takojnë në mbrojtje të demokracisë të dinjitetit të deputetëve të saj, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira, në mbrojtje të qetësisë së popullit”.
Ishte ky qëndrim zyrtar që mbajti Partia Socialiste duke e publikuar atë në deklaratën e shpërndarë për shtyp pak ditë pas votimeve. Dhuna e terrori në komunën e Libofshës nuk ishte spontanë dhe as e paparalajmëruar. Vetëm tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ditën e premte, datë 27 maj 1994, ora 17:00, sikurse publikonte edhe shtypi opozitar e ai privat, të njejtat forca kishin arritur të prishnin një takim elektoral të drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste, me rreth dy mijë banorë të Libofshës, të mbajtur në sheshin qendror të këtij fshati. Të deleguar nga qendra e PS-së kishin qenë nënkryetari Servet Pëllumbi, kryetari i FRESH-it, Ilir Meta dhe Ylli Bufi, deputeti i Fierit.
Po ashtu ky reagim dhe veprim tejet antiligjor e antihuman i strukturave të shtetit atë ditë votimesh të pjesëshme e të parakohëshme, vinte pas paralajmërimeve për dërgimin e qindra ushtarëve në komunën e Zall Herrit,me qëllim hedhjen e votave për Partinë Demokratike. Dhuna e terrori në Libofshë ishin pjesë e strategjisë manipulative të parathënë e ku, fatkeqësisht, edhe institucioni i vetëm mediatik shqiptar, Radiotelevizioni shtetor kishte kontribuar hapur, duke u rreshtuar në krah të saj. Dita e mbajtjes së zgjedhjeve në Libofshë vinte pasi në mënyrë flagrante e të hapur, vetëm pak ditë para mbajtjes së tyre, policia kishte arrestuar kryetarin e Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vëzhguesin e Qendrës së Votimit të fshatit Ndërnënas, të cilët qenë liruar vetëm pas presionit të popullit. Kjo ditëgjëmë, për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve në një vend të porsadalë nga diktatura, vinte pas zbarkimit nëpër zonat elektorale të zyrtarëve të lartë të administratës dhe deputetëve që bënin fushatë me paratë e taksapaguesve më të varfër të kontinentit europian.
Ndëshkimi i rremë
Në datën 03 qershor, duke e vlerësuar padinë penale të ngritur nga ana e strukturës vendore të Partisë Socialiste, prokuroria e rrethit Fier deklaroi fillimin e çështjes penale ndaj grupit të të paditurve. Hetimi i kësaj çështjeje do të bëhej nga një grup prej katër hetuesish. Kaq u tha rreth dosjes Libofsha ’94 dhe deri këtu mbeti informimi i publikut. Më tej as që u dha ndonjë sinjal tjetër rreth këtij fakti, ndërsa faqet e shtypit opozitar e atij privat breshëronin tituj të tillë si : “ Dhunimi i votës së lirë- parathënie e rrezikëshme për zgjedhjet e ardhëshme”. “Krimi i Libofshës- plagë e hapur në trupin e demokracisë shqiptare”. “Mafiozët që vodhën votat mbrohen nga shteti” etj. Kjo mënyrë e mbajtjes së zgjedhjeve jo vetëm e thelloi shkarjen e votës plebishitare shqiptare të 22 marsit 1992 majtas, jo vetëm përforcoi rezultatin e votimeve të 26 korrikut të atij viti, duke i dhënë krah thirrjeve të opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithëshme të parakohëshme, por u krijoi taksapaguesve bindjen e urgjencës së një zgjidhjeje të re politike
Pse Libofsha, me çdo kusht?
Komuna e Libofshës është dallëndyshja e parë që solli në skenën e zgjedhjeve pluraliste shqiptare shijen e zgjedhës. Kjo për faktin se këtu, për të parën here, hapur, pushteti lejoi futjen në veprim të grupeve paramilitare të shoqërisë civile, me dëshirën dhe nxitjen e vet. Mirëpo pse u terrorizua dhe u dhunua vetëm Libofsha dhe jo ndonjë nga katër zonat e tjera zgjedhore? Pse në zonën e Libofshës Partisë Demokratike i duhej fitorja me çdo kusht?
Po të ndjekësh rezultatin e zgjedhjeve të kaluara deri atëherë konstaton se edhe në 22 marsin e vitit 1992, pra në fitoren e madhe të opozitës së parë anti-komuniste, kjo zonë ia kishte dhënë votat Partisë së Punës. Po e njejta gjë kishte ndodhur, me votat e kësaj zone, edhe në zgjedhjet e mbajtura në 26 korrikun e vitit 1992, ku rezultati në favor të Partisë Socialiste ishte ngjitur në mbi shtatëdhjetë përqind të votave “pro”. Kështu që një tjetër fitore e Partisë Demokratike në zgjedhjet e parakohëshme të 29 majit 1994, në Libofshë, do ti shërbente kësaj të fundit për të hedhur poshtë pretendimet e pandalëshme të Partisë Socialiste për ritestim të elektoratit shqiptarë, nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare të parakohëshme. Një kërkesë e përsëritur, theksueshëm kjo, nga opozita socialiste, pas rezultatit rreshqitës të zgjedhjeve lokale ’92…
Vijon neser…